Sfidon Bashën në garën për kreun e PD-së, Gjergji Hani prezanton platformën: Kush humb zgjedhjet ikën! Berisha e Basha kanë bërë pazare në kurriz të demokratëve

Gjergj Hani, kandidati i cili sfidon Lulzim Bashën në garën për kreun e Partisë Demokratike, zgjedhje të cilat do të mbahen më 29 korrik, në një konferencë për gazetarë prezantoi projektin e tij për drejtimin e së djathtës.

Pa staf pas vetes për të kuruar daljet mediatike, e pa e ditur ende se sa është numri i anëtarësisë që të votojë për kreun e ri të PD, rivali i Bashës, tha se ai fillimisht e ka mbështetur ish-kryedomokratit por më pas është zhgënjyer prej tij.

Gjatë fjalës së tij, Hani u ngrit nga tryeza duke lënë gazetarët në pritje për të marrë syzet. “Do më falni se mosha të bën të sajën, kam harruar syzet andej po shkoj t’i marr”, u shpreh ai.

‘Kam qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Bashës dhe prisja që rikthimi i tij në skenën politike, do e pranoja nëse do të vinte me premisa të qarta mbi atë që ndan PD-në nga Sali Berisha. Cilat ishin mënyrat që ai do të përdorte për rindërtimin e PD-së për ta shkëputur nga partia e pazareve të pushtetit apo nga partia e liderit. Isha i bindur që Basha do të kthehej me këto premisa. Kthimi i tij u ndërtua mbi bazë demagogjie populiste. E ndjeva si një sfidë personale me ata 104 mijë demokratë dhe mora përsipër që të sjell para shqiptarëve e demokratëve zërin e atyre që shkuan të votojnë duke e ditur fare mirë se do të humbisni. Unë jam një alternativë. Alternativa ndryshon sepse nuk është Gjergji por ideja që do të sjellë Gjergji për demokratët. Duhet një hapje e madhe e PD-së, jo në teori, por në praktikë. Të rifreskojmë burimet njerëzore përfshirë edhe prurje nga diaspora. Kryetari i partisë të krijojë qeverinë e tij në hije. Anëtarësia në PD të ulet nën moshën 16 vjeç. Berisha dhe Basha kanë bërë pazare në kurriz të demokratëve ’- tha Gjergj Hani.

Ish i burgosuri politik, mohon që në garën për kreun e PD të jetë futur për të legjitimuar rikthimin e Lulzim Bashës. Si për të bindur demokratët për këtë, Gjergji Hani thotë se njëjtë si Berisha, Basha është përgjegjës për pazaret politike në kurriz të demokratëve

‘PD që shoh unë duhet të jetë parti idesh dhe jo numrash. Nuk paskam të drejtë unë që të ndjej përgjegjësi për këtë forcë politike që gjithë jetën time e kam mbështetur. Unë e refuzoj këtë lloj politike! Nuk jam trim por nuk kam frikë pasi nuk jam i kapur nga askush. Të bësh krahasimin tim me Maqo Lakrorin më duket jashtë logjike. Gjergj Hani nuk ka përfituar dhe ska për të fituar asgjë, do të largohet nga kjo botë pa përfituar asgjë. Ka njerëz që mundohen ta mbushin jetën e tyre me vila gjigante ndonëse i duhet një krevat për të fjetur.’- tha Hani.

Me të në krye, PD nuk do të futej në një proces bashkimi. Hani flet vetëm për 104 mijë qytetarët që votuan PD-në më 14 maj. Por teksa Gjergji Hani ende nuk ka nisur as fushatën, ish kreu i PD duket të jetë një hap para tij. I qetë se ka mbështetjen e strukturave, kur kanë kaluar 4 ditë nga nisja e fushatës, Basha nuk ka bërë asnjë takim publik, duke u mjaftuar vetëm me postime në rrjetet sociale.

Fushata do të zgjasë nga 24 qershori deri më 27 korrik, siç vendosi mes debateve kryesia e PD-së në mbledhjen gati 10 orëshe. Fushata e dy kandidatëve do të shtrihet në dy rrafshe, debatet me praninë mediatike dhe takimet e mbyllura. Fushata, do të përfshijë të paktën 6 debate të 2 kandidatëve përballë njëri-tjetrit. Zgjedhjet për kreun e ri të PD-së do të mbahen më 29 korrik.

Projekti me tre shtyllat për PD, nga kandidati për kryetar, Gjergj Hani

3 shtylla

SHTYLLA I: HAPJA E PARTISË DHE TRANSFORMIMI I SAJ

1. Identifikimi i një mekanizmi statutor me emër specifik për hapjen e Partisë ndaj intelektualëve të spikatur (emri duhet gjetur që të godasë sa më mirë në opinionin publik), përfshi edhe prurje nga diaspora

Mekanizmi duhet të ndjekë synimet e mëposhtme:

a) Përthithjen e ideve të reja dhe realiste për programin zgjedhor të vitit 2025

b) Rritjen me cdo kusht të efektivitetit të grupit parlamentar për periudhën e mbetur të mandatit

c) Identifikimin dhe afrimin e figurave të spikatura intelektuale me Partinë (rifreskimi i burimeve njerëzore), përfshi edhe prurje nga diaspora

d) Afrimin e Partisë me shoqërinë civile dhe qytetarët

e) Forcimin e komunikimit publik të Partisë

Mekanizmi duhet të ndjekë parimet e mëposhtme:

- Të jetë i shpejtë, i përpiktë dhe i ndershëm

- Të jetë transparent

- Të sigurojë balancën e duhur midis kontributeve që japin intelektualët dhe përfitimit në karrierë politike të tyre;

- Të sigurojë konkurrencë të ndershme jo vetëm midis intelektualëve, por edhe me anëtarët aktualë në Parti.

Formësimi dhe zbatimi i mekanizmit:

- Hartimi dhe miratimi i Programit në këshill/kryesi, duke përcaktuar edhe afatet konkrete, si dhe personat përgjegjës për ndjekjen e tij

- Të bëhet ftesë publike për intelektualët e spikatur, të cilët ndajnë dhe besojnë në vlerat themelore të djathta statutore të Partisë;

- Ftesa të tregojë se bëhet fjalë për caktim kuotash për intelektualët që kontribuojnë aktivisht dhe sipas masës së kontributit (10 % të pozicioneve në strukturat drejtuese: Kuvend, Këshill, Kryesi, Departamente dhe kandidatë për deputetë)

- Të organizohen aktivitete periodike publike ku të diskutohen idetë e krijuara nga intelektualët;

- Idetë më të mira të prezantohen në një ose dy aktivitete kombëtare, ku të shpallen edhe cilat prej tyre do të jenë pjesë e programit zgjedhor

- Të kërkohet prej tyre mbështetja intensive aktuale e Departamenteve të Partisë për të siguruar me cdo kusht mbështetjen e grupit parlamentar. Është tepër e rëndësishme që grupi parlamentar, pavarësisht numrit të vogël të deputetëve që mund të kenë qëndruar, të jetë në maksimumin e performancës së tij, duke shfrytëzuar të gjitha instrumentet parlamentare:

a) Fjalimet në cdo seancë parlamentare

b) Oponencë për cdo nismë ligjvënëse që diskutohet në Kuvend

c) Oponencë për cdo raport të paraqitur nga institucionet e pavarura

d) Kërkesa për raportim të vecantë nga institucionet e pavarura

e) Pyetjet dhe interpelancat

f) Komisione të posacme ose komisione hetimore

g) Nisma ligjvënëse

h) Reformat e domosdoshme, sic është Reforma Zgjedhore, ku duhet vepruar me shpejtësi për votën e emigrantëve.

SHTYLLA II: NDARJA E PËRGJEGJËSIVE NË PARTI (DECENTRALIZIMI) DHE GARANTIMI I KARRIERËS POLITIKE

a. Këshilli Kombëtar të rikonceptohet në përbërje:

i. Të përbëhet nga kryetarët e degëve dhe anëtarët e Kryesisë, 150 anëtarë të zgjedhur dhe 20% anëtare të caktuar nga kryetari i Partisë, në konsultim me Kryesinë, në funksion të hapjes së Partisë (intelektualë, të rinj, prurje nga diaspora).

ii. Cdo degë të ketë përfaqësuesit e saj, te cilët i zgjedh me votë, në bazë të votimit të të gjithë anëtarësisë.

iii. 20% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar caktohen nga shoqëria civile, arti, sporti, biznesi dhe fusha te tjera publike, si dhe prurje nga diaspora

iv. Vetëm Kryetarët e degëve dhe anëtarët e Kryesisë jane anëtarë ex officio

v. Anetarësia e zgjedhur e Këshillit Kombëtar organizohet në departamente. Krerët e departamenteve propozohen nga Kryetari dhe miratohen me votë nga anëtaret e departamentit.

vi. Departamentet kryejnë funksione politike dhe ekzekutive. Përpunojnë programin elektoral, hartojnë politikat parlamentare dhe furnizojnë/ndihmojnë Grupin Parlamentar

b. Kryesia e Partise përbëhet nga 25 anëtarë. Zgjidhet nga Këshilli Kombëtar sipas propozimeve të Kryetarit të Partisë ose propozimit të 1/10 së anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

c. Kolegji i Kryetarëve mbetet organ këshillimor. Kryetarët e degëve mbështeten financiarisht për veprimtarinë organizative nga financat e Partisë dhe donacionet sipas legjislacionit në fuqi, por njëkohësisht duke garantuar pagimin e kuotizacioneve në degë.

d. Kryetarët e degëve, zgjidhen me parimin 1 anëtar – 1 votë.

e. Nëse kryetarët e degëve kërkojnë të marrin funksione përfaqësimi (kandidat për deputet apo kandidat për kryetar bashkie), automatikisht heqin dorë nga detyra e kryetarit të degës.

f. Anëtarësia në Parti, përmban si kusht të domosdoshëm kuotizacionin. Mospagimi e kthen gjendjen e anëtarësisë nga “aktive” në “pasive’.

g. Njësia bazë e organizimit janë seksionet. Seksionit krijohen me bazë territoriale ose me bazë tematike. Cdo anëtar partie ka të drejtë të krijojë seksionin e vet tematik me të paktën 10 anëtarë dhe të marrë kështu, detyrën e kryetarit të seksionit. Krijimi i seksionit miratohet nga kryetari i degës, në konsultim me kryesinë e degës.

h. Krijohet Senati i Partisë me kontributorët historikë dhe kompetenca këshillimore

SHTYLLA IIII: ORGANIZIMI POLITIK

a. Kryetari i Partisë jep dorëheqjen e parevokueshme nëse në zgjedhjet e përgjithshme nuk fiton zgjedhjet (nuk merr detyren e kryeministrit) dhe në zgjedhjet vendore merr një rezultat më të ulët se zgjedhjet vendore pararendëse. Ai nuk ka të drejtë të rikandidojë në zgjedhjet vijuese për kryetar Partie.

b. Kryetari i Partisë, kur partia është në opozitë, krijon “qeverinë në hije” nga anëtarë të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.

c. Anëtarësia në PDSH ulet në moshën 16 vjec.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
U fotografua në takim me rivalin e tij në garën për PD-në, Gjergj Hani: Po pse duhet të therem me Bashën?! Që ta ‘luftosh’ duhet ta njohësh

Gjergj Hani kandidat për kryetar i Partisë Demokratike në një konferencë për mediat është pyetur në lidhje me takimet e zhvilluar, ku shihet krah Lulzim Bashës. Ai tha se çuditet për perceptimin që kanë shqiptarët për politikën, e shton se do që ta dëgjojë në mënyrë që ta luftojë.

‘Ua më çudit sesi shqiptarët e perceptojë politikën me idenë se shqiptarët duhet të theren. Unë dua të shkoj që të shoh ta dëgjoj. Që ta luftosh duhet të njohësh. Se kam fshehur se kam qenë një nga mbështetësit e Bashës. Në momentin që nuk më bindi më mora përsipër këtë inciativë.’- tha Hani.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë