Sfidat e procesit të zbatimit të rekomandimeve nga institucionet e pavarura, Balla: Zbatueshmëria është në rritje, të adresojmë problemet!

Sfidat e procesit të zbatimit të rekomandimeve nga institucionet e pavarura, Balla: Zbatueshmëria është në rritje, të adresojmë problemet!

Taulant Balla në takimin e sotëm me institucionet e pavarura

Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si ndërlidhëse e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë dhe Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe të krijuara me ligj, organizoi sot (4 Dhjetor) një takim për vlerësimin e ecurisë së këtij procesi. 

Ky event u drejtua nga vetë ministri i MSHMP, Taulant Balla

Në takimin me titullarë të Institucioneve të Pavarura, ishin përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, koordinatorë dhe përfaqësues të Ministrive si dhe drejtuesin e Projektit PACEP, teksa u diskutuan problematikat që kanë dalë në procesin e monitorimit dhe zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura, “përmirësimin e tyre në kohë dhe cilësi si dhe konceptimi i një metodologjie të standardizuar të vlerësimit të kësaj ecurie”.

“Ajo që mund të evidentoj me bindje në këto katër vite të raportimit vjetor të MSHMP-së është se shkalla e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga institucionet publike ka qenë në rritje”, tha në fjalën hapëse ministri Balla. 

Pavarësisht kësaj, sipas ministrit, ndër vite janë evidentuar edhe një sërë problematikash ku institucionet publike (ministritë) kanë një fushë veprimi të përcaktuar, ndërsa numri i rekomandimeve dhe natyra e tyre është e larmishme dhe zbatimi kërkon përfshirjen e disa institucioneve. 

“Marr shkas nga të dhënat e ofruara nga Institucioni i Avokatit të Popullit mbi shkallën e zbatueshmërisë së tyre nga institucionet publike, të cilat nëse i referohem raporteve të koordinatorëve kjo shkallë zbatueshmërie është e ndryshme. Kjo mospërputhje vjen për shumë arsye, ndër të cilat pa dyshim ka ndikuar mungesa e një koordinimi efikas mes institucioneve tona sa i përket zbatimit të rekomandimeve me impakt ndërsektorial/ multidisiplinor, por edhe mungesa e një metodologjie të standardizuar dhe mirëpërcaktuar të monitorimit të raportimit, me objektiva e afate të matshme, për vlerësimin e ecurisë së zbatimit të rekomandimeve”, theksoi ministri.

Balla vlerëson se zbatimi i një rekomandimi të adresuar ndaj një institucioni mund të kërkojë angazhim të disa strukturave në të njëjtën kohë, ose masa legjislative, ose burime njerëzore dhe financiare ose te gjitha se bashku. 

“Nevoja të tilla duhen njohur, vlerësuar, adresuar dhe masat për zgjidhjen e tyre duhen monitoruar. Kjo bëhet vetëm me anë të një bashkërendimi efektiv ndërmjet institucioneve”, deklaroi ministri.

Këto janë vetëm disa nga aspektet e evidentuara gjatë hartimit të raportit vjetor dhe krahasimit me të dhënat e institucioneve të pavarura të cilat meritojnë vëmendje dhe një analizë të mëtejshme sipas tij. 

Mekanizmi i përbashkët për monitorimin sistematik të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj është krijuar me Vendimin nr.49/2017 të Kuvendit të Shqipërisë.

Theksohet se qëllimi i tij është bashkëpunimi ndërinstitucional mes Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë dhe Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe të krijuara me ligj, për t’i dhënë zgjidhje problematikave të hasura në zbatimin e rekomandimeve të këtyre institucioneve, rritjen e llogaridhënies të organeve të ekzekutivit dhe administratës publike si dhe forcimin e kontrollit parlamentar të Kuvendit në këtë proces. 

A.Q/S.Ç/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shqipëri-BE marrëveshje bashkëpunimi në fushat e sigurisë e mbrojtjes, Rama: Lidhje e pandashme! Hasani: Luftojmë kërcënimet hibride dhe kibernetike

Shqipëri-BE marrëveshje bashkëpunimi në fushat e sigurisë e mbrojtjes, Rama: Lidhje e pandashme! Hasani: Luftojmë kërcënimet hibride dhe kibernetike