Akuzat e opozitës ndaj ministres së Arsimit duke iu drejtuar shpesh dhe shprehjen "Kthehu prej nga ke ardhur", ka revoltuar Besa Shahini duke thënë se këto deklarata po nxisin anti-shqiptarizmin dhe është një shprehje raciste. Shahini shpreh keqardhjen se këto shprehje i ka dëgjuar edhe nga maturantët në protestat e tyre duke thënë se kjo është e rrezikshme për brezat e rinj që të mbillet sentiment anti- shqiptar dhe se nuk do e lejojë një gjë të tillë.

"Nuk e kam kuptuar kurrë se si disa përfaqësues të opozitës – deputetë të dorëhequr dhe në shërbim, këshilltarë dhe ish-këshilltarë – bashkë me portalet e tyre, ia kanë lejuar vetes të më kritikojnë prejardhjen dhe dialektin, duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve që flasin si unë dhe në veçanti ndaj kosovarëve. Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë, por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-ën, është skandaloze! Ky sentiment anti-shqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombasve tanë në të gjithë rajonin. Qytetarët e Shqipërisë ndajnë të njëjtin gëzim që kam edhe unë për faktin se shqiptarët janë sot më të bashkuar se kurrë, një prej dëshmive të së cilit është padyshim edhe prezenca e ministrave me prejardhje nga Kosova në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. E shoh të arsyeshme të reagoj tani, sepse në protestat e fundit të stisura nga opozita kundër provimeve kombëtare, dëgjova edhe disa të rinj duke artikuluar frazën e ulët “Kthehu prej nga ke ardhur!”. Është tejet e rrezikshme për të ardhmen e popullit tonë nëse mbjellim sentiment anti-shqiptar tek të rinjtë. Tani, unë nuk mendoj se opozita është seriozisht anti-shqiptare. Ajo është thjesht e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes popullore dhe mungesa e argumenteve kundër qeverisjes së PS në arsim. Ata janë të vetëdijshëm se përderisa me qeverisjen e tyre kanë jetësuar dhe mundësuar shitblerjen e diplomave fallco, nuk kanë argumente të kritikojnë standardin që po kërkojmë ne në arsimin e lartë. Partia që ka shitur vendet e punës për mësuesit nuk ka fytyrë të kritikojë depolitizimin e punësimit të mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Partia, e cila përmes “altertekstit” ka çoroditur totalisht shkollat shqiptare për gati një dekadë – dëmi i të cilit po merr edhe një dekadë shtesë të riparohet – nuk ka se si të kritikojë politikën e librave falas nga botuesit më të mirë botërorë, që po u jepen tashmë falas 2/3 e nxënësve të arsimit parauniversitar.  Nga frustrimi i mungesës së argumenteve reale kanë vendosur të reduktojnë gjithë kritikën e tyre në krijimin e “tjetrit” – në këtë rast, ministri që flet ndryshe nga disa prej tyre – dhe ftesës për ta urryer atë. Kritikat ndaj qeverisjes janë legjitime dhe unë do të mbroj të drejtën e të rinjve për të protestuar. Por, nuk guxojmë të lejojmë që opozita të helmojë mendjet e brezave të rinj me anti-shqiptarizëm vetëm e vetëm sepse nuk kanë argumente reale kundër punës sime. Në fund, dëshpërimi i opozitës është problem ekskluzivisht i tyre dhe nuk duhet të lejojmë që të na çojë drejt një rruge të rrezikshme të përçarjes kombëtare", tha Shahini.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:50
Lleshaj i del në mbrojtje Shahinit: Besa është më shqiptare se ju

Në mbrojtje të Ministres së Arsimit ka dalë edhe Sandër Lleshaj që thekson se këtë reagim e bën si qytetar jo si ministër. Lleshaj shkruan se Shahini nuk është përgjegjëse për situatën e arsimit, as për provimet e maturës dhe më pak për prejardhjen e saj nga Kosova. 

Sipas Lleshajt, Besa sulmohet se është një rast ndryshe, pasi nuk ka studiuar në  universitetet tona të shumta, nuk ka qenë studente apo shoqe e ndokujt që bërtet, nuk është nga Tirana, tingëllon pak gegnisht kur flet, vjen nga Kosova dhe për Lleshajn këto janë të vetmet “mëkatet” e saj.

Ju, ithtarë, viktima dhe autorë të një sistemi të dështuar, heshtni! Mos e kërkoni tek Besa fajin për dështimin tuaj. Si kosovare, ajo është po aq, në mos edhe më shumë, shqiptare se ju; si e diplomuar në Europë, ajo është edhe më e mirëarsimuar se ju. Dhe mbi të gjitha: si një grua që nuk ju shan, ajo ka më shumë dinjitet se ju. Bëhuni pra burra dhe heshtni! P. S. Këtë shënim e bëj në cilësinë e një qytetari dhe jo në atë të ministrit’, shkruan Lleshaj.

Statusi i plotë i ministrit Lleshaj

"Për Besën! Janë bashkuar shumë “burra” kundër Besa Shahinit. Duket se këta i bashkon më shumë një zell i turpshëm kundër Besës sa ndonjë shqetësim i sinqertë për arsimin shqiptar, për gjendjen e të cilit ata janë përgjegjës shumë herë më tepër sesa Besa.

Besa sulmohet se është një rast ndryshe. Ajo nuk ka studiuar në ndonjë nga universitetet tona të shumta, nuk ka qenë studente apo shoqe e ndokujt që bërtet, nuk është nga Tirana, tingëllon pak gegnisht kur flet, vjen nga Kosova.... Vetëm këto janë “mëkatet” e saj.

Ajo nuk ka pasur kohë për ta prishur cilësinë e shkollës tonë. Ajo nuk ka mundur ende as t’a rregullojë atë.

Kush kupton sadopak nga arsimi e di mirë se efekti i politikave të reja në arsim nuk mund të merret për një apo dy vjet.

Të gjithë ata skizofrenë që shajnë Besën për provimin e Maturës Shtetërore, duhet ta dinë se atë nuk e ka formuluar ajo, por studentët që kanë dalë nga shkollat që Besa ka pasur fatin të mos i bëjë.

Ato teste i kanë bërë studentët e atyre që bërtasin dhe që janë gati të fajësojnë gjithë botën për cilësinë e produktit të tyre.

E vetmja gjë që ka arritur të bëjë Besa, gjatë muajve të ushtrimit të detyrës së saj, është përpjekja për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave.

Një sistem ku “profesorët” ulërijnë dhe shajnë pa kurrëfare etike, ndërkohë që kanë marrë paga nga universitetet kioska pasi kanë firmosur me mijëra diploma pa vlerë, të cilat ngjajnë më shumë me mandatet e pasurisë që lëshonte Sudja e piramidave sesa me diplomat normale të universitetit.

Ata që kanë heshtur përpara gjëmës së bërë kundër arsimit me universitetet piramida, ata që i kanë kthyer universitetet ku punojnë në hane ku edhe analfabetet pretendojnë për notë maksimale dhe ku nuk mbetet askush, ata që e kanë katandisur universitetin në fund të listave të renditjes botërore nuk mund të gjejnë asnjë alibi tek Besa.

Është fat që ajo është ndryshe edhe në formim edhe në nivel nga autorët e gjendjes së sotme të arsimit.

Është fat që ajo po përpiqet për një impuls modernizues në një sistem të mbështetur tek indoktrinimi, ku studentët trajnohen vetëm për të përsëritur, por kurrë për të menduar.

Besa kërkon një shkollë ku nxënësit dhe studentët mësojnë si të mendojnë dhe jo çfarë të mendojnë, një shkollë që frymëzon dhe jo një shkollë që indoktrinon.

Ju, ithtarë, viktima dhe autorë të një sistemi të dështuar, heshtni! Mos e kërkoni tek Besa fajin për dështimin tuaj.

Si kosovare, ajo është po aq, në mos edhe më shumë, shqiptare se ju; si e diplomuar në Europë, ajo është edhe më e mirëarsimuar se ju.

Dhe mbi të gjitha: si një grua që nuk ju shan, ajo ka më shumë dinjitet se ju. Bëhuni pra burra dhe heshtni!

P. S. Këtë shënim e bëj në cilësinë e një qytetari dhe jo në atë të ministrit.