Ditën që Presidenti i Republikës dekretoi datën e zgjedhjeve lokale u përcaktua edhe identiteti politik për vitin 2015, - një vit zgjedhor lokal, i cili sipas traditës shqiptare, shndërrohet në një vit zgjedhor politik. Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të jenë dominuese në debatin politik të 6-7 muajve të parë, dhe më pas ndikuese në aksionin politik postzgjedhor të vjeshtës. Rezultati i tyre nuk ofron ndonjësurprizë: ndarja e re territoriale dhe pozita aktuale e koalicioneve politike në mazhorancë dhe opozitë nuk lë vend për zhvillime të minutës së fundit.

Referuar shifrave e majta duket dominuese në 90% të njësive të reja vendore. Faktorët e vetëm që mund të dobësojnë shifrat duhen kërkuar në mundësitë e ndonjë skandali të rëndësishëm politik brenda qeverisë, në kufijtë e rivalitetit politik midis PS dhe LSI dhe në masën e reagimit qytetar ndaj masave anti-krizë që ka ndërmarrë dhe ka premtuar të vijojë të marrë më tej qeveria. Pra, asnjë nga faktorët potencialë nuk lidhet me shanset e opozitës për të avancuar dhe ndikuar në vendimmarrje, kryesisht për shkak të vonesës dhe dobësive të saj në formatimin e një alternative të re politike, të distancuar nga gabimet e të kaluarës.

Zgjedhjet vendore janë të lidhura dukshëm me ofertat mbi të cilat qytetarët do votojnë. Sistemi i ri vendor krijon 61 persona të pushtetshëm, më me shumë fuqi praktika, më me shumë ndikim, më me shumë hapësirë krijuese dhe abuzuese, - duke qenë njëherësh të vetmit të zgjedhur direkt nga qytetarët.

A do të ketë kritere cilësore në zgjedhjen e kandidatëve, a do lejohet çdo potencial cilësor e politik të konkurrojë, a do vijohet me praktikën e emërimit dhe diktimit nga lart, a do shoqërohet ndarja e re territoriale me decentralizim pushteti dhe të ardhurash, a do arrijë politika që përmes këtyre zgjedhjeve të bëjë katarsis cilësor, duke eliminuar kandidatët informalë të ardhur nga bota e zezë apo klanet oligarkike? Më shumë se dilemëështë një sfidë, një sprovë për liderit politikë të 2-3 partive të mëdha, nëse ata do zgjedhin interesin qytetar, publik apo ambiciet e tyre personale për pushtet/zgjerim pushteti.

Në prag të Krishtlindjeve palët politike nënshkruan marrëveshjen e radhës, një konsensus i brishtë dhe me objektiva të paqartë politikë, me afat 6 mujor dhe me pritshmëri të pakta për të ndryshuar axhendën politike të vitit 2015. Vetë marrëveshja ndikoi tek të gjitha palët politike: e bëri më të dobët pushtetin e mazhorancës së numrave në parlament, e dobësoi pozitën e LSI në raport me PS dhe e dobësoi pozitën kërcënuese për protesta të opozitës. Premtimet e mëdha të marrëveshjes, - sidomos çështja e de-inkriminimit politik dhe ajo e reformave të mëdha konsensuale, - nuk priten të kenë rezultate konkrete.

Ky parlament mund të ndryshojë vetëm në vitin 2017 dhe nëse ka deputetë (natyrisht që ka tek të gjitha palët politike kryesore) me probleme me ligjin shqiptar ose të huaj, fuqia e çdo rregulli kufizues do të aplikohet vetëm në zgjedhjet e radhës. Deri atëherë, parlamenti i emëruar nga 2-3 kryetarë partish, do vijojë të jetë dominues, i pandryshueshëm dhe burim debati mbi moralitetin dhe cilësinë e tij politike, qytetare e profesionale. Premtimi tjetër për reforma konsensuale më shumë bllokon nismat e shpallura të mazhorancës sesa pret të jetësohen reforma reale.

Projekti i qeverisë për reforma dhe projekti i opozitës për reforma thuajse nuk kanë pika takimi, përveççështjeve parimore të integrimit evropian. Nëçdo aspekt teknik, përfshirë ndërhyrjet në Kushtetutë, palët ndahen dhe kanë interes politik të mbeten të ndara. Ndaj konsensusi në kushtet e distancës së thellë në qëndrime dhe synime, - në fakt ruan status quo-n dhe zhvleftëson shansin e ndryshimeve politike e institucionale të shpejta.

Problemi i tretë mbetet kriza ekonomike dhe menaxhimi i saj. Qeveria në tërësinë e saj ka qenë e njëanshme dhe selektive në masat ekstreme ndaj qytetarëve në emër të zbatimit të ligjit. Kur qytetari shkel ligjin ai dënohet, kur qeveria ose operatorët nën varësinë e saj shkelin ligjin askush nuk mban përgjegjësi. Qeveria u tregua e aftë të mbledhë borxhet minore të qytetarëve ndaj entit energjetik, por ajo ende ka dështuar të detyrojë kompanitë e mëdha, përfshirë ato publike, të paguajnë borxhet në shifra marramendëse.

E njëjta praktikë u ndoq edhe me ndërtimet pa leje. Qeveria tregoi vullnet nëpastrimin e shesheve publike nga ndërtimet abuzuese, por aksioni preku pak, ose aspak oligarkët ekonomikë, të cilët kanë qenë zonat më të gjelbra, më pranë bregdetit dhe më turistike në vend. Qeveria mbylli me të drejtë një numër entesh private arsimore për shkak të cilësisë së tyre, por u tregua e pavendosur të aplikojë standard të njëjtë vlerësimi për të gjithë dhe në çdo nivel të sistemit, përfshirëedhe në sistemin abuziv shëndetësor, praktikat monopol në treg apo sjelljet dukshëm klienteliste në përfitimet nga buxheti i shtetit dhe donacionet e huaja për Shqipërinë.

Qeveria premtoi një administratë efektive dhe profesionale, por nuk arriti dot t’i rezistojë presionit të militantëve, sidomos të ndonjë partie aleate, për parcelizimin e pushtetit nëçdo nivel, përfshirë atë administrativ, duke bërë të njëjtin gabim si administrata e kaluar dhe duke i hequr shansin Shqipërisë të ketë më në fund një administratë efektive, të qëndrueshme dhe profesionale. Të njëjtat zhvillime, - vullnet pozitiv, premtime publike dhe rezultat të dyshimtë dhe me dy standarde u shënuan edhe në sektorë të tjerë, përfshirë reformën në sektorin e sigurisë, në entet publike, në organet menaxhuese të medias, dhe deri tek reforma e premtuar në trupin diplomatik.

A do të vijojë mazhoranca të funksionojë si trupë politike dhe ekzekutive 7 ditëshe, pra me reforma dhe aksione javore, pa strategji e projekte afatgjata? Shenjat e para 2015 tregojnë se po. Praktika e politikës – aksion mund të jetë eficente në aspektin javor, në media, në orientimin e debatit politik, por jetëshkurtër në aspektin afatgjatë. Ajo krijon hapësirë për abuzim dhe arrogancë, sidomos në një shoqëri ku secili njeh secilin dhe ku detajet më të vogla përfshirë sms e zyrtarëve bëhen publike. Premtimi për reformën e punësimit ligjor, duke i dhënë fund praktikës së “punës së zezë” është pozitiv dhe nevojë, por i pamjaftueshëm në kohë krize ekonomike.

Prioritet duhet të jetë hapja e vendeve të reja të punës, zgjerimi i investimeve, rishpërndarja e fondeve publike dhe ushqimi i shpresës së gjërat po ecin në drejtimin e duhur për të gjithë, - jo vetëm për ata që komandojnë nga zyrat e shtetit. Siç me të drejtë ambasadori amerikan Arvizu këshillonte, më shumë transparencë dhe më pak arrogancë do i bënte mirë tëgjithëve. Për më tepër, është detyrim moral, politik, ligjor dhe kushtetues.

Së fundi, por me rëndësi, 2015 do të duhet të jetëviti i heqjes së Shqipërisë nga lista e vendeve të korruptuara ku asnjë zyrtar i lartë nuk përballet me drejtësinë. Imuniteti konsensual politik ka vlerë lokale, por dëmton gjithçkaështë premtuar, përfshirë prestigjin e shtetit dhe besimin tek demokracia. Pas 25 vitesh qytetarët kanë nevojë të shohin se demokracia dhe standardet funksionojnë baras për të gjithë, ata që janë pushtet dhe ata që kanë pushtetin përballë.

Alternativa e burgut, me të cilën u mbyll 2014, nuk ka sens, efekt dhe as të ardhme nëse nuk shndërrohet në alternativë për drejtësi, në radhë të parë për ata që përbëjnë pakicën e paprekshme dhe konsensuale, zyrtarët që menaxhojnë taksat, votat dhe liritë tona. Qeveria pati premtuar se do distancohej nga çdo zyrtar i saj i përfshirë në shkelje ligji (gjë që nuk e ka bërë), opozita premtoi një ekip të ri cilësor dhe me vlera morale (gjë që nuk e bëri), dy palët premtuan transparencë dhe demokraci funksionale për qytetarët (gjë që nuk e kanë bërë). 2015 është guri i sprovës nëse shpresa për drejtësi do mbetet utopike dhe nëse sistemi abuziv do mbetet i njëjtë, duke ndryshuar vetëm emrat e individëve përbërës e drejtues të tij.

Zakonisht çdo fillimviti qytetarët shkëmbejnë mesazhe dhe urojnë për ditë më të mira, mbarësi dhe lumturi. Më shumë se urime janë shpresa. Shpresa u jep motiv njerëzve të besojnë, të festojnë, të mbijetojnë dhe të shohin drejt të ardhshmes.

Në Shqipëri institucioni i shpresës mbetet i brishtë, sidomos kur i adresohet atyre që e vranë shpresën përgjatë viteve, keqqeverisjeve dhe sjelljeve eksperimentale e arrogante me qytetarët, sovranitetin dhe institucionet përfaqësuese. 2015 vjen me pak shpresë, por me fatin e vendit që pothuajse ka prekur fundin, ka provuar më të keqen dhe kështu, që është “i dënuar” të presë dhe të marrë ditë më të mira sesa e djeshmja. Një ngushëllim që merr vlerë, sidomos në kohë krize.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)