Biden nënshkruan paketën e ndihmës për Kievin: 'Dërgesa fillon menjëherë'! Raketat amerikane mbërritën fshehurazi në Ukrainë

Presidenti Joe Biden ka miratuar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Nga kjo paketë, 61 miliardë pritet të dërgohen në Kiev, aty ku Ukraina ka mjaft nevojë për armatime në luftën ndaj Rusisë.

Ndërkohë më herët projektligji ishte miratuar në senatin amerikan me një shumicë dërrmuese, pas muajsh vonesash dhe debatesh të brendshme mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Projektligji u miratua mbrëmjen e së martës, 23 prill, me 79 vota pro dhe 18 kundër. 

Pas miratimit, presidenti Biden tha se ligji për ndihmën do ta bëjë Shtetet e Bashkuara dhe botën më të sigurt dhe se dërgimi i paisjeve ushtarake për Ukrainën do të fillojë brenda disa orëve.

"Sapo kam nënshkruar në ligj paketën e sigurisë kombëtare të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve këtë fundjavë dhe dje nga Senati," tha Biden, duke shtuar se ai do të sigurojë "që dërgesat fillojnë menjëherë, në orët në vijim”, tha ai

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky falënderoi senatorët amerikanë që kanë votuar pro paketës së ndihmës, duke thënë se është kyçe për vendosjen e paqes.

“I jam mirënjohës Senatit të Shteteve të Bashkuara për miratimin e ndihmës jetike për Ukrainën sot, falënderoj liderin e shumicës Chuck Schumer dhe udhëheqësin republikan Mitch McConnell për udhëheqjen e tyre të fortë në avancimin e këtij legjislacioni, si dhe të gjithë senatorët amerikanë që votuan pro.

Ky votim forcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe lider i botës së lirë. U jam gjithashtu mirënjohës të gjithë amerikanëve që vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe pranojnë se rëndësia historike e këtij projektligji shkon përtej politikës. Artileria dhe mbrojtja ajrore janë mjete kyçe për rivendosjen e shpejtë të paqes."

 

Pas votimit me 79 pro dhe 18 kundër, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se Amerika po i dërgon një mesazh mbarë botës.

“Sot, pas më shumë se gjashtë muajsh pune të palodhur, shumë vështirësish dhe pengesash, Amerika i dërgon një mesazh mbarë botës: Ne nuk do t'ju kthejmë shpinën. Ne u themi aleatëve tanë se jemi me ju. Ne u themi kundërshtarëve tanë, mos u ngatërroni me ne. I themi botës se do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Ky projektligj i sigurisë kombëtare është një nga masat më të rëndësishme që ka miratuar Kongresi për të mbrojtur sigurinë e Amerikës dhe sigurinë e demokracisë perëndimore”, tha zoti Schumer.

Projekt-ligji parashikon gjithashtu 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, si edhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, si edhe 8 miliardë dollarë për të përforcuar mbrojtjen ndaj Kinës në Tajvan dhe Indo-Paqësor.

Sakaq, mediat amerikane, Nju Jork Times dhe Politico bëjnë me dije se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar fshehurazi javën e kaluar raketa me rreze të gjatë veprimi Atamcs në Ukrainë për herë të parë në dy vitet e luftës dhe forcat ukrainase përdorën menjëherë armët për të sulmuar një aeroport ushtarak rus në Krime të mërkurën e kaluar dhe trupat ruse në juglindje të vendit gjatë natës të së martës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:50
Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden miratoi të mërkurën projekt-ligjin që parashikon 95 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Ai tha se ligji për ndihmën do ta bëjë Shtetet e Bashkuara dhe botën më të sigurt dhe se dërgimi i paisjeve ushtarake për Ukrainën do të fillojë brenda disa orëve.

"Sapo kam nënshkruar në ligj paketën e sigurisë kombëtare të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve këtë fundjavë dhe dje nga Senati," tha Biden, duke shtuar se ai do të sigurojë "që dërgesat fillojnë menjëherë, në orët në vijim.

Presidenti Biden tha se me miratimin e kësaj ndihme Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë rolin udhëheqës të Amerikës në botë.

“Ajo i jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës që mënyrë që ata të mund të mbrohen përballë kërcënimeve ndaj sovranitetit të tyre, jetës dhe lirisë së qytetarëve të tyre. Dhe është një investim në sigurinë tonë, sepse kur aleatët tanë janë më të fortë, ne jemi më të fortë”, tha presidenti Biden.

Ora 12:49
Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për korrupsion

Foto: Timur Ivanov

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Timur Ivanov, është arrestuar pasi dyshohet për marrje ryshfeti, njoftoi Komiteti Hetues rus më 23 prill.

Ivanov dyshohet se ka marrë ryshfet prej 1 milion rubla (të paktën 10,800 dollarë).

Nëse shpallet fajtor ai do të dënohet me 15 vite burgim.

Sipas Fondacionit Kundër Korrupsionit i Alexei Navalnyt (FBK), Ivanov kishte udhëhequr dhe kishte përfituar nga projektet e ndërtimit në qytetin ukrainas Mariupol, i cili u shkatërrua pothuajse tërësisht nga forcat ruse në muajt e parë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të 2022.

Në prill të vitit 2023, kryetarja e FKB, Maria Pevchikh tha se Ivanov kishte "një nga punët më fitimprurëse që mund të ketë në Ministrinë e Mbrojtjes".

Ndërsa vitin e kaluar, Pevchikh deklaroi se pasuria ekstreme e zëvendësministrit të mbrojtjes, përfshinte një shtëpi historike në një nga lagjet më të shtrenjta të Moskës, shkruan CNN.

Për arrestimin e tij, ajo reagoi në llogarinë e saj në X.

“Sot është një ditë e mirë. Njeriu i përfshirë në hetimin tonë u ndalua nën dyshimin për ryshfet. Në folëm për jetën luksoze të zëvendësministrit të Mbrojtjes Timur Ivanov në vitin 2022”, shkruan Maria.

Ivanov ishte emëruar zëvendësministër i Mbrojtjes me urdhër presidencial në maj 2016.

Ai është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja. 

SI.E./N.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Me kalimin e ditëve...dëshira për hakmarrje rritet...çfarë thonë yjet për ju sot

Me kalimin e ditëve...dëshira për hakmarrje rritet...çfarë thonë yjet për ju sot