Shahistët e "Butrintit", me të drejtën që u jep statusi i vendit kampion në Shqipëri, morën pjesë dhe përfaqesuan vendin në Kampionatin Europian të Shahut, që u zhvillua në Bilbao të Spanjës, prej 13 deri më 20 shtator. Gjashtë pjestarët, që përfaqësonin shahun shqiptar dhe ngjyrat e "Butrintit" në Bilbao, mes shahisteve nga 52 vende të botës, ishin: Ilir Seitaj, Mjeshtër Ndërkombëtar, Lime Mihasi e Murat Mejdini, Mjeshtra Kombëtarë, si dhe Fuat Karalliu, Perikli Kolagji e më i riu, Erald Mihasi.

Për t'u veçuar ishte organizimi në perfeksion i eventit sportiv në nivel europian dhe profesionalizmi i shfaqur në atë kampionat. Karakteristika më dalluese ishte prania e moshave të reja në takimet shahistike, të cilët i dhanë impuls veprimtarisë. Ndër pjesëmarresit në të veçohen shahistë me emër dhe personalitete si, armeni Aroniani, italiani Fabio Caruana, i cilesuar stari i eventit të Bilbaos, si dhe azerbajxhanasi Gorjanis, vetem 18 vjeç, bullgari Topalov që luajti për Azerbajxhanin etj.

Në klasifikimin ekipor "Butrinti" mundi të lerë pas 7 ekipe, nga 52 gjithsej.

Pas këtij eventi, shahistët sarandiotë i pret kampionati ekipor në Tiranë, si dhe aktiviteti "Kupa e 70-vjetorit të Çlirimit", që do të organizohet nga Klubi shumësportësh në Sarandë. /ATSH/