SERBI - Për herë të parë pakicat kombëtare në Serbi, mes tyre 35 mijë shqiptarë zgjedhin sot përfaqësuesit e tyre, përkatësisht 17. Në garën zgjedhore marrin pjesë gjithësej 82 lista zgjedhore, ndërsa mësohet se shqiptarët do të kenë 5 prej tyre.

Qendrat e votimit janë hapur që në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 20:00 dhe do të jenë të mbikqyrura nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë. Sipas këtij komisioni, pjesa më e madhe e votuesve të sotëm janë hungarezë, boshnjakë dhe romë të cilët ndiqen nga shqiptarë, sllovakë, rumunë dhe bullgarë.

Komunitetet Kombëtare në Serbi në vitin 2003, pas miratimit të ligjit për pakicat kombëtare dhe të drejtat e tyre, filluan të formojnë këshillat kombëtarë që përfaqësojnë organet përfaqësuese të komuniteteve pakicë në fushat e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, arsimit, kulturës dhe informimit.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)