SHBA dhe Irani pritet të rikthehen në bisedime. Ato mund të zhvillohen sot ose nesër në takime të ndara me ndërmjetësimin e Katarit. Reuters raporton se diskutimet sipas një zyrtari anonim, pritet të përqëndrohen në një version të ndryshuar të propozimit të fundit 7 ditor të Iranit që u prezantua javën e kaluar, në kuadër të punimeve të OKB.

Ministri i Jashtëm iranian Aragchi ndodhet ende në Nju Jork. Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve ISNA konfirmoi më vonë se ai do të takohej me ndërmjetësit në Shtetet e Bashkuara të hënën në mëngjes, sipas orës së Nju Jorkut.

Plani shtatëditor i Iranit parashikon përfundimin e të gjitha armiqësive në Iran dhe Liban, zhbllokimin e miliarda dollarëve në asete iraniane, heqjen e sanksioneve ndaj naftës iraniane dhe heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.

Në këmbim, Teherani do të lejonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa të dyja palët do të rinisnin gjithashtu bisedimet për programin bërthamor të Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën se e kishte refuzuar propozimin e Iranit, megjithatë, konfirmoi se negociatorët do të zhvillojnë bisedime të tjera. Në anën tjetër, Teherani zyrtar konfirmoi të dielën se ndërmjetësit nuk i kanë përcjellë zyrtarisht një refuzim amerikan.