TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit po përgatit raundin e 21-të i cili do zhvillohet në fundjavë. Nesër (e shtunë) në orën 13:30 në "Selman Stërmasi" luhet një duel direkt për mbijetesën, me KF Tiranën që pret Flamurtarin.
Sfida është një përballje direkte mes dy skuadrave që kërkojnë mbijetesën, pasi këtë sezon si bardheblutë ashtu edhe vlonjatët janë në kushte shumë të vështira sportive.
Përpara ndeshjes, trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu tha para medieve se është i kënaqur me afrimet e merkatos së janarit, duke bërë edhe një apel për të tijtë, se gabimet nuk lejohen në këtë sfidë direkte.
“Rivalët? Çdo ndeshje për ne është finale, skuadra është e përkushtuar, është mobiluzuar për të qenë tek më e mira e tyre. Kundërshtarët kanë kualitet, i kanë idetë e qarta dhe mënyrën se si luajnë ata, jam munduar ta analizoj kundërshtarin, detajet bëjnë diferencën, skuadrën e pres të bashkuar, më japin besim tre ndeshjet e këtij viti që po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje.
Barazimi në Vorë? Një pjesë e dytë ishte e mirë kundër Vorës, ta vazhdojmë me të njëjtin intensitet, përgatisim gjatë javës si do të jemi në aspektin taktik, pres ta shfaqim nesër te ndeshja. Unë i besoj skuadrës dhe përmirësimit që po e marr nga grupi, duke grumbulluuar pikë, dua vazhdimësi, nuk kemi të drejtë të gabojmë, nëse s'mund ta fitosh të paktën mos ta humbësh, dua të marrim maksimumin nesër.
Merkato? Anton (mbrojtësi Kresic) është futbollisti ynë, do të jetë me skuadrën, por do të shohim si do të jetë gjendja e tij fizike. Fokusi do të jetë te futbollistët që kam. Kanë ardhur futbollistë me potencë dhe po e shfaqin në fushë, jam i kënaqur me atë që kanë dhënë në kohë të shkurtër, kanë krijuar shumë raste në kaq pak kohë. Po shoh një rrjedhshmëri loje dhe më bën të besoj te objektivat dhe synimet tona. Përveç që kemi shënuar kemi pasur mundësi të mbyllim takimin, i kemi krijuar rastet, por skuadra futet në presion kur nuk i shënon. Po punojmë me skuadrën që nëse arrijmë të shënojmë, të mbrohemi dhe mos pësojmë gola.
Grupimi 'Tirona Fanatics' bën 20 vjeç? E shfrytëzoj mundësinë për të uruar “Fanatics” për themelimin e tyre, një tifozeri me traditë dhe kulturë sportive, me shumë pasion. Suksesi i skuadrës tonë pa ta është e zbehtë, ata kanë qenë pranë skuadrës e kanë ndihmuar, kemi nevojë për ta, iu bëj thirrje të vijnë të mbështesin lojtarët, shoh dëshirë te lojtarët për ta nxjerrë Tiranën nga ky pozicion ku ndodhet”, tha për mediet Nuhiu.
Me 14 pikë pas 20 ndeshjeve, Tirana mban vendin e fundit në renditje (dhjetë), ndërsa Flamurtari me 18 pikë ndodhet në pozitën e tetë.
Komente








