Prej katër ditësh, aksi kombëtar Librazhd–Pogradec, që lidh Juglindjen me Tiranën, mbetet i paralizuar pas shembjes masive në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Çarja e asfaltit përfundoi me fundosjen totale të trasesë së rrugës dhe urës, ndërsa rrëshqitjet vijon ende, duke e bërë të pamundur çdo ndërhyrje emergjente.  

 

Ura dhe rruga Librazhd-Prrenjas e dëmtuar

Në terren, sot situata paraqitet e përkeqësuar. Rrëshqitja e dheut është aktive dhe ka dëmtuar jo vetëm trasenë ekzistuese, por edhe segmentin e ri të Korridori VIII, i cili po ndërtohet paralel me aksin aktual, nga kompania ANK.

Traseja e dëmtuar e segmentit të ri të Korridori VIII

Po kështu është shembur dhe një pjesë e hekurudhës, që ndodhet poshtë rrugës.

Hekurudha e dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut

Aktualisht në terren gjenden vetëm ekspertet e Shërbimit Gjeologjik të cilët po kryejnë matje dhe pritet të dalin me një raport për mënyrën e ndërhyrjes. Deri atëherë, çdo veprim konsiderohet i rrezikshëm.

Një nga alternativat e diskutuara është ndërtimi i një rruge të përkohshme (bypass) paralel me hekurudhën, por vendimi do të merret nga Këshilli Teknik i ARRSH, pasi të shqyrtojë raportin e gjeologeve.

Ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar e konsideron rrëshqitjen si fenomen natyror të shkaktuar nga reshjet, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim kryesisht për disa vepra penale, mes tyre “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tenderë”, “Shkatërrim i rrugës” dhe “Ndotje e ajrit, ujit apo tokës”.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë sekuestruar dokumentacione që lidhen me punimet në zonë.

1771664575_Sequence01.00504319.Still266.jpg

Foto me dron nga çarja që pësoi fillimisht aksi Librazhd-Prrenjas

Do të jetë Prokuroria e Elbasanit ajo që do të vlerësojë nëse ka elementë që lidhin punimet e korridorit VIII me dëmtimin e aksit ekzistues; vetëm nëse evidentohen indicie për korrupsion apo shkelje të rënda, çështja mund të kalojë për kompetencë ne SPAK, thanë burimet.

Hetimi konsiderohet kompleks dhe në këtë fazë nuk përjashtohet asnjë pistë; përfshirë gërryerjen e lumit Shkumbin.

Makineritë që marrin inerte në lumin Shkumbin. Foto nga Citizens.al

Kreu i ARRSH-se ne mënyrë të vazhdueshme ka mohuar se ka pasur gërmime në vendin e rrëshqitjes, duke theksuar se projekti i Korridorit VIII parashikon masa për mbrojtjen e lumenjve.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:49
Shembja e aksit Librazhd-Përrenjas, banori i zonës: S’kemi rrugëdalje, fëmijët pa shkollë

Izolimi i aksit Librazhd–Përrenjas pas shembjes masive në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” po prek drejtpërdrejt jetën e banorëve. Një tjetër banor i zonës thotë se familjet janë të bllokuara dhe fëmijët nuk po shkojnë në shkollë.

“S’kemi rrugëdalje. Fëmijët janë në shtëpi. Tani nuk dimë çfarë do bëjmë. Presim. Kemi pasur furnizim për disa ditë. Masat duhet të ishin marrë. Fëmijët janë pa shkollë. Pa rrugë jemi. Shteti duhet të vërë dorë, të na hapë rrugën.”

 

Ora 19:40
Shembja e aksit Librazhd-Përrenjas, flet banori i 'Arrave të Gurrës' : Ndihemi të rrezikuar, kjo zonë ka qenë gjithmonë problem!

Teksa rrëshqitja në zonën e “Arrave të Gurrës” vijon prej ditësh, një banor i kësaj zonës në Librazhd thotë për mediat se situata është e rrezikshme dhe se një pjesë e fshatit mund të përfshihet nga rrëshqitjet. Nga ana tjetër ai bën thirrje për mos politizimin e situatës. 

“Këtu kemi qenë dembabadem. Ky vendi këtu ka qenë përherë me rrëshqitje por jo të këtyre përmasave. Lëvizja e makinave është shtuar, punimet kanë dhënë efektin e vet, por edhe shirat kanë ndikuar. Në këtë drejtim ku ka ndodhur plasaritja nuk janë marrë inertet. Inertet janë marrë më poshtë.  Puna e inerteve nuk vlen. Ajo pjesë ka qenë gjithmonë e rrëshqitshme. Siç duket punimet sipër krijuan ngarkesën e madhe. Ndihemi të rrezikuar. Një lagje e tërë është gati në rrëshqitje. Rrezik është ajo. Duhen marrë masat, a ndonjë ndryshim projekti apo ndonjë studim.Energjia është shkëputur gjatë ditës por kemi patur. Është shumë problem.Se çfarë do të bëhet nuk e di. Një pjesë e fshatit është bllokuar. Këtu s’ka pasur rrugë fare, por rrugët u bënë për të rritur mirëqenien. Patjetër që krijohen probleme. Jeta kështu e ka. Nuk mund t'i zvogëlosh, zmadhosh apo t'i politizosh. Këtu duhet të flasin specialistët. Problemi ekziston dhe duhet t’I dilet përpara.” tha ai.

Ora 13:12
Çarje në pjesën anësore të rrugës Boboshticë-Dardhë, kufizohet lëvizja e mjeteve në një korsi (VIDEO)

Prej mëngjesit të kësaj të marte, në segmentin Boboshticë–Dardhë është evidentuar një çarje në pjesën anësore të rrugës, që kufizon lëvizjen e drejtuesve të mjeteve në një korsi.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shkuar në terren për të vlerësuar gjendjen dhe po shqyrtojnë masat për stabilizimin e segmentit ndërsa kanë vënë në rrugë sinjalistikë kufizuese për drejtuesit e mjeteve.

Kjo situatë vjen pas disa problematikave të tjera në rrugët e juglindjes, ku rrëshqitjet e dherave dhe çarjet e asfaltit janë bërë të zakonshme duke ngjallur shqetësim për cilësinë e punimeve dhe për sigurinë e lëvizjes.

Duhet thënë gjithashtu se ky segment është një nga nyjet më të rëndësishme që lidh Korçën me fshatin turistik të Dardhës.

R.C/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 24/02/2026 15:19

    Nese ndodhte nje gje e tille ne kohen para '90 gjysma e ministrise se transportit do ishte ne burg. Sot askush nuk mban pergjegjesi.., ju dhjefsha ne drejtesi.

    Përgjigju
  • evo: 24/02/2026 11:38

    Për mjetet e tonazhit të rëndë: Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni - Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbrit I ka informuar njeri keta te rrugeve qe kamionat me mall duhet te zhdoganohen ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 22 Shkurt, 21:11

    A duhet ta miratojë Kuvendi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut?