Tom Doshit dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA. Pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni, shkruan Zëri i Amerikës. Një vendim ky i prapritur nga Uashingtoni, pasi ndaj Doshit nuk ka akuza të artikuluara publikisht nga institucionet ligjzbatuese.

Në vendimin e publikuar në faqen e DASH, thuhet se "në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë". "Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik".

Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.

Djali i madh i Tom Doshit, James Doshi është një personazh i njohur nga mediat për jetën e tij luksoze, pasi herë pas here ekspozon automjetet super të shtrenjta që disponon. 


(James Doshi, djali i madh i Tom Doshit) 

Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. 

Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t'i miratojë privatisht ose publikisht.