Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar atë që e quajti “ofensiva më e madhe financiare ndonjëherë” kundër Iranit, duke deklaruar se SHBA synon të ndërpresë çdo lidhje ekonomike me Teheranin dhe të izolojë edhe vendet që bashkëpunojnë financiarisht me regjimin iranian.

Në një artikull për Financial Times, Bessent tha se lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po hyn në “fazën përfundimtare” dhe se objektivi është që “të pritet çdo burim ekonomik që mban në këmbë regjimin në Teheran”.

Ai nuk dha detaje për masat që do të ndërmerren, por pritet t’i bëjë publike në një konferencë për shtyp të hënën në SHBA.

Nga ana tjetër, Irani hodhi poshtë deklaratat e Bessent dhe, sipas Reuters, paralajmëroi se do të ndalojë të gjitha eksportet e naftës nga rajoni nëse lufta vazhdon. Teherani ka lëshuar edhe një paralajmërim të ri për transportin detar, duke kërkuar që anijet të mos kalojnë në Ngushticën e Hormuzit pa lejen e tij.

Rreth një e pesta e naftës dhe gazit që tregtohet në botë kalon zakonisht përmes kësaj ngushtice, por fluksi është bllokuar që prej nisjes së konfliktit në fund të shkurtit.

Irani është prej vitesh nën sanksione të ashpra amerikane. Në vitin 2015, administrata e Barack Obamës dhe aleatët e SHBA-së arritën një marrëveshje me Teheranin, e cila lehtësonte një pjesë të sanksioneve në këmbim të kufizimit të programit bërthamor iranian. Donald Trump u tërhoq nga ajo marrëveshje në vitin 2018, duke rikthyer të gjitha sanksionet, ndërsa përpjekjet e administratës së Joe Biden për ta ringjallur marrëveshjen nuk sollën rezultat. Në prill të këtij viti, administrata Trump vendosi një valë të re sanksionesh ndaj bankave dhe kompanive të huaja që bëjnë biznes me Teheranin.