SHBA-të i mashtruan me ‘Gërdecin’ e fishekët kinezë, ja pse s’falet askush

SHBA-të i mashtruan me ‘Gërdecin’ e fishekët kinezë, ja pse s’falet askush

Tragjedia e Gërdecit

Asgjë nuk harrohet në këtë vend, sado që të vonojë. Dhe në këtë këndvështrim, as Gërdeci, ku 26 njerëz të pafajshëm humbën jetën nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Rifillimi i hetimeve për Gërdecin nga ana e SPAK, detyrimisht do të çojë dhe në hetimin zyrtar të mashtrimit më të madh që iu bë aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës për “paketën” e fishekëve me të cilën do të furnizohej ushtria afgane.

Janë të ndërlidhura ngjarjet, pavarësisht se shpërthimi i Gërdecit dhe mashtrimi me fishekët kinezë, mashtrim mirëfilli shtetëror dhe i mirëmenduar, janë dy çështje të ndryshme që duhen hetuar dhe u duhet shkuar deri në fund për të nxjerrë dikë apo disa që kanë përgjegjësi ligjore.

Sipas akuzave të cilat janë bërë publike tashmë, kanë hyrë dhe në ‘axhendën’ ligjore të gjykatave amerikane, thuhet se ‘ura’ mes të dy këtyre çështjeve është Shkelzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha. Kjo është akuza publike, që të paktën të saktësohet dhe nga drejtësia shqiptare, nëse është e vërtetë dhe e mbështetur më prova e fakte ligjore ose jo.

Gjykatat amerikane këtë kanë thënë, teksa morën në shqyrtim ankesën e Shkëlzen Berishës, i cili paditi për shpifje gazetarin amerikan Guy Laëson, autor i librit “Armët e Çunat”, që ka në thelb tragjedinë e Gërdecit. Laëson ka shkruar për lidhjet e Shkëlzen Berishës me Efraim Diverolin dhe për pasojë dhe me mashtrimin me fishekët kinezë, pasi ishte pajtuar një kompani mirëfilli për heqjen e paketimit me shënime kineze dhe paketimin e ri e të manipuluar, në mënyrë që të shiteshin si fishekë hungarezë.

Në fillim ishte biznemesni i ndjerë Kosta Trebicka ai që u mor me këtë punë, kundrejt pagesës kuptohet. Më pas, sipas deklaratave publike të vetë Efraim Diverolit, rezulton të ishte i përfshirë djali i kryeministrit për të nxjerrë dhe ai fitimin maksimal. Këtë tha dhe gazetari amerikan, i cili më pas fitoi dhe gjyqin në të dyja shkallët e gjyqësorit në Florida-SHBA.

Efraim Diveroli ishte një trafikant armësh nga Florida, nga ata “adoleshentët” që mund të bëjnë gjithçka për t’u pasuruar pa pasur ndonjë përgjegjësi të madhe e pa u matur fare. Më konkretisht, Diveroli ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën prej 298 milionë dollarësh. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane me municione.

Por, teksa realizoi disa kontakte me Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare, dhe konkretisht me kreun e kompanisë shtetërore të tregtisë së armëve MEICO, Ylli Pinari, Diveroli ia arriti që fishekët kinezë të merreshin e të përdoreshin për t’u transportuar në Afganisatan dhe furnizuar forcat e sigurisë atje me këtë lloj municioni. I bleu lirë, ndërsa të fituar dolën të gjitha palët.

Kështu që Diveroli e shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze, dhe bashkë me të e shkeli dhe qeveria shqiptare e cila ishte e vetëdijshme për këtë shkelje, sepse kishte dokumente shkresore amerikane në tavolinë që në atë kohë, sipas të cilave municionet kineze nuk duhej të përdoreshin në asnjë rast për tregëti, por duhej të dërgoheshin për scrap.

Ministria shqiptare e Mbrojtjes kishte disa pika të demontimit, shtetërore themi, si në Poliçan, Mjekës-Elbasan dhe në Gramsh. Por nuk preferoi që t’i çonte atje. U aktivizua gjithë piramida shtetërore në funksion të një biznesi të ri demontimi, atij të Gërdecit. Një pjesë demontoheshin, ndërsa fishekët kinezë ndryshonin destinacion, paketoheshin duke fshirë çdo gjurmë kineze dhe dërgoheshin në Afganistan si municione hungareze.

Pra fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec ku kishte të shënuar në të gjitha dokumentet se municionet e kallashnikovit ishin prodhim hungarez i viteve 1965-1975. Kjo ka dalë në anën shkresore por dhe gjatë përgjimeve të komunikimit telefonik mes Diverolit dhe Kosta Trebickës para shpërthimit të Gërdecit.

Diveroli shprehet në këtë bisedë telefonike të përgjuar se, në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe djali i tij Shkëlzeni, të cilët i konsideron si ‘mafien më të fortë’. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet: “…kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”!

Në fund të herës, ishte përzier shteti, me një ndërthyrje të tillë, ku “sondohej’ për të fituar në dy elementë: Ngritjen e punishtes së demontimit të municioneve, duke përfituar paratë e dhëna nga aleatët tanë për këtë qëllim, e nga ana tjetër, pjesa më e madhe e municioneve, fishekë kinezë kryesisht, që niseshin me makinat e ushtrisë, dërgoheshin në Gërdec për një qëllim tjetër, paketoheshin me ambalazh me etiketa hungareze dhe dërgoheshin në Kabul, për të pajisur forcat e sigurisë afgane me këtë municion kallp.

Ishte një mashtrim i dyfishtë që u bëhej SHBA-ve, dhe paratë e demontimit ishin përfituar një më një, pjesë sipas akuzave publike kishte dhe djali i ish kryeministrit Berisha përmes punishtes së Gërdecit, ndërkohë që pjesa më e madhe e këtyre municioneve kineze i dorëzoheshin Diverolit, që e dërgonte në Kabul si mall hungarez. Fitonin të gjitha palët e përfshira në këtë biznes tragjik.

Pjesa tjetër e historisë dihet. Shpërthimi i punishtes së municioneve në Gërdec vrau 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Ndërkohë që biznesmeni i paketimit dhe ambalazhimit të municioneve, Kosta Trebicka, shtetas amerikan ky, pasi u mënjanua nga biznesi teksa akuzoi djalin e ish kryeministrit si të përfshirë në këtë aferë si dhe kërcënoi se do ta bënte prezent në zyrat e CIA-as amerikane këtë maskarallëk, gjeti vdekjen në rrethana misterioze në rrafshnaltën e Korçës, teksa kishte dalë për “gjueti”.

Ndërsa ish shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Gjeneral Luan Hoxha, pasi u rrëfye tek ish ambasadori amerikan John Uidhers, është zbardhur i plotë kabllogrami i ambasadorit i dërguar në DASH me rrëfimin e gjeneralit, kërkoi azil politik në SHBA. Të cilin e mori, për shkak se ishte i frikësuar për jetën e tij dhe të familjes, nga ato që dinte. Kabllogrami i Uidhers dërguar në DASH thotë se gjenerali kishte deklaruar në rrëfimin e tij se i trembej djalit të ish kryeministrit.

Sa i vërtetë është lajmi se gjeneral Luan Hoxha u kthye në një të penduar të madh të drejtësisë amerikane, vetëm organet kompetente mund ta thonë, ose vetë gjenerali në ekzil. Por duke qënë se mbahet andej, duke jetuar si një qytetar i zakonshëm amerikan, kjo do të thotë se ai ka thënë ndonjë gjë që vlen dhe për këtë çështje.

Vetë Diveroli për këtë mashtrim me fishekët kinezë është marrë nën hetim, është gjykuar dhe ka marrë dënimin sipas ligjeve amerikane. Pra drejtësia amerikane e ka thënë fjalën e saj për palën e vet që mashtroi dhe shkeli ligjin, tregtari i armëve Diveroli u dënua.

Ndërsa Shqipëria nuk bëri asnjë hap për të dënuar zyrtarët që ndihmuan këtë trafik municionesh duke zbrazur depot shqiptare nga fishekët kinezë për të fituar me gjithçka. Përfshirja e emrit të Shkëlzen Berishës në këtë aferë, e konfirmuar dhe nga gjykatat amerikane të cilat i dhanë të drejtë gazetarit që e ‘fiksoi’ në librin e tij këtë fakt, shënoi dhe fundin e drejtësisë shqiptare.

Mediat në Shqipëri kanë shkruar se SPAK ka dërguar një letërporosi në SHBA, ku kërkon ndihmën e autoriteteve amerikane për të marrë në pyetje biznesmenin Efraim Diveroli, i akuzuar si i përfshirë në trafik fishekësh në Gërdec. Ndonëse është e habitshme si kërkohet të merret në pyetje biznesmeni amerikan i armëve, teksa ai ka dëshmuar përballë drejtësisë amerikane se si dhe ku e ka bërë këtë trafik municionesh me fishekë kinezë. Ka treguar vende dhe data, me kë është takuar dhe me kë ka komunikuar dhe lidhur marrëveshje. Janë emra shqiptarësh aty.

Mjafton që institucionet hetimore shqiptare të marrin dëshminë e Diverolit te homologët amerikanë dhe gjithçka është e kopsitur. Vetëm në rast se marrja në pyetje e Diverolit, i cili ka mbaruar punë me drejtësinë dhe ka marrë dënimin që meritonte, po përdoret nga drejtësia jonë për të zvarritur deri në pamundësi këtë proces hetimi. I cili është mjaftuar vetëm hetimin e shpërthimit e “Gërdecit”, pa u shtrirë më tej, pikërisht aty ku gjendet korrupsioni shtetëror i asaj kohe, me emër dhe mbiemër.

Megjithatë nëse SPAK e ka seriozisht hetimin e trafikut shtetëror të fishekëve kinezë, dëshmia që do të dalë nga marrja në pyetje e Diverolit, mund të nxjerrë dhe emrin e Shkëlzen Berishës dhe të funksionarëve të tjerë shtetërorë si të përfshirë në këtë trafik të pazakontë municionesh kineze. Pasi djali i ish kryeministrit akuzohet si i përfshirë në skemën korruptive të Diverolit me fishekët shqiptarë, që çoheshin për demontim në Gërdec, për këtë kishte hedhur shuma të mëdha dhe SHBA, por në të vërtetë pjesa më e madhe e tyre paketoheshin me etiketë hungareze dhe dërgoheshin në Afganistan. Drejtësia shqiptare duhet ta vertetojë ligjërisht këtë fakt. Le ta lirojë nga të gjitha akuzat Shkëlzenin, nëse nuk është përzjerë në këtë aferë. Por ama hetimi të bëhet.

SPAK s’ka vështirësi për të hetuar, thjeshtë duhet vullnet për të marrë dëshminë e Diverolit, qoftë dhe të gjeneral Luan Hoxhës, dhe gjithçka kopsitet. Janë dy çështje në një, ose dhe e hap më vete çështejn e trafikut të municioneve shqiptare, të dalë me firmë dhe me vulë nga depot e ushtrisë shqiptare, duke i ndryshuar destinacionin, nga shkarkimi i tyre për t’u demontuar në Gërdec, në paketimin dhe dërgimin si ndihmë për forcat e sigurisë afgane. Që u furnizuan me fishekë të skaduar kineze, përkundër embargos së SHBA ndaj një malli të tillë.

Shpresa për një hetim të thelluar nga SPAK është rritur me ardhjen në krye të këtij institucioni të lartë të hetimit, të Altin Dumanit. I cili ka mbështetjen pa limit të aleatit tonë të madh, SHBA-së.

Përpos faktit që Berisha dhe Diveroli akuzohen se mashtruan rëndë qeverinë amerikane, njëherë duke marrë paratë e demontimit të municioneve kineze, pjesa më e madhe e të cilave nuk u shkatërruan dhe herën tjetër duke thyer embargon ndaj municioneve kineze, teksa fishekët u paketuan me etiketë hungareze e në vend që të demontoheshin u dërguan përmes Diverolit në Afganistan. SHBA nuk i fal këto lojrat e vogla ballkanike në kurriz të saj.

Habi shkakton fakti që Berisha ka gati dy vjet që i kërkon Blinken fakte se përse SHBA e ka shpallur “non grata” familjarisht për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Mbyllja e Gërdecit dhe e trafikut të municioneve kineze nuk është një fakt?! SHBA nuk harron kurrë, madje nuk të fal në rastet kur e mashtron. Aq më tepër “mistrecët” politikë ballkanikë.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lami: 17/01/2023 14:31

    Mediokrriteti si tipar xhenerik Ramist tashme eshte vlere qe reflekton thellesine e korruptimit etiko social. Pra, ne SHBA nje gjykate federale denoi Diverolin per mashtrim dhe shkelje te ligjit amerikan. Asnje zyrtar amerikan nuk u hetua apo denua. Ndersa ne Shqiperi u denuan partneret ne biznes te Diveroli si dhe disa zyrtare te kohes. Dhe nje ish minister vijon nen akuze. A ka ndonje ide gazetari perse zyrtare amerikane nuk jane hetuar apo gjykuar per skandalin? Perse Diveroli dhe kompania e tij nuk jane hetuar dhe gjykuar ne Shqiperi? Perse nuk jane hetuar dhe gjykuar ne Shqiperi zyrtare dhe funksionare te kohes si ish Kryeministri, i cili lejoi aferen, apo Kryeministri aktual i cili ne cilesine e kreut te opozites ndikoi tek ish kryeministri ne favor te te akuzuarit me te fundit Mediu? Para se te shkruani, kenibte pakten dinjitetin te te qenurit objektiv dhe jo militues partiak te verber.

    Përgjigju
  • Tata: 16/01/2023 20:29

    Per sqarim,fisheket kineze iu shiten ushtareve amerikane ne afganistan dhe kontrata eshte lidhur diverol pentagon,nuk jeni te sakte,pra ketu eshte mashtruar pentagoni sepse dhe pasojat jane denoncuar nga ushtaraket ne afganistan nga keto fisheke skadente,ka raporte te shumta. Ketu ceshtja eshte se do gjykohen atje apo ketu.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Ralf Rangnick i thotë 'jo' Bayern Munich! Tre trajnerë refuzojnë bavarezët

Ralf Rangnick i thotë 'jo' Bayern Munich! Tre trajnerë refuzojnë bavarezët