Separatistët - një gjemb në këmbë për Ukrainën

Separatistët - një gjemb në këmbë për Ukrainën

Ushtarë në kufirin ukrainas-lindor

Në kohën kur Ukraina ndodhet nën kërcënimin e pushtimit rus, tensionet janë të larta edhe në pjesën lindore të këtij vendi, ku forcat qeveritare luftojnë me separatistët pro-rusë qysh në vitin 2014. Ndonëse më sporadik viteve të fundit, konflikti ka lënë të vrarë mbi 14,000 njerëz.

Përleshjet janë intensifikuar më 17 shkurt dhe kjo ka rritur shqetësimet se Moska mund ta përdorë situatën si pretekst për të sulmuar Ukrainën në shkallë të gjerë.

Rebelimi separatist

Kur ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, që ishte mik i Moskës, u rrëzua nga pushteti - pas protestave masive në shkurt të vitit 2014 - Rusia u përgjigj duke aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë. Më pas, kryengritja u forcua në lindje të Ukrainës - në rajonin e njohur si Donbas. Në prill të vitit 2014, rebelët e mbështetur nga Rusia pushtuan atje ndërtesat qeveritare dhe shpallën krijimin e “republikave popullore”.

Pas një muaji, rajonet separatiste mbajtën një votim popullor për të shpallur pavarësinë dhe kërkuan të bëhen pjesë e Rusisë. Moska nuk e pranoi një gjë të tillë, me shpresën se do t'i përdorte këto rajone si mjet për ta mbajtur Ukrainën nën llupë dhe për ta penguar atë që të anëtarësohet në NATO.

Ukraina dhe Perëndimi akuzuan Rusinë për mbështetjen e rebelëve me trupa dhe armë. Moska e mohoi këtë, duke thënë se rusët që luftuan në lindje të Ukrainës, ishin vullnetarë. Mes betejave të egra që përfshinin tanke, artileri të rëndë dhe avionë luftarakë, një fluturim i kompanisë Malaysia Airlines u rrëzua në Ukrainën lindore më 17 korrik, 2014. Të 298 personat që ishin në bord, humbën jetën.

Një hetim ndërkombëtar arriti në përfundimin se avioni i pasagjerëve u rrëzua nga një raketë e hedhur nga territori i kontrolluar nga rebelët dhe se raketa kishte arritur atje nga Rusia. Por, Moska mohoi çdo përfshirje.

Marrëveshjet paqësore

Pas një disfate masive të trupave ukrainase në betejën e Ilovaiskut në gusht të 2014-ës, të dërguarit nga Kievi, rebelët dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nënshkruan një armëpushim në kryeqytetin bjellorus, Minsk, në shtator të atij viti.

Dokumenti parashikonte një armëpushim që do të vëzhgohej nga OSBE-ja, tërheqje të të gjithë luftëtarëve të huaj, shkëmbim të të burgosurve dhe pengjeve, amnisti për rebelët dhe premtimin se rajonet separatiste mund të kenë një shkallë të vetëqeverisjes.

Ukraina kërkon nga OKB-ja të diskutojë për rezolutën ruse lidhur me Donbasin. Marrëveshja kolapsoi shpejt dhe luftimet në shkallë të gjerë rifilluan, duke çuar në një tjetër humbje të madhe për forcat ukrainase në zonën Debaltseve, në periudhën janar-shkurt të vitit 2015.

Franca dhe Gjermania ndërmjetësuan një tjetër marrëveshje paqeje, e cila u nënshkrua në Minsk, në shkurt të 2015-ës, nga përfaqësues të Ukrainës, Rusisë dhe rebelëve.

Marrëveshja parashihte një armëpushim të ri, tërheqje të armëve të rënda dhe një sërë lëvizjesh drejt një zgjidhjeje politike. Një deklaratë, në mbështetje të marrëveshjes, u nënshkrua nga krerët e Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë.

Konflikti i ngrirë

Marrëveshja e paqes e vitit 2015 detyroi Ukrainën t’iu jepte status të veçantë rajoneve separatiste, duke i lejuar ato të krijojnë forcën e tyre policore dhe të kenë një rol në emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve vendas. Marrëveshja parashihte që Ukraina mund të rimerrte kontrollin mbi kufirin afërsisht 200 kilometra me Rusinë në rajonet e kontrolluara nga rebelët, pasi t'i mbante zgjedhjet lokale - të monitoruara nga OSBE-ja.

Shumë ukrainas e shohin marrëveshjen – zbatimi i së cilës ka ngecur - si një tradhti të interesave kombëtare.

Dokumenti i Minskut ndihmoi në përfundimin e luftimeve në shkallë të plotë, por situata ka mbetur e tensionuar. Me ngecjen e marrëveshjes së Minskut, shpresa e Moskës për të përdorur rajonet rebele për të ndikuar drejtpërdrejt në politikën e Ukrainës, ka dështuar, por konflikti i ngrirë ka zbrazur burimet e Kievit dhe ka penguar përpjekjet e tij për t'u bashkuar me NATO-n.

Moska gjithashtu ka punuar për të siguruar kontrollin e saj mbi rajonet separatiste, duke shpërndarë më shumë se 720,000 pasaporta ruse. Ajo ka ofruar ndihmë ekonomike dhe financiare për territoret separatiste, por ndihma ka qenë e pamjaftueshme për t'i sanuar dëmet masive nga luftimet. Para se të niste konflikti, rajoni i Donbasit përbënte rreth 16% të bruto-prodhimit të brendshëm të Ukrainës.

Përpjekjet për të ringjallur marrëveshjet e paqes

Mes tensioneve në rritje, pas grumbullimit të trupave ruse pranë kufijve me Ukrainën, Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë përpjekje të reja për të inkurajuar pajtueshmërinë me marrëveshjen e paqes të vitit 2015, me shpresën se kjo mund të ndihmojë në zbutjen e krizës aktuale. Duke u përballur me thirrjet nga Berlini dhe Parisi për zbatimin e saj, zyrtarët ukrainas kanë forcuar kritikat ndaj marrëveshjes së Minskut dhe kanë paralajmëruar se ajo mund të çojë në shkatërrimin e vendit. Dy raunde bisedimesh në Paris dhe Berlin midis të dërguarve presidencialë nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Përshkallëzimi i armiqësive

Të enjten, forcat qeveritare të Ukrainës dhe rebelët akuzuan njëri-tjetrin për bombardime intensive përgjatë vijës së kontaktit në Donbas. Separatistët pretenduan se Ukraina bëri një “provokim në shkallë të gjerë” dhe thanë se ata iu përgjigjën zjarrit. Ukraina mohoi se ka hapur zjarr dhe tha se separatistët po bombardonin zonat e kontrolluara nga qeveria me artileri të rëndë dhe mortaja. Komanda ushtarake ukrainase akuzoi se disa predha goditën një kopsht fëmijësh në Stanytsia Luhanska, duke plagosur dy civilë dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në gjysmën e këtij qyteti. Misioni vëzhgues i OSBE-së pritet të bëjë vlerësimin për situatën./REL

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini