Prokuroria e Elbasanit njoftoi se dje se ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Hetimet nga prokuroria e Elbasanit kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor. Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypassin provizor që pritej të hapej ditën e sotme.

I ftuar në “Studio Live” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ish-prokurori Eugen Beci tha se gjatë hetimeve prokuroria duhet të kryejë ekspertime të pavarura, dhe të mos mjaftohet me përgjigjet dhe referencat e Autoritetit Rrugor Shqiptar. 

‘Duhet parë se si është dhënë leja e ndërtimit, leja mjedisore për rrugën e re. A ekziston ajo lidhja e famshme shkak-paspjë? A është autorizuar sipas ligjit nr.29/2024. Duhet të kuptojmë që përveç fatkeqësisë që ndodhi aty, kjo mund të ndodhë dhe në segmente të tjera të asaj rruge, për faktin e thjeshtë që po kryhen punime. Është momenti që prokuroria të verifikojë se si është dhënë leja e ndikimit në mjedis. Të kryejë një ekspertim të pavarur për të provuar nëse ka ndikim kjo rrugë që po bëhet me prishjen e shtratit të rrugës së vjetër. Atëherë që sigurisht që hyjmë në vepra penale qartësisht të sakta”,- tha Beci.

Ish-prokurori shtoi se ka gjasa që rasti të merret nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

“Në rast se konstatohen parregullësi dokumentacioni, në krijimin e lejes së ndërtimit, në krijimin e asaj që quhet dhënia e vlerësimit të ndikimit në mjedis, dhe është diçka më lartë se drejtoria e përgjithshme e rrugëve, patjetër që do ndërhyjë SPAK-u në bazë të kompetencës për të parë se cili subjekt ka shkelur ligjin aty, apo jo. Shumë vende të Bashkimit Europian, Prokurorinë për Krimin e Organizuar e ka së bashku me prokuorinë për krimet kundër mjedisit”,- tha Beci.