TIRANË-Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi sot projektligjin "Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera".
Në komision ishte i  ftuar Drejtori i Drejtorisë së  Sigurimeve Shoqërore dhe Pagave në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  Astrit Kuka.
Kryetari i komisionit, Eduard Shalsi, vlerësoi qeverinë për  këtë nismë  lidhur me rregullimin e pensioneve të pleqërisë për punonjësit që kanë punuar në miniera, nëntokë, vjetërsi të përgjithshme dhe vjetërsi punë në profesion.
Relatorja  Esmeralda Shkjau u shpreh se "projektligji synon  uljen e  moshës së  pensionit nga 60 vjeç në  55 vjeç". "Periudha e sigurimit e përgjithshme  parashikohet të jetë 30 vjet,  nga të cilat 12 vjet e 6 muaj të jenë në minierë  në nëntokë. Ndërkohë që nga ndryshimet e ligjit të pensioneve për minatorët do të përfitojnë 3840 persona.  Kjo kategori nuk  duhet të mos jetë ekonomikisht aktive, as të jenë të vetë punësuar,  përveç vetëpunësimit në  bujqësi. Këta persona përfitojnë kompensimin e të  ardhurave minimale dhe kompensimin  në rast të rritjes së energjisë elektrike. Në total, efekti financiar  do të jetë  793 milionë lekë në vit", tha  Shkjau.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë së  Sigurimeve Shoqërore dhe Pagave në MMSR, Astrit Kuka,  tha se "ulja e moshës së pensionit është kërkuar edhe nga sindikatat, për shkak  të vështirësive që ka sektori i minierave, kushtet e vështira që ndikojnë në shëndetin e punonjësve". Ai theksoi se për këtë projektligj janë marrë dhe mendimet e grupeve të interesit, sikurse është shfrytëzuar dhe eksperienca ndërkombëtare në këtë fushë.
"Në vitin 2001 është nxjerrë një ligj për trajtimin e  veçantë të punonjësve në miniera në nëntokë, janë 3400 persona që  nuk përfitojnë. Meqenëse është një ligj për trajtim të veçantë financiar masa e përfitimit është e ulët, 9 mijë lekë në muaj dhe këta persona kanë 12-13 vjet që vazhdojnë në këtë skemë. Projektligji është parashikuar si skemë e fondeve profesionale, gjithashtu është parashikuar të ketë edhe një kontribut shtesë, i cili do të jetë 2% nga vetë punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi , pra 5% shtesë kontribute. Ky projektligj plotëson disa kritere dhe nga pikëpamja sociale dhe efektet financiare janë të përballueshme", tha Kuka.
Në përfundim, Shalsi bëri me dije se në këtë projektligj janë bërë disa ndryshime, të cilat nuk e cënojnë thelbin e ligjit, por janë riformulime. /ATSH/