Velipojë- Gjatë shembjes së 24 bizneseve pa leje në Velipojë janë vënë nën hetim 6 persona, për kundërshtim të forcave të rendit.

Sipas deklaratës së policisë, ata  tentuan të bllokonin aksionin edhe pse 'blutë' kërkuan të mos pengonin punonjësit e IKMT-në.

Policia u bëri thirrje disa herë që të largoheshin nga vendi, por ata vazhduan të kundërshtonin me forcë shërbimet e Policisë. Në këto kushte policia largoi forcërisht të gjithë personat dhe IKMT-ja vazhdoi punën, duke shembur 24 objekte të paligjshme gjatë gjithë vijës bregdetare të Velipojës.

Sipas policisë, strukturat e Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale dhe materialet u refruan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të 6 shtetasve, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Kujtojmë se pasi IKMT shembi ndërtimet pa leje në zonën bregdetare të Velipojës, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ia ka paraqitur këtë shqetësim kryeministri Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ministrit të Bujqësisë Blendi Klosi dhe ambasadës së ShBA dhe BE.

Gjatë dy ditëve të kaluara IKMT ka zbarkuar në Velipojë për të prishur bizneset e ndërtuara pa leje dhe kjo ka krijuar tension dhe përplasje mes banorëve dhe policisë.