SHBA - James Webb, 69 vjeç, i cili ka shërbyer në Senat dhe ka marrë Kryqin e Marinës për heroizëm në luftën e Vietnamit, njoftoi dje kandidaturën për garën presidenciale të 2016-ës, si përfaqësues i Partisë Demokrate.
Webb i bashkohet ish-sekretares së Shtetit, Hillary Rodham Clinton, 67 vjeçe, senatorit të Vermont, Bernie Sanders, 73 vjeç, ish-guvernatorit të Rhode Island, Lincoln Chafee, 62 vjeç dhe ish-guvernatorit të Maryland Martin O’Malley, 52 vjeç, në garën brenda partisë para nëntorit të 2016-ës.
Webb, një centrist, mezi u zgjodh në Senat nga Virginia në 2006-ën, në një fushatë të minutës së fundit që përmbysi një republikan konservator në detyrë dhe u dha demokratëve vendin e fundit që ata kishin nevojë për të marrë shumicën në Dhomën e Lartë.
Ai bëri një fushatë të ashpër elektorale duke u përqëndruar sidomos në shërbimin ushtarak të tij, madje duke përmendur edhe shërbimin ushtarak të djalit të tij në Irak.
Webb kundërshtoi planet e presidentit George W. Bush për të shkuar në luftë në Irak, në vitin 2003.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)








