TIRANE-Drejtoria e Tatimeve njofton se janë marrë masa për 397 subjekte, të cilat nga kontrolli kanë rezultuar me shkelje për; mos lëshim të kuponit tatimor, mallra pa faturë, punonjës të padeklaruar, etj. Bizneset e bllokuara dhe të gjobitura janë në zonat turistike të qarkut Durrës dhe Korçë, përkatësisht nga Gjiri i Lalzit në Spille dhe nga Pogradeci, në Dardhë e Voskopojë.
Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror, po ushtron kontrolle të detajuara ndaj subjekteve, që kanë veprimtari ekonomike në zonat turistike të qarkut Durrës dhe Korçë, përkatësisht nga Gjiri i Lalzit në Spille dhe nga Pogradeci, në Dardhë e Voskopojë.
Duke filluar nga data 22 qershor, strukturat e specializuara hetimore të kësaj drejtorie kanë verifikuar në total 680 subjekte. Nga këto, për 397 subjekte janë marrë masa me një vlerë prej rreth 12.6 milionë lekësh.
Më konkretisht: “për moslëshim kuponi hera parë” janë konstatuar 101 shkelje; për “moslëshim kuponi hera dytë”, janë konstatuar 5 shkelje, për të cilët është marrë edhe masa e bllokimit 30 ditë; për “punonjës të padeklaruar” janë konstatuar 59 shkelje;
për “mall pa faturë tatimore” (rivlerësim dhe ndryshim përgjegjësie) janë konstatuar 87 shkelje, ndërsa 33 subjekte kanë rezultuar të paregjistruara në organet tatimore.
Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror, ju bën thirrje tatimpaguesve, të ushtrojnë aktivitet ekonomik konform ligjit, për të siguruar më tej mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë së Tatimeve