Dyshime se nuk do kthehej në Shqipëri/ SHBA i refuzoi vizën gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Vetingu e shkarkon për mosjustifikim pasurie

Dyshime se nuk do kthehej në Shqipëri/ SHBA i refuzoi vizën gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Vetingu e shkarkon për mosjustifikim pasurie

Ambasada Amerikane në Tiranë i ka refuzuar vizitën gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri, për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të dyshimeve se gjyqtari mund të mos kthehej më në Shqipëri. Nëse disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë u është ndaluar hyrja në SHBA për shkak të informacioneve për përfshirje në praktika korruptive, gjyqtarit Hasneziri i është refuzuar viza sepse nuk ka treguar lidhje të forta me vendin e tij dhe se mund të kishte qëllim të braktiste Shqipërinë. Refuzimi i vizitës reflektohet në një raport që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar i ka dërguar Komisionit të Vetingut për figurën e gjyqtarit. Sipas DSIK, gjyqtari nuk e ka pasqyruar refuzimin e vizës në në deklaratën për kontrollin e figurës. “Bazuar në kërkesën e pikës 3, të nenit 36, të ligjit nr. 84/2016, me anë të një kërkese Grupi i Punës nëpërmjet DSIK-së , është informuar se në datën 19.2.2014, subjektit të rivlerësimit, z. Luan T. Hazneziri, i është refuzuar viza amerikane, gjë që nuk është pasqyruar në deklaratën për kontrollin e figurës. Këtu theksojmë faktin që deklarata për kontrollin e figurës është plotësuar nga subjekti i rivlerësimit në datën 25.1.2017, ndërsa refuzimi i vizës është në datën 19.2.2014, gjë që tregon se subjekti i rivlerësimit ishte në dijeni të këtij fakti dhe duhet ta deklaronte atë”, thuhet në raport.

Gjyqtari i Krimeve të Rënda Luan Hasneziri ka sqaruar për Komisionin e Vetingut se sipas ligjit fakti i refuzimit të vizës nuk përfshihej në të dhënat që duhet të deklaroheshin. “Kjo mosdhënie ose refuzim i dhënies së vizës mjekësore për mua në vitin 2014 nga ambasada e SHBA-së nuk është deklaruar nga ana ime si fakt në deklaratën e kontrollit të figurës, sepse ky ka qenë një fakt që nuk përfshihej në të dhënat që duhet të deklaroheshin në këtë deklaratë....Në pjesën 5 të kësaj deklarate ka një pyetje e cila shprehimisht ka këtë përmbajtje: ‘Gjatë dhjetë viteve të fundit, a ju është refuzuar hyrja në ndonjë shtet të BE/NATO-s?’. Siç rezulton nga përmbajtja e kësaj pyetjeje shprehimisht kërkohet informacion për “refuzim të hyrjes” dhe jo për “refuzim të dhënies së vizës”, në ndonjë shtet të BE/NATO-s. Vlen të sqarohet fakti që refuzimi i dhënies së vizës dhe refuzimi i vizës janë koncepte të ndryshme. Refuzimi i dhënies së vizës ose mosdhënia e vizës nënkupton mospajisjen me vizë të aplikantit nga ambasada e SHBA-së, për arsye që janë në diskrecion të nëpunësit konsullor dhe që nuk kanë të bëjnë me sigurinë e personit apo me problemet e ligjit që ai mund të ketë.. Refuzimi i vizës nga ambasada e SHBA-së nënkupton që personi është pajisur më parë me vizë nga kjo ambasadë dhe për arsye që kanë të bëjnë me sigurinë e personit ose për shkak se ai ka probleme me ligjin ose sepse nuk ka respektuar kushtet e vizës, kjo vizë i hiqet ose i refuzohet këtij personi”, ka pohuar gjyqtari.

Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Suela Zhegu, Alma Faska dhe Lulzim Hamitaj, ka rritur në konkluzionin se refuzimi i vizës për të udhëtuar drejt SHBA nuk e cenon figurën e gjyqtarit, pasi viza nuk i është refuzuar për korrupsion, por sepse gjyqtari mund të braktiste vendin e tij. “Në rastin konkret Komisioni çmon, gjithashtu, se nuk jemi para faktit të refuzimit të hyrjes në një vend të caktuar, pasi refuzimi i vizës subjektit të rivlerësimit i është bërë sipas seksionit 214 (b) të aktit të SHBA-së. Në këtë akt refuzimi bazuar në këtë nen nuk parashikon shkaqe të tilla si korrupsioni etj, të cituara nga raporti i DSIK-së, por kanë të bëjnë me faktin se aplikanti duhet të tregojë lidhje të forta me vendin e tij dhe nuk ka qëllim ta braktisë. Pikërisht, kjo i është cituar në përgjigje dhe subjektit dhe, konkretisht: “....ju nuk keni demostruar se ju keni lidhje, të cilat do t’ju detyrojnë që të ktheheni në vendin tuaj pas udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Një shkak tjetër që refuzimi në këtë rast nuk përbën refuzim hyrjeje në SHBA ka të bëjë se nëse subjektit i është refuzuar viza bazuar në seksionin 214 (b) të aktit të SHBA-së, ky i fundit mund riaplikojë përsëri për t’u pajisur me vizë”, thekson trupa gjykuese.

Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Luan Hasneziri, me argumentin se subjekti nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar pasurinë. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, rekomandimet e relatorit të çështjes, pasi dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancë dëgjimore publike, mori në shqyrtim pretendimet e parashtruara dhe provat e paraqitura prej tij, në vlerësimin e çështjes në tërësi, si dhe në bindjen e brendshme, mbështetur në pikën 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, arrin në përfundim se subjekti i rivlerësimit, nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, sipas germës “a”, të pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendim.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Juristi: 13/11/2019 16:33

    Te ishin gjithe gjyqtaret e Gjykates se Krimeve te Renda sa gjysma e Luan Hasnezirit per objektivitet dhe profesionalizem, drejtesia do ishte shume e privilegjuar.

    Përgjigju
  • Albi: 13/11/2019 12:19

    Nje nga gjyqtaret me profesioniste te sistemit ishte Luani. Respekt per kete gjyqtar me integritet dhe keqardhje per kpk qe shkaterroi sistemin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Nga ulja 30% e taksës mbi ndërtesën, pezullimi i financimit të inceneatorit, Teliti prezanton 27 amendimet e PD për buxhetin e Tiranës

Nga ulja 30% e taksës mbi ndërtesën, pezullimi i financimit të inceneatorit, Teliti prezanton 27 amendimet e PD për buxhetin e Tiranës