Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, është përplasur ditën e sotme në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV me kryetarin e Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj.

Gjatë fjalës së tij, Qori e akuzoi Lapajn se po bashkëpunon me kryedemokratin Sali Berisha, të cilin kreu i Lëvizjes Bashkë e cilësoi si një të keqe të madhe të vendit.

“Çdo parti është e hapur për votuesit e partive të tjera. Por Lapaj për të justifikuar bashkëpunimin me PD-në, që do të thotë me Sali Berishën, pavarësisht se mund të fshihen sa të duash pas gishtit, argumenti ishte se kjo parti ka marrë 500 mijë vota. Por unë iu kujtoj që PS ka marrë edhe më shumë vota dhe sipas këtij këndvështrimi zotëria do të duhet të shkonte të bashkëpunonte edhe me Ramën. Siç vajti të bashkëpunojë bashkëkryetari i koalicionit të tij, Endri Shabani, ose një tjetër që donin ta fusnin në lista dhe e emëroi Rama drejtor, ky ish-deputeti i Peqinit. Pra argumenti që kjo parti herën e fundit ka marrë kaq vota dhe kjo përligj bashkëpunimin me strukturat e korruptuara të kësaj partie, nuk shkon logjikisht dhe moralisht.

E dyta, ti mund të duash të të qeverisë edhe Babagjyshi i Vitit të Ri, mund të duash edhe 12 shenjtorët të zbresin nga qielli, t’i bëjmë 12 ministra edhe të vëmë një kryeshenjtor në krye të qeverisë. Por këto janë dëshira në erë, sepse nuk mundet një parti që të emërojë ministra, kryeministra dhe të miratojë edhe ligjet që do bëjë kjo qeveri tranzitore, pa kuptuar që votat në Parlament për ta votuar kush i ka? A do e votojë Rama me Berishën? Për pasojë do e kontrollojë Rama dhe Berisha. Këtë e kemi provuar në 2017, kur vajti Lulzim Basha në qeveri teknike dhe mori rezultatin më të ulët historik. Nëse ne do të kemi fuqinë për ta goditur Ramën, ai duhet goditur menjëherë me zgjedhje të parakohshme dhe do të bjerë nga pushteti”, tha mes të tjerash Qori.

Lapaj i tha se nuk kishte bashkëpunuar kurrë me Berishën, pasi sipas tij, sa herë PD protestonte, ai largohej nga sheshi. Madje Lapaj akuzoi Qorin për bashkëpunim me Berishën, duke thënë se përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë në Parlament votoi projektligjin e Tabakut.

“Unë s’kam bashkëpunuar me Berishën, sepse jam këtu në shesh dhe sa herë që ai vjen, unë kam ikur. Por Qori këtë javë ka bashkëpunuar me Berishën. Qori ka votuar një ligj të propozuar nga PD këtë javë, e dini apo jo? Përfaqësuesi i Qorit ka votuar një projektligj të propozuar nga Tabaku, që ishte një ligj i propozuar nga një deputete e PD-së”, tha Lapaj.

Këtij pretendimi Qori iu përgjigj se Tabaku kishte marrë programin e Lëvizjes Bashkë copy paste dhe kishte propozuar në Kuvend statusin e minatorit. Votimi sipas Qorit ishte për parimin, jo për atë që e propozoi.

“Deputetja e Lëvizjes Bashkë ka marrë copy paste programin e Lëvizjes Bashkë për Statusin e minatorit, për të cilin ne kemi mbledhur mijëra firma vite më parë dhe ne e kemi detyrim moral që kur vijnë propozime si statusi i minatorit apo minimumi jetik, ne do të votojmë për to sepse besojmë te parimi. Për statusin e minatorit do ta votojmë orë e çast, edhe sikur dreqi vetë ta propozojë”, shtoi Qori.


Lajmi kryesor:

'Qeveria teknike është t’u varësh ujqërve mëlçitë në qafë!' Qori debat me Lapajn: Bashkëpunim me demokratët e ndershëm, t’i falësh Ramës zgjedhjet e parakohshme është krim!