Seminari në Prishtinë, “sulmohet” 
Drejtshkrimi i 1972 i Gjuhës Shqipe

Seminari në Prishtinë, “sulmohet” <br />Drejtshkrimi i 1972 i Gjuhës Shqipe
TIRANE- Po afron edicioni i 34-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Me logon “Shqipja në domenin publik” duket se ky seminar do të hap sërish debatet rreth përdorimit të gjuhës letrare të njësuar, ose standardit, term më i përdorur nga kundështarët e Drejtshkrimit të njësuar që në vitin 1972.

Ky seminar do të mbahet për 11 ditë rresht, nga datat 17 deri më 28 gusht në Prishtinë, ku një të tretën e kumtesave do ta zënë temat për gjuhën, e mes tyre do të përfshihen edhe kumtesat në rrafshet gramatikore e sintaksore të gjuhës. Në këtë seminar do të trajtohen edhe temat të ndryshme për letërsinë shqipe, ku një vend me rëndësi zë vepra e Kadaresë e Ali Podrimjes nga autorët e sotëm. Do të ketë kumtesa edhe për autorë të traditës së letërsisë shqipe si De Rada, Kuteli, Migjeni, etj.

Gjithashtu do të trajtohen çështje në fushën e studimeve albanologjike, si rreth folkorit e trashëgimisë kulturore. Nuk do të mungojnë as esetë kulturologjike. Seminari organizohet nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë dhe Fakulteti Histori-Filologji – Tiranë. Ndërsa këshilli drejtues i Seminarit në Prishtinë përbëhet nga Bardh Rugova, Nysret Krasniqi, Rrahman Paçarizi, Qibrije Demiri Frangu, Milazim Krasniqi, etj. Këshilli drejtues i Seminarit në Tiranë përbëhet nga Shezai Rrokaj, Aljula Jubani, Ymer Çiraku, Dhurata Shehri, etj.
 
Drejtshkrimi te shqiptarët jashtë kufijve
Vihet re se një pjesë e kumtesave i referohen rishqyrtimit të çështjes së drejtshkrimit përballë faktit që është vendosur si normë gjuhësore në të gjitha trevat shqipfolëse. Pas debateve të shumta që janë hapur prej vitesh rreth çështjes së Drejtshkrimit të 72-shit, ku një pjesë kanë kundështuar pse në bazën e drejtshkrimit të jetë vënë toskërishtja dhe jo gegërishtja, si dhe pas disa vendimarrjeve që nuk u përkrahën nga akademikët të Këshillit Ndërkombëtar për gjuhën shqipe vitet e fundit, në kumtesat e këtij seminari duket se ka nisur një “sulm” i ri ndaj Drejtshkrimit.

Po sjellim argumentet e disa prej kumtesave që do lexohen gjatë ditëve të seminarit:
Shpëtim Elezi në kumtesën e tij i është referuar hetimit të problemeve konkrete të përdorimit të variantit të shkruar të shqipes standarde dhe atij të folur. “Gjuha në shkolla parakupton në të vërtetë përdorim të varietetit standard të saj, mirëpo, siç është provuar përmes këtij hulumtimi të rastit të kryer në terren brenda një kohe të caktuar, në këtë punim janë gjetur edhe shembuj që provojnë raste të përdorimit të varieteteve të tjera gjuhësore të shqipes”….

Manjola Lubishtani, në kumtesën e saj “Zotërimi i normës drejtshkrimore nga nxënësit dhe mësimdhënësit në shkollat fillore” konstaton se edhe pse është njësuar shqipja në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972, e paraprakisht me Konsultën e Prishtinës më 1968, “Realiteti i sotëm dëshmon për një nivel zotërimi e përdorimi të pakënaqshëm të standardit, sidomos në domenin arsimor”. Këtë Lubishtatni e argumenton se “Nuk kanë munguar artikuj e studimeve të shumta lidhur me këtë segment të shfaqjes së shqipes së normuar, por realiteti në mjediset shkollore, aktualisht, dëshmon për një situatë konstante, në të cilën shqipja standarde nuk ka arritur të akomodohet natyrshëm, qoftë edhe në konsolidimin e formës së shkruar të saj”.

Drejtshkrimi si “pamundësi akomodimi” me shqiptarët që flasin gegnisht, si i vështirë për t’u mësuar nga nxënësit del në pah argument pas argumenti në pjesën më të madhe të kumtesave. Gazi Bërlajolli ka disa argumenta për shmagien nga rregullat e Drejtshkrimit si “nis e tret kufiri edhe mes gjuhës së shkruar dhe të folurës”; “vërejmë prirje më të shumta drejt divergjencave në shqipen publike se ç’njihnim në periudhën socialiste”, etj.

Naser Pajaziti radhit në kumtesën e tij vështirësi që dalin në përvetësimin e shqipes standarde te nxënësit e shkollave fillore, duke vënë kështu përballë standardin me dialektin dhe njëkohësisht, duke vënë në pah dukuritë gjuhësore që sipas tij “paraqesin pengesë për përvetësimin e standardit, si në sistemin fonetik, po edhe në atë morfologjik.”

Rrahman Paçarizi në kumtesën e tij “Standardi në situatë formale - shkolla, kultura, varieteti gjuhësor”
e trajton në një këndëvështrim tjetër debatin rreth Drejtshkrimit, ku sipas tij “mungesa e trajtimit adekuat të standardit në shkollë dhe mosinformimi i duhur për rolin dhe detyrat e standardit ka lënë zbrazëtira të caktuara, të cilat manifestohen me çrregullime të caktuara, kryesisht në procesimin e gjuhës, përkatësisht në realizimin final të kornizës sintaksore dhe kompozimit morfologjik gjatë prodhimit të të folurit.“
 
Ledi Shamku, dilemat “Shqipe e Shkruar - Shqipe e Folur?”
Ledi Shamku-Shkreli do të paraqisë në Seminarin e 34-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Prishtinë, kumtesën “Risi diamezike në repertor të shqipes”. Ajo në kumtesën e saj jep më të plotë përmbajtjen e seminarit që i referohet gjuhës shqipe, ku shkruan se “Nisur nga tema qendrore e konferencës, “Shqipja në domenin publik”, përsëpari ia vlen të përcaktohet se ç'quhet “domen publik” i një gjuhe. Nisur nga përcaktimi juridik i vetë termit, në domen publik shkurtimisht është ajo përftesë (letrare apo shkencore), e cila nuk ka më të drejtë autori dhe është në përdorim të të gjithëve.

E hapur për të bashkëvepruar me të shumëkush. Kësisoj, veç përftesave klasike tashmë si: letërsia (e kultivuar apo folklorike), fjalorët, ligjet, manualet, tekstet e shkollave e shumë të tjera kësodore, korpusi që mund të krijohet duke mbledhur gjithë ndërveprimet komunikuese në shqip që, falë teknologjisë realizohen online, ky korpus, pra a mund të quhet edhe ai si një nga lamijtë ku shqipja realizohet në domen publik?” Ledi Shamku mban qëndrimin e saj në këtë seminar, ku me një studim më të stërholluar trajton problemin se “ç'mund të themi për të ardhmen e sistemit binar: Shqipe e Shkruar - Shqipe e Folur? Si ka qenë dhe si pritet të jetë marrëdhënia mes tyre?”

Një tjetër këndvështrim ka Agron Tufa në kumtesën “Bibla foli gegnisht (një histori e papërmbyllur e përkthimit të Biblës shqip nga Buzuku tek Sinomaj)”. Tufa i jep një rëndësi kulturore të shkruarës në gegnisht dhe ruatjes së origjinalitetit të veprave të autorëve që kanë shkruar në këtë gjuhë.

Në esktraktin e dërguar për seminarin, ai shkruan se “Në kumtesën tonë, ne do të argumentojmë se pse Meshari i Gjon Buzukut është ndërmarrja e parë dhe serioze e përkthimit të shkrimeve të shenjta, thuajse njëkohshëm me gjuhët e reja popullore gjermanike e sllave dhe pse Meshari është pararendësi i një projekti për përkthimin integral të Biblës në shqip.

Gjithashtu do të shqyrtojmë fillin dhe linjën e trashëgimisë së shkrimeve të shenjta në gegnisht, traditën që përvijon përkthimi gegnisht, sikundërse dhe diversionin e qarqeve akademike të nomenklaturës komuniste nëpërmjet ndikimit që patën tek Dom Simon Filipaj, që Bibla integrale e tij të për-përkthehej nga teksti gegnisht, në shqipen standarde.”
drejtshkrimi


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës