Pas përplasjeve të javës së kaluar dhe debatit të ditëve të fundit rreth asaj se nga kush financohen ata të cilët paraqiten si organizatorë dhe udhëheqës të protestës, sa vjen dhe bëhet më e qartë se protesta, në formën e saj aktuale, përbëhet kryesisht nga një segment me prirje të qarta fashiste dhe grupe progresistësh të majtë paranojakë.
E gjitha u shfaq thuajse haptas në protestën e kësaj të shtune, kur aktivistë të ardhur me flotiljen “Global Sumud” tentuan t’i flisnin njerëzve në shesh. Vetë flotilja ishte sigurisht një përpjekje për t’i rikthyer protestës vëmendjen e medias ndërkombëtare. Me gjithë admirimin ndaj aktivizmit të tyre në çështjen e Gazas, tentativa për të barazuar gjenocidin atje me atë çka po ndodh në Shqipëri është e dëshpëruar nga ana simbolizmit që flotilja mbart. Megjithatë, ishte diçka që i ofroi protestës së Tiranës një moment vizibiliteti, të cilën delirantët që kanë mbushur radhët e lëna bosh nga protestuesit e sinqertë, e refuzuan në mënyrë të dhunshme.
Teksa disa aktivistë të diasporës, të ardhur me flotiljen, u përpoqën të flisnin, mbi kokat e tyre u shpalos një flamur i madh, gjysmë kombëtar e gjysmë ai i Ballist Morinës, për të mos i lënë të flisnin. Një grackë mjaft efikase, pasi siç u pa, në momentin që aktivistët e flotiljes tentuan ta largonin, u sulmuan nga protestuesit me pretekstin se u përdhos dhe shkel flamuri kombëtar. Vështirë se mund të imagjinohet një gjest më fashist se sa ai i përdorimit të flamuriit kombëtar si leckë për t’i mbyllur gojën atyre të cilët nuk mendojnë si ti. I vetmi hap më ekstrem që mbetet është të rrahësh kritikët në rrugë, ndonëse segmente të caktuara brenda protestës e kanë treguar se janë të aftë edhe për këtë.
E prapëseprapë nuk ka shumë arsye për të mos u habitur nga grupet përgjegjëse për gjeste të tilla. Retorika e tyre që nga ditët e para të protestës ka anuar, në mos nga një fashizëm i pastër, kah një ekstrem i djathtë banal i të fortëve të lagjes, që më në fund kanë gjetur hapësirën ku të shkarkojnë vite të tëra mllefi të akumuluar dhe burrërie performative.
Ajo që është realisht shqetësuese, është heshtja e zërave progresistë dhe aktivistëve të majtë brenda protestës, që marshojnë pa kurrfarë sikleti krah tyre. Edhe më shqetësues mes tyre, është heshtja e pakuptimtë e një partie si Lëvizja Bashkë, e vetmja që mund të pretendojë se ka një shtyllë korrizore dhe që prej kohësh mburret për guximin për të denoncuar aferat e qeverisë dhe të përmendë me emër oligarkët. Shumë mirë që e bën këtë, por ç’ndodh kur ata të cilët duhen denoncuar, janë njerëzit që marshojnë krah teje në protestë?
Me sa duket, në këtë rast kurajoja e partisë është selektive. Nuk e ka të vështirë të identifikojë oligarkët nga studio e televizioneve, por e ka çuditërisht të pamundur të identifikojë fashistët që mbajnë në duar cepin tjetër të banerit të parrullave. Mund të sulmojë pa hezitim Ramën dhe qeverinë, po kjo nuk është se do shumë këllqe sepse në shesh të gjithë kanë rënë dakord se ata janë armiku. Problemi është se kur konfrontimi rrezikon të acarojë grupe që kontrollojnë pjesë të caktuara të protestës, Lëvizja Bashkë, gazetarë e aktivistë të majtë, fitojnë befas virtytet e durimit dhe heshtjes.
Ata kanë parë të zhbëhen kauzat fillestare të protestës, kanë parë si iu ndërpritet në mes fjala atyre pak personave seriozë që janë lejuar të flasin në mikrofon, teksa disa broçkulla delirantësh dëgjohen më vëmendje dhe duartrokiten. Kanë toleruar vulgaritetin nacionalist të protestës, e madje edhe intimidimin fizik, pa bërë kurrë një deklaratë të vetme publike distancimi apo dënimi të gjesteve të tilla. Kur incidentet kanë qenë tepër të shëmtuara për t’u injoruar, justifikimi ka qenë se personat përgjegjës janë provokatorë të paguar nga qeveria dhe të infiltruar në protestë.
Tani, nëse Kryeministri financon organizatorët, zgjedh cili do të flasë në podium dhe i ndez apo ia shuan fitilat protestës sipas dëshirës, atëherë ndoshta nuk duhet ta quajmë më protestë popullore. Nëse lëvizja u kontrolloka deri në këtë pikë nga njeriu të cilin kërkojnë të rrëzojnë nga pushteti, atëherë ndoshta s’është veçse një tjetër ingranazh në makinerinë e tij politike.
Por, nëse nga ana tjetër kjo nuk është e vërtetë, atëherë Lëvizja Bashkë dhe progresistët e tjerë të protestës ndoshta duhet të pranojnë se grupet fashiste që marshojnë krah tyre i përkasin realisht lëvizjes dhe tolerohen sepse e majta ka frikë mos përjashtohet prej saj.
Pazari që grupi progresist duket se ka bërë, është që t’i ofrojë protestës kredibilitetin e vet dhe pretendimin se kjo është një protestë plurale, në mënyrë që në këmbim të lejohet në shesh, por pa zë dhe pa ndikimin më të vogël në drejtimin e saj,
Për një parti që premton transformim radikal, të flasësh aty ku ndihesh i sigurt dhe të heshtësh aty ku rrezikon është një rol i mjerë. Ndonjëherë është e pranueshme ta ‘përdhosësh’ flamurin, kur përdoret për të të mbyllur gojën apo për të të poshtëruar. Sikurse është e pranueshme dhe e nevojshme madje të flasësh kundër protestës, edhe nëse e mbështet kauzën qëndrore të saj. Në politikë nuk ka asgjë të shenjtë veç sinqeritetit dhe parimeve për të dënuar atë që është e gabuar, edhe nëse vjen nga radhët e tua.
Mund të marshojnë sa të duan duke kënduar vargje rezistencash botërore, e vetmja gjë që bëjnë me heshtjen e tyre kur flamuri përdoret për t’iu mbyllur gojën njerëzve është legjitimimi i shpirtit fashist që ka kapluar tashmë protestën.









Komente
Komento