Në fjalën e tij para banorëve të Selenicës, Rama tha se në 18 muaj janë bërë reforma rrënjësore, duke theksuar se këto reforma janë i vetmi drejtim i duhur.
Rama deklaroi se këto zgjedhje janë për familjet dhe jo për partitë, duke i quajtur ‘mrekullira’ premtimet e opozitës që sipas tij nuk kanë lidhje me drejtimin e bashkive.
“Kemi dhënë prova se jemi në drejtimin e duhur. 18 muaj me reforma rrënjësore. Reformat janë i vetmi drejtim i duhur. Këto zgjedhje janë për familjet, jo për partitë. Aleanca jonë për të transformuar Shqipërinë. SHQUP-i bën një fushatë, flet për çfarëdo lloj gjërash që nuk kanë lidhje me bashkinë. SHQUP-i flet për mrekullira, të njëjtat mrekullira që mendonte se po i bënte para 23 qershorit dhe tani ka dalë me grepa ku të gjejnë budallenj. Këta e çuan Shqipërinë në buzë të greminës. Punë dhe dinjitet thonë, punë kur lanë 1 mln të papunë, dinjitet kur e zhytën Shqipërinë në borxhe. Lavdi popullit që më 23 qershor i përcolli aty ku e kanë vendin se do e kishin marrë Shqipërinë më qafë”, tha Rama.
Kryeministri e quajti reformën territoriale-administrative historike dhe premtoi se Selenica do të kthehet në një zonë interurbane. “Reforma territoriale-administrative reformë historike. Erdhëm për sot në këtë takim, kishim vajtur më shpejt në Londër se sa erdhëm nga Vlora. Selenica do të kthehet në një zonë interurbane. Do të hapim një epokë të re për Selenicën, dhe për të gjithë fshatrat e lumit të Vlorës. Do të ndërthurim turizmin me fshatin. Do të mbështesim me një projekt kombëtar, prodhimet e fshatit. Më vjen pak çudi se si mund të gjenden budallenj këtu në Vlorë që të votojnë SHQUPIN. Pa gratë, burrat e humbin drejtimin vazhdimisht. Gratë janë garancia që shtëpia të shkojë në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)