TIRANË - Në Gjinar të Elbasanit vijon operacioni i gjerë për të luftuar një prej shkaktarëve të dëmtimit të pyjeve me pisha, procesionares.
Ky operacion zhvillohet në kuadër të Programit Kombëtar për Luftimin Mekanik të Procesionares, i shtrirë në 4 rajone të vendit, Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Korçë, ku janë përfshirë 33 njësi të qeverisjes vendore.
Për t'u njohur në terren me ecurinë e projektit, Kryeministri Rama dhe Ministri i Mjedisit Koka ishin në komunën e Gjinarit të qarkut Elbasan.
Behar Hate, Koordinatori Kombëtar i Projektit tha se këtij operacioni i janë nënshtruar 6335 hektarë pyje në grumbujt pyjor të pishës së zezë. Hate theksoi se ky është fondi i parë në 30 vjet, për parandalimin e procesionares.
Ministri Koka nënvizoi se projekti ka sjellë një impakt pozitiv edhe në punësim. Nga njësitë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë punësuar mbi 6000 punonjës. "Kemi bërë kontrata individuale për 6000 mijë punonjës nëpërmjet Zyrës Kombëtare të Punësimit.
Mbi 6300 hektarë që pastrohen me këtë fond janë një sasi e madhe, po të mendojmë se kjo shumëfishohet vitin pasardhës, duke u transformuar larvat në flutura, mund të themi se me 6000 hektarë parandaluam dëmin e 60 mijë hektarëve vitin pasardhës", tha Koka.
Ky projekt vazhdon edhe në pyjet e Orenjës në Librazhd. /ATSH/