Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviçi, Zveçani dhe Zubin Potoku – votuan të enjten për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke argumentuar se synojnë të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe. Vendimi u mor pas rikthimit në pushtet të Listës Serbe në këto komuna, pas fitores në zgjedhjet lokale të tetorit. Në Mitrovicë të Veriut Nemanja Bisevac u zgjodh kryetar i kuvendit komunal , në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, tha se anëtarësimi në Asociacionin e Komunave të Kosovës nuk ka pasur kurrë mbështetjen e popullsisë serbe lokale dhe e cilësoi atë si një “vendim politik”.
Katër komunat u drejtuan nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pas dorëheqjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor 2022, në kuadër të bojkotit të institucioneve të Kosovës. Gjatë asaj periudhe, komunat iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës, i cili funksionon si organizatë joqeveritare për shkëmbimin e përvojave dhe mbrojtjen e interesave të anëtarëve.
Lista Serbe e kishte kundërshtuar anëtarësimin, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe jo në interes të qytetarëve. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi atëherë duke theksuar se komunat me shumicë serbe duhet të jenë pjesë e një asociacioni të veçantë, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia janë pajtuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa për themelimin e këtij asociacioni, pavarësisht trysnisë nga bashkësia ndërkombëtare.
Gjatë drejtimit nga kryetarët shqiptarë, komunat në veri morën në administrim objekte ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i konsideronin të jashtëligjshme dhe paralajmëruan shembjen e ndërtimeve pa leje. Lista Serbe ka njoftuar se do të kërkojë rishikimin e këtyre vendimeve.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, vendimet komunale që nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet mund t’i nënshtrohen rishqyrtimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose nga institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës.
Komente








