“Kemi ardhur nga Kosova. Vullnetarisht. Askush nuk na organizoi”, thotë për Radion Evropa e Lirë një nga të mbledhurit në Parkun e Pionierit në Beograd, ku është ngritur një kamp i studentëve, që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.
Në shtatë ditët e fundit, Parku i Pionierit, i cili gjendet pranë institucioneve më të rëndësishme shtetërore të Serbisë, është bërë vend i protestave të studentëve, të cilët kërkojnë t’iu mundësohet ndjekja e ligjëratave në universitete.
Në këtë lokacion, aktualisht, gjenden edhe pjesëtarë të Njësisë së shpërbërë të Operacioneve Speciale (JSO), komandantët e së cilës janë dënuar për krime lufte dhe likuidime politike; zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, si dhe një grup më i madh njerëzish nga Kosova.
Për disa nga ta, mbështetja e kërkesave të “studentëve që duan të mësojnë”, nuk është motivi parësor për të qenë aty.
“Ne kemi ardhur për të mbështetur presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili është gjithmonë me ne”, thotë për Radion Evropa e Lirë një qytetar që prezantohet si Tihomiri nga Kosova.
I pyetur se sa kohë planifikojnë të qëndrojnë në Parkun e Pionierit, ai përgjigjet shkurtimisht: “Aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Pse protestojnë studentët?
Studentë, të mbështetur edhe nga qytetarë të tjerë, protestojnë anembanë Serbisë që prej incidentit në Novi Sad, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona vdiqën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit.
Ata kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për tragjedinë.
Prej muajsh, janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në Serbi, e shpesh bllokojnë edhe ura e kryqëzime rrugësh.
Duke u bazuar në pamje dhe me ndihmën e mjeteve online për krahasimin e fytyrave, Radio Evropa e Lirë identifikoi mes turmës Sasha Millosheviqin, kryetar i Komunës së Novobërdës në Kosovë dhe njëkohësisht kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Gjilanit - i cili funksionon në kuadër të sistemit serb - si dhe Sasha Sekulliqin, nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Prishtinës./REL
Komente








