Marrja e vendimit nga Këshilli Bashkiak mbrëmjet e djeshme për shembjen e Teatrit Kombëtar ka ardhur dhe reagimi i fortë i presidentit Meta. Edhe pse me qetësi dhe një ton të ulët,  fjalët që dolën nga goja e presidentit  Meta në fakt ishin tepër të forta duke akuzuar Bashkinë Tiranë se me aktet e miratuara së fundi po funksionon si veprimtari e mirëstrukturuar kriminale.  Meta bëri edhe në paralajmërim të fortë duke thënë se këto akte antiligjore dhe kriminale po cenon paqen sociale në vend, duke lënë të kuptohet se çështja e teatrit mund të kthehet nga një protestë e tensionuar në një situatë që mund të  dalë jashtë kontrollit.

Në një prenoncim për mediat nga Kavaja, Meta tha se shembja e teatrit, duke e cilësuar si objekt kulture, do ti vinte kazmën edhe procesit të integrimit të vendit. Ai bëri thirrje që në lidhje më këtë situatë të pritet të flasë Gjykata Kushtetuese, pasi në të kundërt do të ishte një veprim i papërgjegjshëm  që mund të sillte pasoja ekstreme.

"Teatri e mbron më mirë se kushdo tjetër Kushtetuta dhe të gjitha konventat ndërkombëtare ku Shqipëria aderon dhe prevalon mbi çdo akt tjetër. Më duket një marrëzi e jashtëzakonshme çdo përpjekje për të prishur teatrin pa shteruar rrugën e plotë kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështje që ka marrë dhe një dimension të qartë ndërkombëtar dhe europian. Nuk kam diçka të re nga 24 orët e mëparshme kur dola para jush për të sqaruar arsyet e padisë së re të vendimit të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Ende nuk mund të besoj disa akte dhe fakte që janë denoncuar edhe nga media dhe në prokurori, pasi më duket një papërgjegjshmëri përtej çdo ekstremi dhe llogarie , sepse nuk kemi të bëjmë thjeshtë me shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve, por dhe përmbushjes  së parimeve të shtetit të së drejtës dhe përgjegjësisë penale për shkatërrimin e  teatrit kombëtar, por aktet e fundit të bëra publike flasin për një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale. Na mjaftojë kazmat e komunizmit ndaj kisha e objekteve të kulturës. Në këtë situatë ende pandemie në vend të merremi me menaxhimin më të mirë të saj,  do i vinim kazmën edhe përpjekjeve tona për integrimin e vendit si dhe do të ishte një provokim mjaft serioz për paqen sociale", tha Meta.

Mbrëmjen e djeshme opozita u vendos te teatri duke deklaruar se nuk do të lejojnë shembjen e saj, ndërsa mbrojtje do e bëjnë me turne, dje ishe Basha dhe sot do të ketë Kryemadhi. Madje mbrëmjen  e djeshme, vetë Kryemadhi kërcënoi në televizion se nuk do  të tolerohet asnjë pikë derdhje e gjakut, pasi në të kundërt do të përgjigjen me të njëjtën mënyrë.

Pavarësisht vendimit të marrë dje, godina e Teatrit Kombëtar nuk mund të shembet pa kaluar të paktën 6 muaj. Të hënën Këshilli bashkiak do të mblidhet prapë online për të vendosur mbi ndërtimin e teatrit të ri, për të cilin prapë duhet të aplikohet për leje ndërtimi te Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Para aplikimit për leje ndërtimi duhet të vendoset projekti i saktë i teatrit që ende nuk është gati dhe kërkon 3-4 muaj për të përfunduar.