Shefi i Ushtrisë së Serbisë takohet me komandantin e KFOR-it, në fokus siguria në Kosovë dhe rajon

Shefi i Ushtrisë së Serbisë takohet me komandantin e KFOR-it, në fokus siguria në Kosovë dhe rajon

Millan Mojsilloviq dhe Ozkan Ulutash

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

KFOR-i tha në një komunikatë të mërkurën pasdite se Ulutash dhe Mojsilloviq "ndanë qëndrime e tyre për gjendjen e sigurisë në rajon".

"Ata e theksuan rëndësinë e vazhdimit të komunikimeve dhe dialogut të hapur, sepse kjo është thelbësore për forcimin e sigurisë rajonale", thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ky takim ishte pjesë e takimeve të rregullta të Ulutashit me homologët e vet ushtarakë në Kosovë dhe rajon, sipas KFOR-it.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha në një komunikatë se Mojsilloviq tha në takim me Ulutashin se gjendja e sigurisë në Kosovë “është ende e paqëndrueshme dhe e ndjeshme, gjë që kryesisht kontribuohet nga lëvizjet e njëanshme dhe provokuese” të Kosovës.

Mojsilloviqi pretendoi, pa dhënë dëshmi, se vendimet e autoriteteve kosovare “në fund synojnë ndryshimin e strukturës etnike” në veri të Kosovës.

Serbia është zemëruar nga vendimet e muajve të fundit të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet kosovare i cilësojnë ato se të jashtëligjshme dhe kundër kushtetuese, ndërsa Beogradi i ka dënuar si “veprime kriminale” dhe përpjekje “për përndjekjen e serbëve” të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar Kosovën për veprime “të njëanshme dhe të pakoordinuara” në veri të vendit.

Bashkëpunimi i Ushtrisë serbe me KFOR-in

Ministria serbe e Mbrojtjes theksoi se gjatë takimit ndërmjet Mojsilloviqit dhe Ulutashit u diskutua edhe për shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe KFOR-it gjatë mandatit të Ulutashit në krye të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Mojsilloviq falënderoi gjeneralin Ulutash për "bashkëpunimin korrekt dhe profesional dhe përfshirjen profesionale" në detyrat e tij si komandant i KFOR-it, thuhet në njoftim.

Ulutash do të përfundojë angazhimin e tij njëvjeçar në atë pozicion javën e ardhshme.

Komandanti i ri i KFOR-it do të jetë Enrico Barduani, një gjeneralmajori italian, i cili më 11 tetor do të marrë detyrën e njeriut të parë të misionit paqeruajtës në Kosovë.

Javën e kaluar, KFOR-i dhe Ushtria e Serbisë kryen një patrullë të sinkronizuar në dy anët e kufirit të Kosovës me Serbinë, pranë komunës së Podujevës.

Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e quan kufirin me Kosovën vijë administrative. Zona e Sigurisë Tokësore mes Kosovës dhe Serbisë është prej 5 kilometrash dhe është përcaktuar në Marrëveshjen Teknike të Kumanovës.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX. Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • SHQIPTARI: 02/10/2024 20:35

    Po mirë more usgtarak i NATO-s A E DI QË KOSOVA NUK VARET NGA SËRBIA? A E DINI QË KOSOVA ËSHTË SHTET I PAVARUR DHE KA FORCAT E VETA TË MBROJTIES,ÇDOTË THOTË KJO PËR JU PËRFAQËSUES USHT.ALEATE? RURP TË ULESH ME ATË QË KE LUFTUAR DHE TË ANASHKALOSH ALEATIN.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Burgu i 'Ali Demit' do strehojë të burgosurit shqiptarë të dëbuar nga Britania, do funksionojë si burg i hapur

Burgu i 'Ali Demit' do strehojë të burgosurit shqiptarë të dëbuar nga Britania, do funksionojë si burg i hapur