Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po planifikon të revokojë vizat për biznes dhe turizëm të shtetasve të huaj që kanë aplikuar ose që aktualisht po kërkojnë azil në SHBA, bëri të ditur Departamenti i Shtetit. Ende nuk është bërë e ditur se sa viza do të preken, por sipas vlerësimeve të Associated Press, që u referohen dokumenteve të Departamentit të Shtetit, ky numër mund të shkojë deri në 200.000. Nëse zbatohet kjo, ky do të ishte revokimi më masiv i vizave që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e SHBA-së.
DASH ende nuk ka bërë asnjë njoftim publik, por pritet që revokimet e vizave t’i njoftojë javët e ardhshme. Bëhet fjalë për vizat B1 dhe B2 të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026, për persona që kanë kërkuar ose po kërkojnë aktualisht azil. Këto viza lëshohen përgjithësisht për udhëtime pune, turizëm, vizita familjare ose trajtim mjekësor.
"Ne po bashkëpunojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) për të identifikuar dhe revokuar vizat e shtetasve të huaj që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara duke deklaruar se janë vizitorë afatshkurtër, por më pas kanë paraqitur kërkesë për azil për të qëndruar këtu në mënyrë të përhershme", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Ai nuk pranoi të jepte një numër të saktë, duke thënë se numri "mbetet dinamik dhe mund të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme".
"Këto lloje vizash lëshohen me kuptimin e qartë se ato janë për ata që synojnë të kthehen në shtëpi", tha ai.
Ata që aplikojnë për të ashtuquajturat viza afatshkurtra B1 dhe B2 u kërkohet të zotohen se nuk do të aplikojnë për azil në SHBA.
Zyrtarët amerikanë thanë se revokimi i vizave nuk do të çonte domosdoshmërisht në dëbim të menjëhershëm. Sipas zyrtarëve që folën për Associated Press, shumica e personave me kërkesa për azil ende në shqyrtim do të rikategorizohen dhe do të humbasin statusin e tyre si udhëtarë për qëllime biznesi ose turizmi.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, e kritikoi përdorimin e vizave turistike dhe atyre të biznesit si një rrugë për paraqitjen e kërkesave për azil.
"Njerëzit në SHBA dhe në të gjithë botën janë ngopur me kërkesat e rreme për azil. Azili nuk është menduar të jetë një rrugë anësore për të shmangur ligjin e imigracionit”, shkroi ai.
Shumica e vizave të biznesit dhe turizmit në vitin 2024 iu lëshuan qytetarëve nga Brazili, i cili mori më shumë se 1.1 milion viza B1 dhe B2, Kina kontinentale, India dhe Pakistani, sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit. Pak më shumë se 32,300 u janë lëshuar vizitorëve nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut në vitin 2024.
Më herët këtë muaj, departamenti i shtetit tha se kishte revokuar më shumë se 175,000 viza nga shtetas të huaj, të cilët thanë se “shkelën kushtet e vizave të tyre, kryen krime, bënë thirrje për dhunë kundër qytetarëve amerikanë, mashtruan amerikanët, abuzuan me sistemin tonë të imigracionit ose rrezikuan sigurinë kombëtare”.
Trump ka ndërmarrë një fushatë të gjerë dëbimesh dhe ka ashpërsuar politikat e emigracionit. Masat kanë përfshirë anulimin e vizave dhe lejeve të qëndrimit, të njohura si “Green Card”, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, mes tyre qëndrimet politike dhe pjesëmarrja në protestat pro-palestineze kundër ofensivës së Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gaza. Trump argumenton se masat synojnë të përmirësojnë sigurinë e brendshme të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, disa prej politikave të administratës së tij për emigracionin janë përballur me pengesa në gjykata. Të premten, një gjykatës amerikan rrëzoi një politikë të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave emigruese për aplikantët nga 75 vende. Sipas gjykatësit, kjo politikë tejkalonte kompetencat që ligji i jep Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.








Komente
Komento