Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pretendimet e disa mediave se SHBA kishte kërkuar zgjatjen me 2 javë të armëpushimit me Iranin, por shprehu bindjen se një marrëveshje me Teheranin do të arrihet sëshpejti. Ndërkohë një lajm i mirë vjen edhe nga Hezbollahu, i cili ka pranuar marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin, e cila u dakordësua gjatë takimit 3-palësh në Uashington. Hezbollahu kërkoi që marrëveshja e armëpushimit të zbatohej me korrektesë edhe nga Izraeli, ashtu siç ishte rënë dakord.
Edhe Presidenti Donald Trump u shpreh optimist për një marrëveshje përfundimtare me Iranin, që do t'i jepte fund luftës brenda muajit prill. Negociatat mes dy vendeve pritet të rinisin me ndërmjetësimin e Pakistanit, pasi bisedimet në fundjavën e shkuar dështuan. Teherani thotë se nuk ka “asnjë informacion” për ndonjë marrëveshje për një takim të dytë.
“Lufta në Iran është pothuajse e përfunduar. E konsideroj shumë pranë fundit”, ka thënë presidenti amerikan. “Bisedimet me Iranin mund të rifillojnë në dy ditët e ardhshme, por po mendojmë për një vend tjetër që të mos jetë Pakistani”, tha mes të tjerash Trump.
Presidenti amerikan ka deklaruar gjithashtu se Kina është “shumë e lumtur” që SHBA-të po punojnë për të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe kanë rënë dakord të mos i dërgojnë armë Iranit.
“Kina është shumë e lumtur që unë po e hap përgjithmonë Ngushticën e Hormuzit. Po e bëj këtë edhe për ta - dhe për botën. Kjo situatë nuk do të ndodhë më kurrë. Ata kanë rënë dakord të mos i dërgojnë armë Iranit" shkroi Trump në Truth.
Më herët Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi sërish kryeministren italiane Giorgia Meloni duke e akuzuar për mungesë mbështetjeje ndaj Amerikës në përballjen e saj me Iranin.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh: “Meloni ka qenë negative. Kushdo që ka refuzuar të na ndihmojë në menaxhimin e situatës me Iranin, me atë vend nuk kemi më të njëjtin raport.”
Ndërkohë, teksa flitet për paqe, Washington Post raporton se Pentagoni do të dërgojë mijëra trupa të tjera në Lindjen e Mesme në ditët në vijim. Forcat që mbërrijnë në rajon përfshijnë afërsisht 6,000 ushtarë në bordin e aeroplanmbajtëses USS George H.Ë. Bush dhe disa anije luftarake shoqëruese, thanë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti. 4,200 ushtarë të tjerë, që i përkasin Grupit Boxer Amphibious Ready dhe task forcës detare të nisur, Njësia e 11-të Ekspedicionare Detare, pritet të mbërrijnë më vonë këtë muaj.

Thesari i SHBA-së ka njoftuar një sërë sanksionesh të reja kundër individëve, organizatave dhe anijeve që janë të lidhura me Iranin.
Sipas BBC, bëhet fjalë për tre persona, nëntë anije dhe 17 subjekte ku përfshihen kompani ose organizata.
Ky vendim, vjen pas një njoftimi të dhënë nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, pak kohë më parë, se ‘SHBA-të nuk do të rinovonin të licensën për ato që kishin lejuar blerjen e naftës ruse dhe iraniane që lundronte në det’.

Hezbollahu libanez ka rënë dakord për një armëpushim me kusht që të gjitha palët, përfshirë Izraelin, ta respektojnë marrëveshjen. Kjo u deklarua nga Mahmoud Komati, nënkryetar i Këshillit Politik të lëvizjes.
"Ne e pranojmë armëpushimin, por nuk do të lejojmë një përsëritje të skenarit të vitit 2024, kur njëra palë respektonte marrëveshjen, ndërsa pala tjetër, Izraeli, i shpërfillte detyrimet e tij", tha Komati në një intervistë me transmetuesin libanez Al-Jadeed.
Më parë, Shtetet e Bashkuara raportuan se Izraeli dhe Libani ranë dakord, pas një takimi trepalësh të mbajtur dje në Uashington, të fillojnë negociatat direkte në një datë dhe vend të dakorduar reciprokisht.
Më 1 mars, milicia shiite libaneze Hezbollah rifilloi luftën e saj të armatosur kundër Izraelit, pas vdekjes së udhëheqësit suprem të atëhershëm iranian, Ajatollah Ali Khamenei (1939-2026) në një nga bombardimet e para të përbashkëta SHBA-Izrael kundër Republikës Islamike.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), në përgjigje të sulmeve me raketa, intensifikuan sulmet e tyre kundër objektivave të Hezbollahut në pjesë të ndryshme të Libanit dhe më 3 mars njoftuan fillimin e një operacioni tokësor në Libanin jugor.

Kremlini ka deklaruar se Irani ka të drejtë të pakushtëzuar për të zhvilluar energji bërthamore për qëllime paqësore. Deklarata u bë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë për India Today.
“Irani, si çdo vend tjetër në botë, duhet të ketë të drejtën, dhe kjo është një e drejtë e pakushtëzuar, për energji bërthamore paqësore”, u shpreh ai.
Peskov theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Rusia dhe Iranit mbeten të forta, duke e cilësuar Teheranin si partner strategjik. Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në disa fusha, nga ekonomia dhe investimet deri te teknologjia dhe sektorë të ndjeshëm, ndërsa Moska synon t’i thellojë më tej këto lidhje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po shqyrtojnë mundësinë për të zgjatur me dy javë armëpushimin që pritet të skadojë të martën e ardhshme, për t’i dhënë më shumë kohë negociatave për një marrëveshje paqeje.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Bloomberg dhe al-Arabiya, ndërmjetësit janë duke punuar për të nisur bisedime teknike mbi çështjet më delikate, si rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe programi i pasurimit bërthamor të Iranit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për koordinim më të fortë mes vendeve europiane për të mbrojtur interesat dhe stilin e jetesës, gjatë një konference të përbashkët me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
“Tani të gjithë ne në Europë duhet të koordinohemi në mënyrë konkrete për të mbrojtur interesat dhe stilin tonë të jetesës”, tha ai. Duke folur për konfliktin në Iran, Zelensky theksoi se pasojat ndihen kudo: “Nuk ka asnjë vend që nuk ndjen pasojat e luftës në Iran: rriten kostot e jetesës, shtohen rreziqet energjetike dhe përkeqësohen kushtet sociale”.
Ai shtoi se Ukraina po kontribuon në stabilizimin e situatës, duke ndihmuar vendet e rajonit në mbrojtje, ndërsa theksoi nevojën për sisteme moderne sigurie në gjithë Europën. “Sot, pa një mbrojtje të fortë kundër dronëve, askush nuk është i sigurt”, u shpreh Zelensky.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se Italia dhe Ukraina janë në solidaritet me vendet e Gjirit dhe mbështesin forcimin e sigurisë së tyre.
“Si Italia, ashtu edhe Ukraina kanë treguar solidaritet ndaj vendeve të Gjirit… një nga kushtet për një dalje të qëndrueshme nga kriza është forcimi i sigurisë së këtyre vendeve”, tha ajo, duke shtuar se edhe Zelensky ka vënë në dispozicion për partnerët përvojën e Ukrainës në mbrojtje, si bazë për bashkëpunim edhe në industrinë ushtarake.

Ushtria izraelite ka marrë urdhër për të vrarë çdo luftëtar të Hezbollahut në zonën jugore të Libanit që shtrihet nga kufiri izraelito-libanez deri në lumin Litani, sipas një deklarate ushtarake të lëshuar sot nga IDF.
"Kam dhënë urdhrin që zona jugore e Libanit deri në Litani të shndërrohet në një zonë vdekjeprurëse për çdo terrorist të Hezbollahut", thuhet në deklaratë, duke cituar gjenerallejtënant Eyal Zamir, shefin e shtabit të ushtrisë, gjatë një vizite te trupat izraelite të vendosura në tokën libaneze.

Një armëpushim njëjavor në Liban mund të hyjë në fuqi sonte në mbrëmje, sipas gazetës al Mayadeen, duke cituar një burim iranian të sigurisë.
"Pas presionit nga Irani, një armëpushim në Liban do të miratohet sonte në mbrëmje", shpjegoi burimi.
Megjithatë, i njëjti burim bëri thirrje për kujdes, pasi sipas tij është e mundur që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu 'të veprojë përsëri për të minuar këtë marrëveshje'.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, është shprehur se çdo veprim apo ndërhyrje në Ngushticën e Hormuzit, vetëm sa do ta ndërlikonte situatën.
"Çdo veprim ose ndërhyrje në Ngushticën e Hormuzit vetëm sa do ta ndërlikonte situatën", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, në përgjigje të planit të fundit të vendeve evropiane për të formuar një koalicion për të garantuar sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas luftës.
"Irani ka garantuar sigurinë e Ngushticës së Hormuzit për dekada të tëra dhe, me ndihmën e shteteve rajonale, Irani është i aftë të garantojë sigurinë dhe lundrueshmërinë atje, me kusht që ndërhyrja dhe lufta aktuale të ndërpriten", shtoi ai, i cituar nga agjencia e lajmeve ISNA.
Irani, shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, mban marrëdhënie diplomatike me shtetet evropiane dhe kur është e nevojshme, mban diskutime dhe kontakte me to, por "Irani gjithmonë do ta konsiderojë qëndrimin e zyrtarëve gjermanë ndaj vendit si të gabuar".

Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënë dakord zyrtarisht për të zgjatur armëpushimin me Iranin, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN , duke mohuar pjesërisht raportet se Uashingtoni dhe Teherani kishin arritur një marrëveshje në parim për një zgjatje për të lejuar më shumë kohë për negociata.
"Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënë dakord zyrtarisht për një zgjatje të armëpushimit. Diskutimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë duke vazhduar për të arritur një marrëveshje", tha zyrtari.
Sipas burimeve të njohura me negociatat, një zgjatje e mundshme është ende në tryezë, por administrata Trump është e etur të arrijë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur.
Donald Trump ka kritikuar ashpër planin e supozuar europian për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pa përfshirjen e Amerikës
Duke folur për Fox News, ai e quajti këtë nismë “shumë të trishtueshme” dhe shtoi: “Hormuzi po rihapet tashmë, ka anije që hyjnë dhe dalin. Por si mund të jesh me një grup vendesh me këtë qëndrim?”
Trump solli edhe një shembull tjetër: Groenlanda. “Na duhej për të mbrojtur botën nga Rusia dhe Kina”, tha ai.
Ndërkohë, në Europë po lëvizet në drejtim tjetër. Emmanuel Macron dhe Keir Starmer do të drejtojnë të premten në Paris një konferencë me synim rikthimin e lirisë së lundrimit në Hormuz.

Donald Trump ka goditur sërish kryeministren italiane Giorgia Melonin, duke e akuzuar për mungesë mbështetjeje ndaj Amerikës në përballjen e saj me Iranin.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh: “Meloni ka qenë negative. Kushdo që ka refuzuar të na ndihmojë në menaxhimin e situatës me Iranin, me atë vend nuk kemi më të njëjtin raport.”
Ai shtoi edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Italinë: “Vetëm për informacionin tuaj: Italia merr sasi të mëdha nafte nga Ngushtica e Hormuzit.”
Foto: Donald Trump dhe Xi Jinping
Presidenti amerikan ka deklaruar se Kina është e kënaqur që do të hapë përgjithmonë Ngushticën e Hormuzit.
Përmes një postimi në rrjete sociale presidenti amerikan shprehet se këtë hap po e ndërmerr për të gjithë botën.
Ndër të tjera Trump thotë se Kina ka rënë dakord që të mos i dërgojnë armë Iranit.
“Kina është shumë e lumtur që unë po e hap përgjithmonë Ngushticën e Hormuzit. Po e bëj këtë edhe për ta - dhe për botën. Kjo situatë nuk do të ndodhë më kurrë. Ata kanë rënë dakord të mos i dërgojnë armë Iranit. Presidenti Xi do të më japë një përqafim të madh kur të mbërrij atje pas disa javësh. Po punojmë së bashku me zgjuarsi dhe shumë mirë! A nuk është kjo më e mirë se luftimet??? POR MOS HARRONI, ne jemi shumë të mirë në luftime, nëse është e nevojshme - shumë më mirë se kushdo tjetër”, shkruan Trump.

Foto: Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka sulmuar përsëri NATO-n dhe po vë në pikëpyetje kontributin e Amerikës në aleancë.
"NATO nuk ishte aty për ne. Dhe kjo do të thotë që nëse nuk janë aty tani, nuk do të jenë aty as në të ardhmen. Atëherë, pse jemi ne atje? Pse po shpenzojmë qindra miliarda dollarë në vit për NATO-n nëse nuk na mbështesin", tha Trump në një intervistë me Fox News.
Ai theksoi se përderisa NATO nuk e ka mbështetur në lidhje me luftën në Iran, nuk kanë për ta mbështetur gjithashtu edhe në çëhtje të tjera të rëndësishme.
"Nëse nuk na mbështesin për çështjen iraniane, nuk do të na mbështesin për një çështje shumë më të rëndësishme se Irani", shtoi Trump.

Pentagoni do të dërgojë mijëra trupa të tjera në Lindjen e Mesme në ditët në vijim, ndërsa administrata Trump kërkon të ushtrojë presion mbi Iranin për një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit, raporton Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Forcat që mbërrijnë në rajon përfshijnë afërsisht 6,000 ushtarë në bordin e aeroplanmbajtëses USS George H.W. Bush dhe disa anije luftarake shoqëruese, thanë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë kushte anonimiteti. 4,200 ushtarë të tjerë, që i përkasin Grupit Boxer Amphibious Ready dhe task forcës detare të nisur, Njësia e 11-të Ekspedicionare Detare, pritet të mbërrijnë më vonë këtë muaj.
Përforcimet ushtarake pritet t'u bashkohen anijeve luftarake tashmë të stacionuara në Lindjen e Mesme, pikërisht kur armëpushimi dyjavor skadon më 22 prill. Trupat do t'u bashkohen afërsisht 50,000 trupave që Pentagoni vlerëson se janë të angazhuar në operacione kundër Iranit.

Foto: Donlad Trump
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh optimist për një marrëveshje me Iranin që do t’i jepte fund luftës brenda muajit prill.
"Një marrëveshje me Iranin deri në fund të prillit është e mundur. I kemi pushtuar mjaft keq, është shumë e mundur", tha Donald Trump gjatë një bisede telefonike me korrespondentin e Sky News UK në Uashington, Mark Stone.

Një anije cisternë iraniane nafte e listuar nën listën e sanksioneve të SHBA-së ka anashkaluar bllokadën e SHBA-së dhe ka hyrë në Ngushticën e Hormuzit, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars.
Anija, e identifikuar si një VLCC, thuhet se ka hyrë në ujërat iraniane "pa asnjë fshehje dhe me sistemin e saj të navigimit të aktivizuar", duke kaluar detin e hapur dhe Ngushticën.
Anija cisternë ka një kapacitet prej afërsisht 2 milionë fuçi naftë bruto. Kalimi ka ndodhur pavarësisht pohimit të Shteteve të Bashkuara se nuk do të lejonte asnjë anije të drejtohej drejt bregdetit iranian ose të ankorohej në portet e saj.

Foto: Papa Leone XIV dhe Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka tërhequr sërish vëmendjen me dy postime në Truth, një kundër Papa Leone XIV dhe tjetrin kundër NATO-s.
"A mund t'i thotë dikush Papa Leo se Irani ka vrarë të paktën 42,000 protestues të pafajshëm dhe plotësisht të paarmatosur në dy muajt e fundit, dhe se që Irani të posedojë një bombë bërthamore është absolutisht e papranueshme? Faleminderit për vëmendjen tuaj. AMERIKA ËSHTË KTHYER!!! Presidenti DONALD J. TRUMP”, shkruan ai.
Ndërkohë në një postim tjetër, presidenti amerikan ka përsëritur sërish se NATO nuk ishte për SHBA-në në luftën ndaj Iranit.
"NATO nuk ishte aty për ne dhe nuk do të jetë aty në të ardhmen!”, shprehet Trump.

Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në përfundim të bisedimeve në Uashington, duke theksuar se “të gjitha palët kanë rënë dakord të nisin një proces negociatash të drejtpërdrejta, në një vend dhe kohë që do të përcaktohen, si dhe mbi formatin e tyre”.
Nga pala amerikane u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara “mbështesin planet e qeverisë libaneze për të rikthyer monopolin mbi armët dhe për t’i dhënë fund ndikimit të brendshëm iranian, si edhe të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”.
Nga pala izraelite u komunikua se “është shprehur mbështetje për çmontimin e të gjitha organizatave të armatosura joqeveritare dhe të infrastrukturave terroriste në Liban, duke nënvizuar angazhimin për të bashkëpunuar me qeverinë libaneze për arritjen e këtij objektivi”.

Foto: Flamuri i SHBA-së dhe Iranit
Me qëllim rritjen e presionit mbi Shtetet e Bashkuara për të bërë kompromis në konfliktin me vendin e tij, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi i informoi kryeqytetet evropiane mbi natyrën e ofertës që Irani kishte deklaruar se ishte i gatshëm të bënte në lidhje me rezervat e tij të uraniumit të pasuruar shumë dhe menaxhimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit gjatë bisedimeve të fundjavës në Islamabad. Raporton The Guardian.
Pas bisedimeve të pafrytshme, Araghchi zhvilloi biseda telefonike me ministrat e jashtëm francezë dhe gjermanë Jean-Noël Barrot dhe Johann Wadephul, si dhe me ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Omanit dhe Katarit.
Ai theksoi se Irani nuk e konsideronte procesin e udhëhequr nga Pakistani të shteruar, edhe pas 21 orësh bisedimesh intensive.
Evropa është lënë mënjanë nga Donald Trump në çështjen e Iranit për më shumë se një vit, pasi presidenti amerikan është përqendruar në bashkëpunimin me Izraelin, ndërsa Teherani ka injoruar kryesisht qeveritë evropiane, duke i parë ato si besnikë të SHBA-së. Megjithatë, shenjat e një përçarjeje transatlantike në thellim dhe presionit të fortë mbi ekonomitë evropiane e kanë shtyrë Iranin të rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj Evropës, të cilën e sheh si një levë të mundshme kundër Trump.
Komente











Foli perseri,vetem mufka thote.E konsideron veten si bossi i botes.
Përgjigju