TIRANË, 12 Shtator/ATSH/-"Të Drejtat dhe Liritë Themelore-Pjesëmarrja, Besimi dhe Debati Publik, Kushte për Demokracinë"; "Demokracia, Sovraniteti dhe Siguria në Evropë"; "Maxhoranca Dhe Opozita - Gjetja e Ekuilibrit në Demokraci", ishin këto temat e diskutuara nga Kryetarë dhe nënkryetarë të parlamenteve të afro 60 shteteve, gjatë punimeve dy-ditore të Konferencës Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve organizuar në Oslo, më 11-12 shtator 2014.
Në këtë konfrencë, ku u diskutua mbi tri tema që përbejnë sfida me të cilat po përballet demokracia evropiane, merrnin pjesë Nënkryetari i Kuvendit , Vangjel Dule dhe Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Valentina Leskaj.
Nënkryetari i Kuvendit,  Dule diskutoi mbi temën "Të Drejtat dhe Liritë Themelore - Pjesëmarrja, Besimi dhe Debati Publik, Kushte për Demokracinë" dhe theksoi se Shqipëria, një prej vendeve i cili ka vuajtur nën një prej sistemeve totalitare më të egra në botë, gjatë dy dekadave të fundit ka kuptuar se në demokraci, si një sistem që garanton të drejtat themelore të individit, pjesëmarrja, besimi dhe debati politik janë të domosdoshme për të gjetur zgjidhjet e drejta dhe efikase për problemet e përbashkëta.
Konferenca Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve, u organizua nga Parlamenti norvegjez në kuadër të festimit të 200 vjetorit të Kushtetutës së Norvegjisë./a.gegvataj/