SHBA njihet me rezultatet e para në Tiranë, ‘peshqit presin radhën’, në rrjetë po bien 'peshkatarët'

SHBA njihet me rezultatet e para në Tiranë, ‘peshqit presin radhën’, në rrjetë po bien 'peshkatarët'

Ndihmës-sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker dhe kryetari i PD, Lulzim Basha

Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Ata që kanë pasur si detyrë të luftojnë dhe ndëshkojnë krimin e organizuar, trafiqet, korrupsionin, dhe çdo krim tjetër në vendin tonë, po dorëzojnë detyrën ose po bien një e nga një në pranga.

Nuk dihet nëse ka ndonjë vend tjetër në botë, që çon në pranga dy prokurorë brenda javës.

Ajo që dihet është se procesi “Vetting” vazhdon me “korrjet” në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat e vendit. Edhe pse ky proces ka prerë “kokat” e thuajse gjysmës së organit të akuzës, gjysma e mbetur në detyrë para se t’i nënshtrohet këtij procesi ngjan sikur po shijon lirinë dhe jo detyrën. Disa prej tyre po përfundojnë pas hekurave, në mënyrën më të turpshme të mundshme.

Sistemi i kaluar i së ashtuquajturës “drejtësi” në vendin tonë prodhoi krime dhe solli tragjedi, mbolli plagë sociale që vështirë se do të mund të shërohen edhe për 2-3 dekada, ndërsa tani po përjeton një situatë dramatike në radhët e veta. Janë sinjalet e para që tregojnë ndoshta se ka ardhur koha që çdo zyrtar i lartë dhe i korruptuar nuk duhet ta konsiderojë më veten i sigurt, i mbrojtur dhe i paprekshëm si dikur. Gjithsecili tani e më tutje duhet ta ketë menduar se mund të përfundojë papritur në pranga, në mes të qytetit, në mes të ditës.

Kritikët ndaj Reformës në Drejtësi, aspak të shqetësuar me drejtësinë e deridjeshme, mund të vazhdojnë traditën dhe të tregojnë radhën. Do të përmendin si argument, në emër të drejtësisë,  se ishte radha e dikujt tjetër. Pra, kritikët e njohin gjendjen mirë, e dinë që dikush tjetër është edhe më i korruptuar. E dinë edhe të korruptuarit. Por ata nuk e dinë se cili është ai dhe as nuk e kanë idenë se si mund të ndëshkohet. Ata si të vetmin propozim kërkojnë që të ndalet reforma që ka nisur.

Ndërsa ata që po e ngrenë dhe po e drejtojnë në një drejtim tjetër sistemin e drejtësisë në Shqipëri nuk janë shqiptarë. Ata mendojnë ndryshe. Ata nuk po ndalen, dhe siç premtuan, kanë nisur të godasin dhe ta marrin “fortesën” nga brenda. E pamundur të ngrinte me forca e saj një shtet normal, një tjetër fuqi duket se fshihet pas Shqipërisë, për t’i dhënë asaj shpresë se herët e vonë këtu do të rikthehet ajo që ata kërkojnë: drejtësinë e munguar.

Arrestimet ngjajnë si një kundërpërgjigje e ashpër e atyre që mbështesin drejtësinë e re ndaj të gjithë atyre që e kritikojnë, sulmojnë dhe kërkojnë të ndalin Reformën në Drejtësi.

Ngjan si një provë muskujsh, mes dy kategorive. Me siguri do të ketë një fitues.

Ka shumë të padurueshëm që në 30 vjet batërdi nuk thanë asnjë fjalë për sistemin e kalbur të drejtësisë dhe presin që në një ditë drejtësia e re të bëjë mrekullinë. “Ku është drejtësia që premtuat” pyesin “gjykatësit” e të vetmes reformë që po zbatohet për të shpëtuar shtetin shqiptar nga kolapsi, pas 30 vitesh degradim.

Ka nga ata që mezi presin që në rrjetën e drejtësisë së re të bien përnjëherësh të gjithë “peshqit e mëdhenj”, siç kërkuan Amerikanët dhe më pas me radhë, sipas “peshës”.

Në vend të peshqve që po kërkonin amerikanët dje, sot po shohim se në pranga po bien një e nga një “peshkatarët”, mbase jo sipas “peshës”.  Goditjet e fundit nuk besohet se janë edhe aq rastësore, duhet të kenë ndonjë orientim, ose një qëllim të caktuar. Ato vijnë pas dënimit të ish-kryeprokurorit  Llalla, brenda një harku të shkurtër kohor. Gjasat janë që në mungesë të peshqve që do donin të shihnin ata që e premtuan, të prangosen të gjithë peshkatarët.

Sot Tiranën e vizitoi një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ndihmës-sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, sot në Tiranë planifikoi vetëm dy takime; me kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Ai me siguri ka kërkuar të njihet me ndonjë rezultat të freskët në drejtim të shtetit të së drejtës, për të cilën SHBA është investuar shumë.

Do t’i thonë se prokurori i Kukësit Edmond Karriqi është arrestuar sot me urdhër të SPAK, në qendër të Kavajës. Janë ndaluar edhe shoferi i prokurorit, si dhe një tjetër.

Karriqi akuzohet nga SPAK për tolerimin e disa të arrestuarve në qarkun e tij. Ai kishte në duar çështjen e këngëtares Fjolla Morina, e cila u kap me armë zjarri në pikën kufitare të Morinës, por nga arresti shtëpiak, ajo u arratis dhe gjatë periudhës së arratisjes, u martua në Dubai.

Do t’i thonë se pak ditë më parë edhe prokurori i Sarandës, Sali Hasa, është arrestuar si i dyshuar për korrupsion dhe shpërtheu në të qara, kur doli para gjykatës. Ai është ende në qeli. Do të njihet mirë me ecurinë e drejtësisë së re, që kur nisi projekti amerikan në Shqipëri. Mund të pyesë nga afër, sigurisht jo shqiptarët, por vartësit e  DASH në Shqipëri, edhe për armiqtë e Reformës në Drejtësi. Mund të njihet edhe me forcën e tyre.

Ndoshta do të kërkonte më shumë se kaq; rezultate të tjera dhe më të shpejta. Megjithatë, zyrtari i lartë amerikan do të largohet, pasi të jetë njohur me statistika të tjera, ose me ndonjë kuriozitet, si për shembull: A  ka guxuar kush t’i dalë para “trenit amerikan” në Shqipërinë e mbetur pa hekurudha dha e ka pasur shumë viktima?

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut