Shembja e aksit rrugor Librazhd-Pogradec ka sjellë problematika të shumta për bizneset e Korçës dhe Pogradecit.
Administratori i një Bujtine në Voskopojë, Anton Falo, ka rrëfyer në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV vështirësitë që është hasur bisnesi i tij gjatë kësaj fundjave.
Falo ka thënë se humbjet në hotelin e tij kanë qenë në 70-80% gjatë fundjavës, pasi prenotimet që ishin bërë, ishin anuluar për shkak të bllokimit të rrugës.
Ai tha gjithashtu se humbje edhe më të mëdha kishte në restorant. Falo kërkoi nga shteti zgjidhjen sa më parë të kësaj situate, pasi sipas tij, nëse bizneset në Voskopojë nuk punojnë gjatë fundjavave, rrezikojnë falimentin.
“Na dëmtoi jashtëzakonisht këtë fundjavë, pasi ne punojmë me një klientelë kryesisht nga Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Kavaja dhe Elbasani. Pak nga Korça. Dhe patëm një dëm shumë të madh. Patëm shumë anulime, qoftë në hotel, qoftë në restorant të dielën. Në hotel, 70-80% të dhomave na u anuluan. Nga 10 dhoma që kam unë, më erdhën vetëm tre. Shtatë u nisën, por nuk arritën dot në destinacion. U kthyen nga Librazhdi. Ata të tre ishin pak më guximtarë dhe i ranë nga Moglica. Dhe kur erdhëm edhe ata thanë që ishin bërë pishman që i ranë nga Moglica, sepse rrugët janë të ngushta në një terren malor. Ndërsa në restorant humbjet ishin akoma më të mëdha. Shpresojmë që të rregullohet sa më shpejtë ky defekt. Dëme ka pasur vazhdimisht, por këtë herë dëmet ishin më të mëdha. Ne zakonisht në Voskopojë punojmë vetëm në fundjavë, të shtunë të dielë. Nëse nuk arrijmë të punojmë në fundjavë, ne kemi mbaruar”, tha mes të tjerash Anton Falo.
Kujtojmë se rruga kombëtare ‘Librazhd-Pogradec’ mbetet e bllokuar dhe askush nuk di të thotë se përsa kohë do të vijojë e tillë. Ajo që kishte nisur 4 ditë më parë me një çarje asfalti sot është fundosur plotësisht.
Edhe 4 familje të fshatit Dragostinje, që ndodhen pranë kësaj rruge, jetojnë me frikën se do t’u fundosen banesat.
Komente











