Pas hapjes të hënën të punimeve të sesionit të ri kuvendor, ka nisur puna në komisionet e përhershme, ku sot u mblodh vetëm komisioni i Ligjeve.

Axhenda e tij parashikonte ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palës shqiptare dhe BE-së, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programin për arsimin dhe rininë 'ERASMUS+'. Po ashtu komisioni kishte në rend dite dhe diskutimin e p/ligjit "Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë".

Ky komision i rëndësishëm ka në axhendën e tij të punës dhe diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin "Për nëpunësin civil", p/ligjin "Për të drejtën e informimit", disa ndryshime në ligjin "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe ato në ligjin ""Për Avokatin e Popullit", etj.

Komisioni i Ekonomisë e nis punën me diskutimin e ligjit "Për prokurimin publik", ndërsa ka në kalendar dhe diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare".

Janë disa pr/ligje në fushën e shëndetësisë në pritje për t'u shqyrtuar nga komisioni përgjegjës i Çështjeve Sociale. Të tilla janë p/ligji "Për urdhrin e Mjekëve"; ai "Për urdhrin e Stomatologut", disa ndryshime në ligjin "Për urdhrin e Infermierit"; si dhe ndryshimet në ligjin "Për sigurinë dhe shëndetin në punë".

Axhendë të ngjeshur në këtë fillim sesioni ka dhe komisioni i Veprimtarisë Prodhuese. Ndër draftet ligjore të sjellë nga qeveria, që pritet të merren në shqyrtim janë ndryshimet në ligjin "Për sektorin minerar", ai "Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës", p/ligji "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis", etj./ATSH/