Burime të besueshme nga Ministria e Jashtme Italiane konfirmuan këtë lajm për gazetën “Shqiptarja.com”, duke sqaruar se pritet që zoti Sequi të emërohet në këtë detyrë të rëndësishme në fund të muajit prill, pas një periudhe, gjatë së cilës do t’i duhet të bëjë dorëzimet e të largohet edhe nga detyra si përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Europian në Tiranë.
Me ardhjen e kryeministrit të ri italian Matteo Renzi, pati një riformatim të gjithë kabinetit qeverisës, si pasojë e të cilit 42-vjeçarja Federica Mogherini është zgjedhur të drejtojë një nga dikasteret më të rëndësishme qeveritare.
Burimet saktësojnë se ftesa në drejtim të Ettore Sequi ka ardhur prej disa kohësh, por, në respekt edhe të shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian, ambasadori vendosi të qëndrojë dhe pak kohë në Tiranë.
Ky është një lajm pozitiv dhe vlerësim jo vetëm për ambasadorin Sequi, por edhe një garanci për vendin, pasi do të thotë se Shqipëria dhe integrimi i saj në Bashkimin Europian do të jenë shumë përpara në axhendën e diplomacisë italiane, vend që ka mbështetur fuqishëm procesin e anëtarësimit në BE.
(Në foto: Ambasadori Ettore Sequi(majtas) me Ministren Italiane Federica Mogherini(djathtas) )
Kush është Ettore Sequi?
Ettore Sequi ka lindur në 13 shkurt 1956 në Oristano të Sardenjës në Itali. Ka kryer studimet e larta në universitetin e Cagliarit në degën “Shkenca Politike”, i specializuar në Islamologji dhe negociata shumëpalëshe. Bashkohet me Shërbimin e Jashtëm italian në 1 shkurt 1985, pas përfundimit të një trajnimi intensiv në Institutin Italian të Diplomacisë. Ka punuar në Departamentin e Çështjeve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme deri në vitin 1989. Nga ky vit, emërohet konsull italian në kryeqytetin e Iranit, Teheran. Më pas, nga shkurti i vitit 1994 deri në 1998 ka mbajtur postin e këshilltarit në misionin e përhershëm të Italisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ka qenë asistent i kryetarit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, njëkohësisht dhe asistent i presidentit të ECOSOC (Këshilli Ekonomik dhe Social i OKB).
Prej shkurtit të vitit 1998 deri në qershor 2000 ka kryer detyrën e këshilltarit në kabinetit e ministrit të Jashtëm Lamberto Dini, periudhë, gjatë së cilës ka përfunduar kursin prestigjoz në Institutin Italian të Diplomacisë. Nga viti 2000 deri në 2004 ka mbajtur postin e zëvendësshefit të misionit diplomatik italian në Tiranë. Më 2004 emërohet ambasador i Italisë në Afganistan. Më 2008 merr detyrën e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian në Afganistan, ndërsa më 2009 është përfaqësues i lartë i BE-së për të dy vendet, Afganistanin dhe Pakistanin.
Prej janarit 2011 e në vazhdim mban postin e ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Gjatë ushtrimit të funksioneve të tij në diplomaci, është nderuar me tituj të rëndësishëm, si medalja e Ghazi Mir Bacha Khan, për kontributin e lartë për paqen dhe sigurinë në Afganistan, apo tituj të dhënë nga presidenti i Italisë dhe nga mbreti i Spanjës Huan Karlos.
Sequi dhe Shqipëria, 3 vite kompromise
Që nga ardhja e tij më 2011 për herë të dytë si përfaqësues diplomatik, u dallua qartë se Ettore Sequi ishte një ambasador krejt ndryshe nga ajo që media dhe opinioni publik ishin mësuar të shikonin. Një ambasador tejet aktiv dhe i kudondodhur, veçanërisht në negociata mes partive politike, për zgjidhjen e ngërçeve të shumta që politika shqiptare ka prodhuar gjatë tre viteve të fundit. Falë edhe eksperiencës në Afganistan, Sequi ka meritën për zgjidhjen e disa situatave që dukeshin “pa shpresë”. Të tilla, Shqipëria ka përjetuar shumë, por më domethënëset janë kompromiset që lidhen me reformat e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Kodi i ri Zgjedhor ishte një sukseset e arritura në minutën e fundit më 19 korrik të 2012, kur palët gjetën pikën e përbashkët falë negocimit personal të zotit Sequi.
Arritje e madhe në axhendën integruese ishte dhe miratimi i tre ligjeve, kusht edhe nga progress-raporti i vitit 2012: ligji për Nëpunësin Civil, për Gjykatën e Lartë dhe Reforma Parlamentare. Ashtu si dhe në reformën elektorale, gjithshka u zgjidh pas negociatave intensive dhe emëruesi i përbashkët, kudo ku ishte fjala integrim ishte ambasadori i BE-së.
Një tjetër sukses që lidhet me emrin e zotit Sequi ishte rekomandimi më i fundit i Komisionit Europian në progres-raportin e 2013-ës, ku për Shqipërinë rekomandohej dhënia e statusit kandidat pa asnjë kusht.
Veçanti, për të cilën ka një meritë personale ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, zoti Sequi, është edhe krijimi i treshes së ambasadorëve më të rëndësishëm (trojka e ambasadorëve - BE, SHBA dhe OSBE), duke bërë më efikase takimet dhe arritjen e kompromiseve. Në tre vite, Shqipëria ka ndryshuar shumë, por axhenda europiane mbetet objektivi madhor, objektiv, për të cilin Ettore Sequi ka dhënë shumë…!
Shkrimi u publikua sot (23.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)