Shën Vlashi, Ipeshkev e Deshmuer
në Sebaste t’Arbënìs a në Sebaste t’Armenìs?

Shën Vlashi, Ipeshkev e Deshmuer<br />në Sebaste t’Arbënìs a në Sebaste t’Armenìs?
Kjo është pjesa e dytë e studimit skrupuloz të At Shtjefën Gjeçovit kushtuar  Laçit, historisë së tij, një prej objekteve më në zë të kultit  aty dhe histories së Shën Vlashit… Pjesa e parë e këtij studimi, i botuar  për herë të parë nga Gjeçovi në vitet 1921-1922 në dhjetë numra të revistës françeskane Zani i Shna Ndout, u botua në numrin e shkuar të suplementit tonë. “Sebaste n’Armeni apo n’Arbeni”, është një ndër artikujt e parë dhe njëherazi mjaft seriozë që i është kushtur Laçit dhe historisë së tij. Sot për lexuesit tanë sjellim pjesën e dytë të tij.

Bindja ndaj Shên Vlashit e ndaj 40 Dëshmorë e Shqypëtarve të Thkellës, të Kurbinit, t’Arbënìs deri në Durrës, e tuj përshî Juben e katundet varg me Drraç (Bizë)deri në Gurëz të Bregut të Mates, âsht aq e ngûlët, sà kurrkûnd njeti. – Posë Sebaste të Laçit, kû gjindet shpella e Shêjtit, na kena edhe njeti nder këto krahina Kishët e famullìt qi e kan sgjedhë Shêjtin e Shên Vlashit per mprojtuer; si bj. fj. në Skuraj të Kurbînit âsht Kisha e Shên Vlashit; në Thkellë në lagje të quejtun Kamec, Shên Vlashi âsht mprojtori i Kishës edhe i Famullìs, e dita e tì lutet me Meshë, gëzim e kremtim (Gojëdhana e Thkellës thotë se, Kisha e Shên Vlashit e kësajë Famullie âsht trajtue para Kishës së Malit Shêjt t’Oroshit).

Posë ketyne vendeve, e posë Drraçit të Bizës, kena edhe nji katund, i cilli thirret «Shên Vlash» prej êmnit të Shêjtit, e gjindet ndermjet Durrësit e Jubës. Kjo kishë e motnueme, e cilla sod gjindet në dorë t’Eterodhoksve Shqyptarë, posë qi gjindet në nji moje të bukur, e pasqyrohet në gjol të Durrësit, ajo së gjindet kurr vetem prej shtegtarësh; rranin gjithkahnash per me lypë nder e hire prej Shêjtit. – Rrâz kësaje Kishe e veç nji rrugicë e dàn vorret e Katholikve të Shên Vlashit me ato të Eterodhoksvët.

Në mur të kësajë kishe perjashta, e mun rrâz deres prendimore, shifet nji gur i lëmuet, të cillit e thrrasin edhe sod «Copa e shtyllës per të cillen kje lidhë Shên Vlashi në kohë të mundimit». Guri âsht i hupun në mur, e veç nja dy pëllâmbë shifet perjashta; âsht i vrugosun e bâ tanë dyll prej qirash qi djegin shtegtarët per nder të Shêjtit.
Shkurt: tuj pershî Thkellen, Kurbînin, Bushneshin, Thumanen, Dervendin e Luzjen, Murqin e Mallkuçin, e varg deri në Durrës e Biza me Drraç, prej bîndjet qi kan ndaj Shên Vlashin, edhe êmnin j’a bajën, e kurrkûnd se ndîhen ma shum «Vlasha» se nder vende të permênduna.

Kah u mbet Shqypëtarve të ketyne anave gjith kjo bindje ndaj Shên Vlashin?

Na dìm, se Shqypëtari xên kryet e vendit n’Europë, kah e ruejtmja e fjalës së parve; gojëdhâna per Shqypëtarin âsht palci i ashtit. Po, po; ky Shqypëtari i eger; Shqypëtari i vertet e i padiejshem, mban në mend punët e lashta mâ tepër se çdo komb, edhe pse i pershkue neper gjithnduer ligsh. – per me poltìsë fjalën t’ême kenâ shum e shum tregime të themelta, se Shqypëtari âsht rojëst i përlarët i gojëdhànave; kena doke e kanune, kena bèt e besimet, qi jânë kenë mbajtë qinda mija vjeç para Krishti, e qi kombi i jonë i mban edhe sod, e me bâ me ja dhûnue a me j’a prekë, kishte me kênë gjithnji, si me dashtë me ja zhgulë kufinin e tokës a carânin e votres! (Trashigimet e Pellazgjvet). – Kuej kà muejtë me i shkue neper mênd se, Agroni, mbreti i Ilirve të vjetër, tuj dalë prej Shkodret, kà mârrë Fushen e Shtojt, kà kalue nepër grykat e Drishtit e kà vojtë me u strukun në nji prrue, i cilli gjindet nja 10 t’îmta oret mbî Kishë të Soçme të Prekalit të Shoshit, e i cilli edhe sod thirret «Prroni i Agronit»? A, kush mund të dalë me thânë, se, njajë trathtari i madh Rroman, Luci Sergi Katilina, së kà muejt me kalue neper vende t’ona? A se, së kà muejt me e qitë rasa nder keto krahina t’ina at Sektin e Kvinktin Rosci-n? – Kujtoj se nuk i ka mbetë kot emni «Kodres Katilinës» atje kah Darragjati as e «Kodres Rroshit» atje permbî Dush, mbî Gomsiqe në udhë të Pukës. – I biri i nânës Shqypëtare âsht i lidhun më gojëdhânë, - Ashtû mund të thona per «Shpellë të Shên Vlashit» në Sebaste t’Arbënìs, e per kishë të 40 Deshmorve n’Ujë të Bardhë. Këto jânë dy murâna të mbetuna prej vjetve 315 a 319 mbas Krishtit.

Këtu po pëves: Shka kje qi i pat tërhjekë Franciskajt e Shqypënìs me shkue me ngùlë në mal të Sebastes e me ndertue e Kuvêndin e at Kishë aq të perhjedhët, kû së kà ke i bân dy hapa njeri, e mos me ndêjë me sŷ çilë e me mend në krye, të dalmit në dèr, mund të plandoset nder prroje e rrmore qi u rrìn per nên? Jo tjetër por veç të terhjekun prej zânit t’asajë Shpelle.

Po Ipeshkvijt e hershem të Durrësit, a nuk kan muejt me gjetë nji vend mâ të hijeshem e mâ të shndosh, per me kalue veren, por e kishin pasë gjetë bregun e detit të katundit të Drraçit? Kû, kishin shkue me ndertue nji kishë, (sikurse na e dishmon Franciskani Ȇmzot Mark Skura, i Kruetan, në vjetë 1640) të kânë guris dhênë me shtrojë të marmurët, e me kumbonare të bukur e të perhjedhun, e cilla kishte per mprojtore Nânen e Zotit, shembllin e së cillës e rrethojshin popujt e rretheve prej hiresh e nderësh qi kjo u bâte. – A mund të më thonë kush se nuk i kà terhjekë zâni i êmnit të Shên Vlashit, qi e kà pasë korpin e vetë në Kishë e cilla gjindet pak permbì banim të tyne?
Po ç’i çoj pèsh Franciskajt e Shqypënìs së 20 qindvjete, per me ndertue ket farë Kishet e Kuvendit në shkrep të thatë të Rrubigut? Jo tjeter, por gojëdhâna e pakëputne e popullit e gûnga e nji kishëzës së vjeter e ravisueme me shije e hijeshì qysh në vjetë 1250 edhe e ruejtun si sŷt e ballit.

Thohet në jetëshkrim të Shên Vlashit se, në hov të mundimit të tì, gjetne deken edhe shtatë grà, pse i pane tuj mbëledhë cirkat e gjakut të Shêjtit. – Edhe këtû due të jau sjelli nji oroe lexuesve të nderët:

Cillat nder gràt (flas pergjithsht) ishin trimënue me shkue me mbëledhë cirkat e gjakut, sa ishin tuj ja shkye misht Shên Vlashit, e shi nder sŷ të idhujtarve të terbuem? A, e cilla nder nânat zêmber trimëneshë kà muejt me mberrì me i thânë zêmber të birit, qi të diste me shokë, si kje nâna e njânit nder 40 Deshmorët? – Nuk tham se nuk jânë gjetë edhe njeti aso gràsh e nânash; porse ky tipar (karakteristik) u veshet posaçe grave e nânave të dheut të Shqypnìs, të cillat, si heret si vonë turreshin në vàl të luftës; hoveshin në zjarm e flakë per me mbëledhë të mbetunat e bijve e të dashtunve të vet; këto si heret edhe sod, e kan mbëledhë nder gastare e kupëza, e me e ruejt në gjì ngjatë zêmbres. Grueja Shqypëtare nâna e bijve të Shqypes, nuk kà bajtë as nuk bàn qi t’i dahet djali shokësh, por, a të diste me ta, a të pështote me ta.
 
Patme thânë se – para se e paskan hjekë jetet Shên Vlashin, paskan pasë dashtë me e mbytë në dèt. – Edhe ky deshmim historik, na nep zêmber me besue se Shên Vlashi – merret vesht edhe 40 Deshmorë, - e paskan njomë token e Arbënìs s’onë me gjak të vet. Per arsye qi, në mârrshim para sŷsh Sebasten e Laçit, s’e kà detin mbi dy orë përfundi; Drraçi i Bizës, detin e kà nder hûndë; katûndi i «Shên Vlashit» xêne se gjindet në breg të detit. Të gjitha këto vende prà i sillen Shêjtit t’onë porsi rrotulla rreth boshtit.

Me e pasë mundue Shên Vlashin e 40 Deshmore n’Armenì nuk më mbushet mêndja se kishte hî gjith kejo bîndje e drojtni ndaj ta në zêmber të popullit t’onë. E mandej çon prej Armenijet e bjerë trupin e Shên Vlashit per me e shtî në dhè në Drraç të Bizës s’onë, e së mramit tretë në Rraguzë, âsht nji pûnë qi nuk më hîn në krye. Sâ Eten Kishet e Deshmorë t’atyne krahinave jânë, e shum mâ në zâ Shên Vlashi e 40 Deshmorë, e Shqypetari së din gjâ per ta.
Duhet me thânë pra, a kan mengue njerëz per me shkrue ndollijt kishtare t’atyne kohve e të këtyne krahinave; a do të kenë hupë ndermjet të gjith atyne pershkimeve të zeza qi u kan kalue mbî krye këtyne vêndeve. – Pà dyshim dìn, se, si kisha e Durrësit si edhe rrethe tjera të këtyne vendeve, jânë kenë njomë prej gjakut të kush e din sà mijave Deshmorësh. – Ipeshkvija e Durrësit, permbas Sh. Astit. (100 vjet mbas Krishtit) kà pasë mbetë pà Bari shpirtnuer, deri kah mjedisi i së V qindvjete.
 
Mund të dalë kush me më thânë se, gjytet Sebaste kena n’Armenì; paj po; A. Pansa, përmendë gjytetin Sebastia n’Armenia Prima, e nji Pontia Sebastia në Kapadocje. – Edhe Plini, në të njehun të gjyteteve të krahinave të sundimit rroman, i xên nëgojesh edhe këto gjytete: Sebaste (Samaria) gjytet i Palestinës; Sebasteni, popujt e Galacjes; Sebastia (Sanstia) gjytet i Kapadocjes. Por unë tham se êmni i Sebaste t’Arbënis, nuk piku nga qiella, por do të ja ketë njitë goja e nierit; sikurse edhe Armenì kena n’Azi, porse kena edhe nà katundin Armene malin e Armenit n’Arbënì (Labëri) të Shqypënìs jugore.

Pata thânë n’artikull të parë, mbî ket çâshtje, se mos e kan pasë nderlikue malin «Zhejë» me malin «Argej», në të cillin gjindej Shpella kû u gjet e u xû Shên Vlashi. Por tuj pà se, fjala Greqishte «Artè» u merrka per bardhë e per ndriçem, të gjitha dyshimet më thkjellen, e më themelojën me besue se, Shên Vlashi e 40 Deshmorë, jânë t’onët!
Kah krahi verjak i Sebaste të Laçit, kena katundin e Delbënishtit. Mbî ket katund, me nji herë, fillon mali qi i thonë «Mali i Bardhë», i cilli, dàn pernjimend i bardhë e i ndriçem, sidomos n’at kohen e mbas ditës, kur të shkrepin në bàll t’atynve gurve shefku i rrezeve të flakëta të diellit, para se të prendojë mbas velëve të detit.
Vargu i «Malit të Bardhë» âsht i lidhun me malin e Djerrit të Selitës së vogel, varg me mal të Prodanit e me malet e Zhejës. Vetë Mali i Bardhë s’âsht mâ se nji orë larg Shpellet e Sebaste-s.

Në kohë të sundimit rroman, kan muejt me ja njitun êmnin «Argè» i bardhë i ndriçem, këtì vargut të maleve, sà mos me perdorë fjalen t’onë barbare(!), a prej se u pêngote gojën shqypëtimi.

Në vijim të kësajë çâshtje, po më kândet me shtue edhe sa hetime gojëdhânore e historike qi i ka qitë në dritë i Pernderti Atë Urban Talija, sot Provincjal i Franciskajve të Delmaces, i cilli në rasë të XVI qindvjetore të mundimit e të dekës së Shên Vlashit Ipeshkev, i pat botue në Perkohëshmen ipeshkvinore të Rraguzhës në vjetë 1916, kû, posë mendimesh të veta, qet në ditë edhe arrsyetimet e shkrimtarve qi i sillen rreth kësajë çâshtje.

[gallery]22364[/gallery] 
-Shên Vlashi Deshmuer e Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer
 
Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer a kje mundue në Sebaste t’Arbënìs a në Sebaste t’Armenìs? (Mbas A. U. Talijes, O.F.M.)
 
Në të paren pjesë, Ati i permendun difton, i pështetun në shkrimtarë me randsi e në dy gojëdhâna me të cillat deshmohet se, në të IX a të X qindvjete mb. Kr. kje zgjedhë Shën Vlashi per Mbrojtuer i Rrepublikës së Rraguzhës, e çë prej aso kohe paten fillue me u ngrehë ndertesat në nderë të Shêjtit e me ja percjellë diten-3 të Frorit – me sjellje të kremtimeve të madhënueshme.

Gjithkush, por sidomos kishtarët, janë kênë perpjekë me zell e me dije me madhënue ket Shêjt, tuj i permbëledhë lavdet e tija kû me tuba vjerrshash kû me shkrime tjera, e nder sa, âsht Atë Fabri, i cilli e permbëlodh jeten e Shêjtit në të II Lekcjone të Zyrës së Hyjnueshme (Off. Div.) tuj e pasë para sŷsh Baronin, i cilli pshtetej N’«Acta»  të mundimit të Shên Vlashit sikurse i ka pasë permbëledhë e shkrue Simeoni Logothetes (Metafrastes) shkrimtar Grek i së XI qindvjet mb. Kr.)

Kundra Lekcjoneve të Fabrit çoj zânin e vet Z. Shtjefen Rosa, Rrektori i S Jakut në Puçi e Sakristan i kishës metropolitane të Rraguzhës i cilli, në nji letër qi dërgote Z. Gjon Natali Allette, sekretarit të Rrepublikës së Rraguzhës: «Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer i Sebastes, Mprojtori i Rrepublikës së Rraguzhës» (Dorëshkrim i vjetit 1737 rreket me diftue se Shên Vlashi nuk kje i Kapadocas, por ishte i lèm në Shqypëni (Arbënì) e si Ipeshkev i këtì vendi kje mundue. Këtì mendimit i del zot Roza jo si nji trillim të qitun prej mendsh të tija, por tuj e pështetun në gojëdhâne të rraguzhnjanve. Rosa i bjen ndesh mendimit të Fabrit pse ky e hjedh tej gojedhânen e themelët qi lulëzon në popull të Rraguzhes, aq sa, tuj u shkrue dashamirve të vet kje ankue jo nji herë, kundra fatkeqsije të rraguzhjanve qi ja lirojshin udhen Kapadocasve të madhënoheshin me nji shêjt i cilli mund të thohet se pat jetue nder ta. – Perchè le trovano contrarìe almeno alie fondatissime tradizioni, che noi abbiamo: tanto che pìu volte mi dolessi colli amici che miseramente lasciavano ai Capadoçi ascritta la gloria di aver avuto tra di loro un Santo il quale vìsse, posso dire, fra noi, - (Lettera... pag. 5.6.) Këjo dorëshkresë ruhet në Bibliot. Të Franciskajve të Rraguzhës Nr. III.

Mendimit të Roses i duel për ballë Atë Sebastjan Dolci (Slade) Franciskan, me nji kundrapergjegje qi ky ja dergoj të permendunit Natali Alette. (Dorëshkrimi ruhet në Bibliot. Të Franc. Nr. 201 faqe 213). Porse arrësyet e A. Dolçit posë qi s’e topiten Rosën, këto as menden nuk ja mushen, e me nji leter tjeter i dha kundrapërgjegjen. (Dorëshkrimi gjindet në Bibliot. Franc. Nr. 110 faqe 267).

Mbas Dolcit shkrou Atë Niçolai (1752) i cilli permendë edhe dy jetëshkresat tjera mbi Shên Vlashin, njena e Kamil Tudinit, prej Napullit, e shtypun në vjetë 1635, e tjetra e Ndrè Mattei-t, kanonik i kishës s’Evolit, e cilla ka hupë (Niçolai: Memorie, faqe XVI). Të gjith këta shkrimtarë kan pasë para sŷsh mendimin e Baronit se Shên Vlashi ka jetue në Sebaste të Kapadocjes e se atje ka dhanë jeten për Krishtin.

Në fillesë të XIX qindvjete, sa për me ja u çue rraguzhnjanve dishiret në vend shkrou mbi Shên Vlashin Atë Bashiqi e mâ vonë edhe Z. Shtjefen Skurla kanonik: «Shên Vlashi Ipeshkev e Deshmuer» - Rraguzhë. 1871. – Skurla (si edhe Niçolai) pështetet në katër «Acta Sanctorum» edhe i vè mendja se arrësyetimet e tija do të jèn të patunduna vetem pse pështetet mbë Rrobacherin e do Hymna të Shen Gjon Damascenit të hetueme prej kardinalit Maji.

Në ketë jetëshkresë Skurla permendë gojëdhânen shqyptare të botueme prej Z. S. Roses; difton nji mende të ngulun se Shên Vlashi kje Ipeshkev i Sebastes së Kapadocjes (i Armenìs së vogel); perpiqet me prapshtue mendimin e Roses tuj perdorue ato arrësyt qi i pat perdorë Atë Dolci, porse mâ të shtueme e mâ të plotësueme; pështetet në disa diftesa të kronikve, kallëxon sepsè rragushnjanët e paten zgjedhë Shên Vlashin per Mprojtuer, e së mramit flet mbi të mbetunat e Shên Vlashit.
 
Kryepështetje e mendimit se Shên Vlashi ka jetue e lanë jeten nder mundime në Shqypenì të soçme e jo në Kapadocje.
 
Në Shqypnì të soçme, nja 60 lidhka larg Durrësit gjindet nji mal i thirrun Ardeni ) e në ket mal âsht nji shpellë bukur e fellë në të cillën buron ujët. Si shpella, si ujët, thirren të Shên Vlashit. Këtu shifen rrenimet e nji gjytetit të motnuem të cillit gojëdhana e popullit e thrret gjyteti i Agrikolaut. Gjinden rrenimet e lashta të Kishës së 40 Deshmorve. Aty âsht lëqêni i gjatë nji lidhkë me hamendas.

Në mal Kapo-Rodoni (Muzhel) ka kênë kisha e Shên Vlashit në të cillen, edhe pse ka vojtë në rrenim, ruhet vorri i Shên Vlashit me ket mbishkrim: Hic jacet corpus Beati Blasì Episcopi et Martyris (Këtu pushon korpi i të Lumit Vlash Ipeshkev e Deshmuer). Ruhet ky vorr edhe pse nuk ka gjâ mrende.
Në kishë të quejtun «Doljani» ka kênë gjyteti i Sebastes, si thotë gojëdhâna e popullit të Shqypënìs, e ajo krahinë mbarë thirret Armenija (Arbënija), prej Shqypëtarësh. )
1.   Këto janë gojëdhanat e Shqypëtarve mbi Shên Vlashin, të cillat pajtojën nji  me nji me rrethanat e jetës e të mundimit të ti. Pra atdheu i Shên Vlashit do kerkue në Shqypënì e jo në Kapadocje.
2.   Fuguret e truporet e Shên Vlashit tëfaqen me petka pontifikale të sjelljes prendimore: të kishte jetue a t’ishte kenë Shêjti Ipeshkev në Kapadocje nuk ishte tefaqë me petka të kësajë sjellje. Këjo veshë na deshmon se Shên Vlashi ka kênë në Shqypënì per arësye qi këjo ka pasë shkue me Kishë Prendimore.
3.   Brevjari rroman e Martirologi thonë çiltas se Shèn Vlashi ka kênë Ipeshkev në Sebaste t’Armenìs; porse kurrni geograf e me êmen Strahoni e Prolomeu nder të lashët e Porfirogeniti nder mâ të vonët, nuk permendin se âsht kenë ndo’i Sebaste n’Armenì azjatike: por po se bukur mirë i gjet Sebastes së Armenìs së Shqypënìs së soçme e shi si thotë edhe Brevjari e Martirologi rroman.
4.   Menefogi i grekve dhe aj i Armenve të cillët do të njehen nder ma të vjetert, tuj folë mbì Shên Vlashin thonë se ka kênë në Sebaste por pa at bisht «in Cappadocia» në Kapadocje, Shtojca në Kapadocje âsht e kohëve të vona, e mund të thona se ato «act a», në të cillat gjindet këjo shtojëc, janë me dyshim.
5.   Po xam se pernjimend Shên Vlashi ishte Ipeshkev i Sebastes së Kapadocjes, e se në kohë të salvimit kje mbëshefë në shpellë të malit Argè i cilli mal mbas deshmimit të Ptolomeut, ishte larg Sebastes dy shkallë geografike e tuj kênë aq larg, së ka pasë se si me i ra mrapa popullit të vet, si don me thanë Metafrastes n’«Acta» të mbëledhuna prej tì, e aq e mâ së kishte muejt me pranue mundimit t’Eustratit, me e kungue, dishirin e mram të ti me ndie e me e qitë në punë, e trupin e tì me e shtî në dhè. – Me sa ky kallxim i pershtatet malit t’Ardenit (Arbenit) të Shqypënìs së soçme në të cillin kje mëshefë Shên Vlashi.  )
6.   Legenda thotë se, ata 76 ushtarë qi i kjèn vû në shpinë Shên Vlashit perme e xânë, kjèn mbytë në nji lëqê. Në Sebaste të Kapadocjes nuk gjindet nji lëqê aq i fellë në të cillin kishte me muejt me u mbytë nieri. Atje gjindet lëqêni por aq i cekët, sa mund të kalohet pa droje të mbytunit, në të cillin kjên qitë 40 Deshmorë, jo t’u mbytshin, por të kalojshin naten. )

Kuvendi i Franciskajve i Shë Mrìs në Muzhel (Kapo-Rodon âsht i dâm fare prej kishës së Shên Vlashit të Drraçit nên Bizë. Me gjith qi përmendet qysh në vjetë 1418 e qi do të jèt kênë para kësaj vjete, nuk dihet gjâ se âsht kênë ndo’i kishë e Shên Vlashit brî sajë (Anno 1418 aliud etiam monasterium S. Mariae de Rodono memoratur. – Jireçek. Das Christ, Element, Ë. Stzb. 578 (1897), 19. – Acta et Diplomata. Vol. I. pag. 207-208. Noto I.) Unë kujtoj se këto punë qi thohen per Muzhel (Kapo-Rodon), do të merren vesh për Kishë të Shèn Vlashit qi âsht në Drraç, e cilla edhe nuk âsht aq larg Muzhlit ku gjindet Kisha e kuvendi i hershëm i franciskajve të Shqypënìs. – Sa per vulë të Provincjes Franciskane të Shqypënìs, që e nxên nëgojesh Historiografi i Urdhnit franciskan Gonzaga se brî Kryemprojtores së Provincjes Franciskane të Shqypënìs këndohet edhe emni i Shên Vlashit Ipeshkev e Deshmuer n’Arkiv të Provincjes Franciskane të Shqypënìs ajo vulë nuk gjendet mâ.
7. Menologi i Armenve thotë se për me pështue prej furìs së Salvuesve Shên Vlashi kje mëshefë në mal Ardeni, në sa ky mal nuk gjindet as n’Armenì aszjatike as në Kapadocje, por gjindet n’Armënì (Arbënì) të Shqypënìs.

- Këto janë mendimet e S. Rosos mbi Shên Vlashin me të cillat u perpoq me diftue se Shên Vlashi âsht prej Shqipënijet e jo prej Armenìs azjatike. (Këtu atje prej dorëshkrimit të Roses. Nr. 110, në Biblioth, Franciskane.)

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet