Sezoni turistik, fluks turistësh të huaj në Amfiteatrin e Durrësit

Sezoni turistik, fluks turistësh të huaj në Amfiteatrin e Durrësit

Amfiteatri i Durrësit

Amfiteatri i Durrësit, i ndërtuar në fund të shek 1-rë pas Krishtit dhe i zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj. Amfiteatri i lashtë, i ndodhur në qendër të qytetit dhe 350 metra larg detit në drejtimin jugor, është vizituar gjatë periudhës janar-qershor nga 6181 turistë.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se në këta 6 muaj të parë të vitit është vizituar nga 2819 turistë të huaj dhe nga 1042 vendas. Sipas DRKK-së, vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si SHBA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.

DRKK bën të ditur se falë bashkëpunimit me agjencitë turistike në Shqipëri dhe jashtë saj, është bërë i mundur koordinimi për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit. Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.

Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë. Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra.

Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive. Në fund të viteve ’90 forcat e KFOR-it punuan për hapjen e arenës nga dherat. Arkeologët italianë të Universitetit “La Sapienza” të Romës dhe të Universitetit të Chieti – Pescarës, me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne kanë konstatuar se në arenë ka ndërtime ende të pazbuluara.

Nga të dhënat e deritanishme mendohet se amfiteatri mirëpriste mbi 15 mijë spektatorë njëherësh. Amfiteatri i Durrësit ka përmasa mesatare mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion. Dhjetëra artikuj shkencorë janë shkruar për amfiteatrin e qytetit me kulturë 3000-vjeçare. “Amfiteatri i Durrësit dhe raportet urbanistike me qytetin bashkëkohës” titullohet libri i doc. Koço Miho, kushtuar kësaj vepre madhore të arkitekturës, ndërsa në veprën studimore “Dyrrachium” të arkeologëve italianë dhe shqiptarë vëllimi i parë i kushtohet amfiteatrit antik.

Në shtator të vitit 2004 amfiteatri u shfrytëzua për herë të parë pas 1500 vjetësh. Nën kujdesin e Bashkisë së Durrësit në arenën e këtij monumenti të lashtë 43 vajza nga e gjithë bota morën pjesë në konkursin e bukurisë “Miss Globe International 2004”. Vitet e fundit në mjediset e tij është organizuar Festivali ndërkombëtar i filmit, i njohur nga çmimet “Gladiatori i artë”, si dhe një sërë koncertesh vokalo-instrumentale. Para dy vjetësh mjediset e amfiteatrit janë ndriçuar, duke i dhënë një pamje të hijshme galerive dhe shkallareve./ata

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë