ShBA, Ermira Babamusta, “Gruaja
Humanitare Ndërkombëtare”

ShBA, Ermira Babamusta, “Gruaja<br />Humanitare Ndërkombëtare”
UASHINGTON - Kongresi Amerikan ka nderuar atë e bijë, Neki dhe Ermira Babamusta për herë të dytë për veprimtarinë e tyre demokratike e diplomatike midis kombit shqiptar dhe amerikan, më 2004 dhe tani më 2013.

Me rastin e pavarësisë së Amerikës dhe kontributit të dhënë nga familja Babamusta, në ndërtesën e Kongresit Amerikan janë ngritur dy flamuj më 4 korrik 2013. Në ceremoninë solemne “Mirësevini në Washington”, të organizuar nga senatori Harry Reid, udhëheqës i shumicës në Senat, më 1 gusht Ermira Babamusta ka pranuar njohjen nga senatori dhe dy dekorimet: Ermira Babamusta - Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013, dhe Neki Babamusta - Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013. Ermira gjithashtu pranoi dekoratën në emër të babait dhe familjes.

Gjatë takimit Ermira i dhuroi senatorit Harry Reid një punim tradicional me simbolin shqiptar, shqiponjën me dy krerë, si shenjë respekti për forcimin e lidhjeve kulturore-diplomatike SHBA-Shqipëri-Kosovë. Pas ceremonisë, stafi i senatorit Harry Reid e shoqëroi Ermirën, si të ftuar nderi për një vizitë në Kongresin Amerikan, duke përfshirë edhe vizitat në Galerinë e Senatit dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, pamjen e replikës së dokumentit historik me principe të kushtetutës amerikane “Magna Carta” brenda ndërtesës së Kongresit, si dhe dhomën e vjetër të Gjykatës të Lartë (1810-1860) dhe dhomën e vjetër të Senatit Amerikan (1810-1959), shkruan Nora Kalaja.

Dr. Ermira Babamusta u vlerësua nga Kongresi Amerikan me nderimin e lartë “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013” (International Humanitarian Efforts) për punën e saj të jashtëzakonshme humanitare – diplomatike, si një zë i fuqishëm dhe inspirues për Amerikën dhe Kosovën në promovimin dhe mirëkuptimin e dy kulturave dhe fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë e botë.

Ermira është gjithashtu fituese e çmimit “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajës” nga Instituti i Paqes Kessel.

“Falenderoj Kongresin Amerikan dhe senatorin Reid për vlerësimin që më dhanë për punën time humanitare diplomatike në Kosovë. E vlerësoj këtë takim si moment historik për marrëdhëniet trepalëshe SHBA–Shqipëri-Kosovë dhe përkrah përpjekjet amerikane në këtë drejtim. Gjatë takimit me senatorin Reid në Kongres theksova rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri-Kosovë dhe potencialin e bashkëpunimit midis këtyre vendeve. Senatori Reid foli për vizitën e tij në Shqipëri dhe përshtypjet e mira që kishte. Po në Kongresin Amerikan në 2004 jam takuar me ish-sekretarin e shtetit Colin Powell dhe kam folur para Senatit Amerikan ku kam falënderuar qeverinë amerikane për mbështetjen e fortë ndaj Shqipërisë dhe kam ngritur çështjen e pavarësisë së Kosovës. Do vazhdoj më tej përpjekjet e mia për të fuqizuar lidhjet midis vendeve tona, për çështjen shqiptare, mbrojtjen e lirisë, demokracisë, drejtësisë si dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të vlerave kulturore-artistike-historike të shqiptarëve në vend dhe diasporë,” theksoi Ermira Babamusta për "Koha Ditore".

ermira babamusta
(Në foto: Ermira Babamusta me senatorin Harry Reid, udhëheqës i shumicës në Senat, pas ceremonisë)

JETËSHKRIMI I ERMIRA BABAMUSTËS
Në vitin 2007 dhe 2012-13, Ermira kreu dy misione diplomatike-kulturore në Kosovë për njohjen e pavarësisë në Kosovë, mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe drejtësisë në vend, dhe lobimin e integrimit evropian të Kosovës. Ajo është angazhuar që në fillim të viteve 90-të për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, nëpërmjet organizatës patriotike, themeluar nga babai i saj, Neki Babamusta. Në vitin 1999, Ermira vazhdon lobimin për çështjen shqiptare në Michigan. Me angazhimin dhe punësim në Kongresin Amerikan, Ermira e ngriti çështjen e pavarësisë së Kosovës para Senatit amerikan në vitin 2004 me ish-sekretarin e shtetit, Colin Powel.

Në takimin me Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan gjatë punës së saj në Departamentin e Paqes, Ermira Babamusta shprehu qëndrimin për përcaktimin e statusit final të Kosovës. Në takimet zhvilluar në 2010 me Komitetin Europian në Strasburg, Gjermani, Luxemburg, Hollandë dhe Francë Ermira Babamusta shton përpjeket për të siguruar bisedimet dhe njohjen e pavarësisë të Kosovës. Në korrespondencën me presidentin Obama dhe zv/presidentin Joe Biden dhe sekretarin e shtetit John Kerry Ermira ka falënderuar përkrahjen e Amerikës dhe ka kërkuar mbështetje nga Sh.B.A.-ja si dhe ka theksuar rëndësinë e një punimi të afërt me Kosovën në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit rajonal.

Në 2008 dhe 2012 Ermira punoi për administratën e Obamës, si drejtoreshë gjatë zgjedhjeve presidenciale në shtete të ndryshme federale amerikane, duke pasur përsipër shtete kyçe gjatë fushatës si Florida, Ohio, Pennsylvania, Colorado, etj. Gjithashtu ajo ishte një nga drejtueset që organizoi për 75 000 amerikanë Kuvendin Nacional të Partisë Demokratike në Colorado, në 2008, ku senator Barack Obama pranoi nominim e partisë demokratike për president. Ermira mori ftesë nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009 dhe 2013 në Washington DC për të qenë e pranishme në inaugurimin e Obamës.

Në korrik 2013 Ermira Babamusta shërbeu si drejtoreshë rajonale e organizatës bamirëse “Projekti Borgen”, që e pati nismën nga një aktivist amerikan, pas misionit të tij me refugjatët e Kosovës në 1999. Kjo punë humanitare e Ermirës është pjesë e programit “Shërbimi Vullnetar i Presidentit”, themeluar në 2003, në bashkëpunim me zyrën e Presidentit të Amerikës.

“Misioni im humanitar dhe për paqe për Kosovën, Shqipërinë dhe botën është një pasion i imi për të dhënë kontributin tim humanizmit, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përhapjen e vlerave kulturore, demokratike dhe të paqes si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturave të ndryshme të botës,” deklaroi Ermira Babamusta.

ermira babamusta
(Ermira Babamusta gjatë marrjes së titullit)

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën