Sistemi shëndetësor shqiptar është në krizë të thellë? PO. Ai është kooperativa e fundit organizativ e strukturor i sistemit komunist? PO. Ai vuan për pajisje, për staf mjekësor profesional, për financim shtetëror, për etikë dhe transparencë? PO. Ai vuan nga korrupsioni dhe klientela, nga pabarazia dhe trajtimi me dy ose më shumë standarde? PO. A ka dështuar sistemi i sigurimeve shëndetësore? PO. Kjo është ana që ne njohim në perceptimin e përgjithshëm, sepse kur jemi sëmurë ose kemi dikë të sëmurë përballemi me 1000 gjëra, pengesa, burokraci, dilema dhe pikëpyetje.

Gjithsesi sistemi shëndetësor ka edhe një anë tjetër gati e padukshme në perceptim, por po ta mendojmë seriozisht të gjithë ne kemi pasur rastin ta njohim personalisht. Unë e përjetova dhe e provova këto pesë ditët e fundit. Një mjek human e profesional me cilësi të veçanta si Mentor Petrela, një staf pranë tij korrekt dhe profesional, një cilësi shërbimi që të krijon besim tek jeta dhe vlera e saj dhe në fund, një operacion i gjatë dhe punë e palodhur për të shpëtuar një jetë 26-vjeçare, e arritur me sukses dhe që të bën të vlerësosh anën e mirë të njerëzve, sistemit, shoqërisë dhe fatit.

Unë nuk e kam mik Dr. Petrelën, megjithëse do të doja ta kisha, por kam pasur respekt dhe prej sot kam shumë më tepër respekt e vlerësim për të, dhe jo vetëm si mjek. Unë nuk kam shumë miq në sektorin shëndetësor, por që sot do të doja të kisha më shumë, jo për favor e kartëvizita, por për të kuptuar e vlerësuar më shumë këtë kategori, që nuk merret me fjalët, tenderat, postet, votimet, por me jetën dhe kujdesin e përditshëm ndaj saj.

Unë kam pasur bindjen se investimi në shëndetësi dhe reforma shëndetësore duhej të ishin një prej prioriteteve, por që sot kam bindjen unike se ato nuk janë thjesht një prej prioriteteve, - janë prioritetit kryesor në shërbim të qytetarëve. Jetë të shumta që shohin me shpresë, presin me shpresë, besojnë me shpresë tek bluzat e bardha dhe nga ana tjetër, mundësi të kufizuara të këtyre të fundit për të përmbushur pritjet e mëdha! Një sistem që vuan dhe që kërkon operacion të thellë, strukturor dhe mbi të gjitha profesional e financiar! Një sistem që mbijeton falë njerëzve të mirë, profesionalizmit dhe vullnetit të tyre ndaj betimit.

Një sistem me dallime e kontraste ekstreme midis Tiranës e 35 rretheve të tjera, një sistem që duhet të mendojë njësoj si për qytetarin me pushtet dhe atë që ndjehet i huaj në këtë shoqëri cinike dhe në krizë identiteti! Një sistem që ka nevojë jo për politikanë - doktorë, por për politikanë – pacientë, që njohin vlerën dhe kanë kulturën e trajtimit mjekësor dhe që e shohin investimin aty si shans për më shumë jetë! Një sistem që injorohet në programe elektorale, injorohet në fushata, administrohet si dhuratë për parti aleate e pa peshë, keqpërdoret nga zyrtarë që nuk kanë lidhje me humanizmin, por që mbetet jetik dhe pjesë përbërëse e çdo familje shqiptare.

A mund ta ndryshojmë? Një vend më në lindje Shqipërisë, Turqia, e bëri dhe rezultati i reformës 5-6 vjeçare është spektakolar! Po ne? Shpresa vdes e fundit! Kështu dëgjova shpesh të thuhet në korridoret e spitaleve të QSUT gjatë kësaj jave! Kështu kam dëshirë edhe unë të besoj!