Erling Haaland ka vendosur të ndryshojë pamje në prag të sezonit të ri. Sulmuesi i Manchester City-t ka hequr dorë nga flokët e gjatë biondë, një prej tipareve që e kanë shoqëruar prej vitesh, duke u shfaqur me një prerje shumë të shkurtër.

Vetë futbollisti publikoi fotot në Instagram, ku shkroi “Short hair don't care”, ndërsa në një tjetër postim e përshkroi ndryshimin me fjalët: “Sezon i ri, prerje e re”.

Pamja e re tërhoqi menjëherë vëmendjen në rrjetet sociale, ku tifozët reaguan me komente, krahasime dhe meme.

Vetëm pak javë më parë, Haaland kishte treguar se Zlatan Ibrahimović e kishte këshilluar me shaka të mos i priste flokët, duke i thënë se “fuqia është te flokët”.

Megjithatë, norvegjezi vendosi të bëjë të kundërtën dhe ta nisë sezonin e ri me një transformim që nuk kaloi pa u vënë re. Ndryshimi vjen vetëm pak orë para ndeshjes së parë të Manchester City-t në sezonin e ri të Premier League.