TIRANË - Gjatë vitit të ardhshëm pritet të dali në qarkullim fjalori i gjuhës shqipe, që pritet të jetë 3-fishi i fjalorit të botuar në vitin 1980. Pak ditë më parë me rastin e ditës së alfabetit u mbajt dhe një Kuvend kombëtar me studiues dhe profesor ku u prezantuar draft i këtij fjalori.
Më shumë u diskutua në ‘Sot Live në Shqipëri’, Report Tv me studiuesen Teuta Toska dhe gazetaren Blerina Goce. Kjo e fundit thotë për Nertil Agalliun se fjalori i drejtohet të gjithë njerëzve të çdo formimi dhe shtrese apo krahine.
'Ky fjalor i drejtohet të gjithëve. Edhe ministria e Arsimit është parë. Nga numri i kufizuar u përzgjodhën ata persona që kishin lidhje direkte dhe specialistë të fushës.'
Toska, e cila është dhe një prej hartueseve të këtij fjalori, thekson se tashmë ky fjalor ka hyrë në fazën e rishikimit.
'Ka qenë një Kuvend, ka pasur prani të gjerë të profesoriatit, mësues të gjuhës shqipe. Prania e domosdoshme ishte. Fjalori tani hyn në fazën e rishikimit. Do e shohin profesoriati, mësues, do bëjnë vërejtje derisa të hapet për publiku.'
Ndërsa Goce shton se drafti është online, por vetëm për përdorim të brendshëm.
'Drafti është online por vetëm për përdorim të brendshëm.'
Toska vuri në dukje se si ndikohet shqipja nga fjalët e huaja, e në shumë raste fjala shqip nuk ka kuptimin dhe përdorimin që duhet në komunikimin e përditshëm.
'Jemi në periudhë globalizimi dhe rreziku e ndjejnë edhe gjuhë të tjera si gjermanishtja, italishtja, rreziku që vjen nga anglishtja. Gjuhë e komunikimiet publik, kulturor. Shqipja duhet të jetë gati të ec me ritmin e teknologjizimit, një gjuhë e një populli të vogël. Kam shkruar për start up, nismë. Shqipja nuk mund të izolohet dhe të përdor nismën. Nisma apo start up? Edhe ne studiuesit jemi përpjekur të krijojmë një ekuilibër dhe ta pasurojmë fondin e shqipes.'
Drafti ka dhe një zë të veçantë të fjalëve të huaja.
'Ajo që është rrezik është edhe pasuri. Mesa di tek drafti i është dhënë zë i veçantë fjalëve të huaja', thotë Goce.
Toska: Ashtu siç është shoqëria është edhe gjuha.
Goce: Media thjesht pasqyron atë që ndodh. Shpesh akuzohet se po e ndot dhe fut fjalë të huaja. Thjesht pasqyron atë që ndodh dhe merr guximin për ta thënë me zë të madh.
Në fjalor kanë hyrë dhe fjalë të krijuara nga shkrimtarë si Ismail Kadare, Martin Camaj apo Sabri Hamiti.
'Bëhet fjalë për neologjizma të këtyre shkrimtarëve, jo vetëm, fjalë por edhe shembuj të këtyre studiuesve. Duke përdorur shembullin e Camajt, Kadares apo Hamitajt, kur flasim për këta flasim dhe për fjalët që kanë përdorur. Fjalori është pasururar me fjalë nga dialektet. Nga dialekti na vjen jo vetëm fjalë, por edhe prapashtesa. Është pasuruar dhe me fjalë nga arbërishtja. Por edhe çamët kanë lënë pasuri të fjalëve', shprehet Toska.