Prania e NATO-s në Kosovë dhe Irak është vënë në pikëpyetje. SHBA, nën drejtimin e presidentit Donald Trump, po shtyn Aleancën për një rishikim të madh të angazhimeve jashtë territorit euroatlantik, përfshirë zvogëlimin e KFOR-it dhe mbylljen e misionit këshillimor në Irak.
Sipas katër diplomatëve të NATO-s të cituar nga POLITICO, kjo lëvizje po përshkruhet brenda Aleancës si “rikthim në parametrat fillestarë”, pra kthim tek roli bazë i mbrojtjes dhe parandalimit, duke lënë në plan të dytë operacionet në zona krizash dhe partneritetet globale.
Në Kosovë, SHBA ka sinjalizuar se dëshiron të zvogëlojë ose tkurrë praninë në KFOR, misioni paqeruajtës i vendosur në vitin 1999 pas luftës dhe që sot ka rreth 4,500 trupa. Diskutimet janë ende në fazë të hershme, por sipas diplomatëve, kjo ka ngritur shqetësim serioz tek aleatët europianë, që e shohin misionin si element kyç për stabilitetin në rajon.
Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se një tërheqje e parakohshme mund të rrisë tensionet në veri të Kosovës dhe të krijojë efekt zinxhir në Bosnje e Hercegovinë.
"Jemi shumë të shqetësuar për këto përpjekje. Situata në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohet shpejt" tha një diplomat i lartë i NATO-s për Politico.
Paralelisht, Uashingtoni ka kërkuar që misioni i NATO-s në Irak të mbyllet që në shtator. Ky operacion, i ngritur në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të president Donald Trump, ka për qëllim forcimin e institucioneve të sigurisë në Irak dhe parandalimin e rikthimit të ISIS-it. Brenda Aleancës ka ndarje mendimesh: disa vende janë dakord për reduktim gradual, por jo për mbyllje të menjëhershme.
Në të njëjtën linjë, SHBA ka lobuar që Ukraina dhe katër partnerët e Indo-Paqësorit, Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut, të mos marrin pjesë në takimet formale të samitit të korrikut në Ankara. Kjo shihet si pjesë e strategjisë për ta fokusuar NATO-n vetëm te çështjet thelbësore të mbrojtjes kolektive.
Zëvendësshefi i Pentagonit, Elbridge Colby, e ka quajtur këtë qasje “NATO 3.0”, duke theksuar se jo çdo mision mund të jetë prioritet dhe se serioziteti matet me aftësinë e forcave europiane për të luftuar dhe për të fituar në skenarët që prekin drejtpërdrejt mbrojtjen e Aleancës.
Për momentin nuk ka vendim përfundimtar. Çdo mbyllje apo nisje misioni kërkon miratimin e të 32 vendeve anëtare të NATO-s, por presioni nga Uashingtoni duket se ka hapur një debat të fortë për drejtimin që do marrë Aleanca në vitet e ardhshme.
Komente









