Fitorja dramatike në fundjavë kundër Newcastle i dha mundësinë Liverpool të rimerte kryesimin e “Premier League” dhe të të vendoste një rekord personal në kampionat. Edhe pse në fund nuk dihet se si do të përfundojë lufta për titull, ‘the reds’ të paktën do të krenohen me thyrjen e rekordit të rivalit të betuar Manchester United.
Kur duhet edhe 1 javë për t’u mbyllur kampionati Liverpool është në kuotën e 94 pikëve, 3 më shumë se rekordi United në sezonin 1999-2000. Aktualisht me 94 pikë Liverpool mban rekordin e tretë në rang “Premier League”, ndërsa më 1 pikë më shumë është Chelsea i vendit të dytë dhe rekordi absolut i takon Manchester City me 100 pikë në sezonin 2017-2018.
Ndryshimi thelbësor mes United dhe Liverpool për momentin është se ‘djajtë’ në sezonin 1999-2000 u shpallën kampion të “Premier League”, ndërsa “the reds” këtë sezon pavarësisht se udhëheq kampionatin kanë një ndeshje më shumë se Manchester City. Skuadra e Guardiolës sfidën e javës së 37 do ta luajë sonte në mbrëmje në “Etihad” kundër Leicester.
Që Liverpool të shpallet kampion dhe t’i japë fund thatësirës 29-vjeçare pa titull duhet që City sonte ose fundjavën e ardhshme të gabojë kundër Brighto-n. Gjithsesi për momentin pavarësisht thyerjes së rekordit të United, Liverpool rrezikon ta mbyllë sezonin pa trofe pasi edhe në “Champions League” është mposhtur 3-0 në gjysmëfinalen e parë kundër Barcelonës.