Kryetari i vërtetë është Saliu. Figurativisht, Lulzim Basha është më i gjati në kryesinë e PD-së prandaj I qëndron koka mbi të tjerët, mirëpo në krye të partisë është Familja Berisha, d.m.th., Sali Berisha, i biri, e bija dhe të tjerët.
Kishte një debat të fortë për armët kimike siriane që kërkohej nga SHBA të vinin në Shqipëri. Si e konsideroni vendimin e Ramës për të thënë “Jo”?
Ende nuk është bërë e qartë sepse tha një herë po e mandej jo, kush i organizoi protestat dhe kush përfitoi në këtë lojë, si me bazën e PD-së ashtu edhe në marrëdhëniet ndërmjet fuqive të mëdha. Pavarësisht tymceve të propagandës mediatike, Edi Rama ka humbur shumë si ne besueshmëri ashtu edhe në mundësitë që ka. Shteti shqiptar dihet që është një shtet ku nuk ka shtet dhe shtetarë. Por askush nuk ka fituar këtu, të gjithë janë të humbur.
Mendoni se PS duke kundërshtuar kërkesën e partnerit kryesor SHBA ka humbur një shans?
Edhe brenda PS-së ka shumë që mendojnë se partnerë kryesorë janë edhe BE e bile, edhe vende të caktuara. PS ka njerëz që kanë përvojë qeverisëse, si në këtë sistem ashtu edhe në atë që kaluam kështu që ata që luajtën këto karta i kanë bërë mirë llogaritë.
PO qëndrimin zyrtar te PD kundër armëve kimike, të interpretuara si qëndrim antiamerikan, ndërkohë që Basha kishte dhënë Ok në parim, e zgjat qëndrimin er PD në opozitë dhe më tej?
Njëlloj janë, nuk kanë shumë dallim. Vetëm se këta nuk i kanë lidhjet e vjetra aq të forta dhe nuk sillen me aq rafinesë. Këta të buzëqeshin dhe ndërrojnë mendjen tamam kur të kanë thënë po.
Si e konsideroni qeverisjen e Ramës parë nga këndvështrimi juaj i paanshëm dhe nga jashtë dhe mendoni se është në gjendje Basha ta konkurrojë në përballjen për ardhjen në pushtet?
Realisht, Lulzim Basha është i mbaruar politikisht dhe do të mbesë në lojë vetëm nëse don Ilir Meta. PËr këtë e zgjodhi edhe Saliu; jap o I mbaron mandati dhe ku do të shkojë? Ilir Meta është figura qëndrore në politikën shqiptare. Kush don te merret me politikë në shtetin shqiptar duhet të merret me Ilir Metën sepse shumë shpejt politika do të behet ose me Ilirin ose kundër Ilirit.
Në lidhje me qeverisjen e Edi Ramës do ta shtyjë edhe ca muaj me fushatë mediatike e propagandë të sofistikuar, mirëpo shteti do para, njerëz të përgatitur e të përkushtuar, strategji zhvillimi e projekt afatgjatë. Dy vitet që ka përpara do të kalojnë shpejt dhe rezultatet do të jenë minimale. Si edhe e kam pasë parashikuar me shumë saktësi në blogun tim Rrethi i Ferrit, dështimi është i garantuar. Kwto që thonë këta unë e të tjerët i kemi thënë tash disa muaj. Edi Rama nuk do ta ndërrojë dot strukturën kriminale e oligarkike të shoqërisë, nuk do të ndryshojë dot metodën e funksionimit të shtetit, do të ketë pakënaqësi të mëdha në klanet që nuk morën gjë, do të duhet të përballet me Metën e me presionet e brendshme, shumë të fuqishme dhe do të jetë e do të mbesë peng i interesave të caktuara. Piramidat ekonomike që do të shemben shpejt do ta zënë brenda gjithkënd, mirëpo këta janë politikanwt tanë dhe këta jemi edhe ne që i durojmë.
PD tashmë në opozitë, përpos votës më 23 qershor, u godit dhe nga vdekja tragjike e njërit prej zërave më të fortë ndryshe në PD, Sokol Olldashit. Komenti juaj?
Kështu si është katandisur, PD është fole grenzash që nuk prodhon asgjë të mirë. Olldashi ka qënë një zë “ndryshe” në PD, po për çfarë? Cili është ndryshimi që do të sillte ai? Një klan tjetër krimi në krye të lojës? Për të vdekurit nuk duhet folur keq, por për këta që kanë qënë vegla të krimit duhet thënë e vërteta dhe nëse ajo është e hidhur, nuk kemi se ç’të bëjmë. E vërteta është se Sokol Olldashi ka qënë shumë i shkathët, i zgjuar, lexues i mirë i mendjes së njerëzve, e ka dashur nënën dhe fëmijët e vet dhe me potencial mendor si individ. Mirëpo si e përdori këtë potencial dhe këto aftësi? U bë një arrivist i pashoq, vegël e klaneve të drogës e të krimit, zullumqar, arrogant, masha e Sali Berishës, dhe një njeri që mbante në ndërgjegje krimet e pafund ndaj shqiptarëve të kryera prej shefit të tij dhe po prej vetë atij e bashkëpunëtorëve të tij dhe të atyre që e promovuan dhe e ngritën gjer aty.
Sokol Olldashi ka menduar për vete jo për shqiptarët. Çka do të kujtohet nga jeta e tij? Çka ka bërë ky njeri për të mirën e gjithë shqiptarëve? Kurrgjë të mirë me u mbajtë mend. Pse e shpallën Ditë Zie Kombëtare ditën e varrimit të tij? Ky nuk vdiq për Atdhe e Komb. Thjesht shkoi ashtu si jetoi. Arsyeja është thuajse frojdiane. Paria e Tiranës sheh tek fundi i gjithë këtyre tipave me karakter të errët, e që janë protagonistë të përkohshëm të saj, fundin e vet të pashmangshëm. Ndaj u turrën ta qajnë e ta shenjtërojnë të gjithë. Mirëpo, si thotë populli të vjen andej nga se pret dhe këtij i erdhi fundi pikërisht nga zullumi i tij. Prandaj Sokol Olldashi u qa me lot pikërisht prej atyre që i kishte armiq për vdekje, sepse të gjithë e dimë se një kohë e braktisën të gjithë. Kështu që të vjen me thanë le të kemi zi për nja tre vjet sa të pastrohet duar-duar fusha e politikës nga këto plehra e kërma politike.
Po zwrat ndryshe nw PD....?
Në lidhje me zërat ndryshe, ato nuk janë më në PD. PD është një organizatë kriminale e pareformueshme, vegël e familjes Berisha dhe e Trustit të Gështenjave, një strukturë me bazë krahinore katundare që ka uzurpuar vullnetin e mirë të shumë shqiptarëve. Zërat ndryshe të demokratëve tani janë jashtë PD-së dhe kur të bëhet ndarja në berishistë e në demokratë, në arrivistë e në patriotë, në kriminelë e në të ndershëm, demokratët, patriotët, dhe të ndershmit do të gjenden në anën e kundërt të berishizmit. Sokol Olldashi nuk ishte ai që do të bënte bashkë më të mirët, më patriotët, e më të ndershmit në mes të militantëve, kontribuesve, dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.
Deputeti i PD humbi jetën në rrethana tragjike në një aksident pikërisht në rrugët që kishte ndërtuar vetë si Ministër. Të paktën kështu janë versionet zyrtare. Mendoni se lënë shumë për të dëshiruar rrugët tona dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për abuzimet dhe mungesën e përgjegjësisë?
Në shtetin shqiptar mediat janë tërësisht të pabesueshme. Ajo që u mor vesh ishte se makina e zotit Olldashi që ka një kompjuter shumë të fuqishëm e të përdorueshëm në shumë mënyra, ishte ndalur diku pak më përpara, ishte në makinë pa rrip, me dikë tjetër, duke folur në telefon dhe megjithëse kishte marrë një goditje në tru, i kishte dalë koha me i thanë një miku të vet “jam keq.” Unë nuk dua të bëj asnjë spekullim sepse dhe dyshimet janë të bazuara diku, dhe në këtë rast në hamendjen se ky që ka qënë i përzier në kaq shumë punë të papastra nuk shkon kaq lehtë.
Në lidhje me shtetin shqiptar rrugët bëhen e ribëhen vetëm për të vjedhur. Kush do ta mbajë përgjegjësinë? Këta vjedhin bashkë. Ministrat e djeshëm janë ministra tani, deputetët e djeshëm janë deputetë, firmat janë të njëjtat dhe metoda e vjedhjes është e njëjta. Pyetja është kush do të vëjë kë para përgjegjësisë? Këta që ikën kanë bërë krime e vjedhje pa masë. Këta që erdhën kanë bërë krime e vjedhje pa masë. kur ishin në krye të punëve herën e kaluar. Kështu që do shahen e rrahen në media, por nuk e prekin njëri-tjetrin.
Mendoni se zërat e tjerë ndryshe në PD, Topalli, Patozi, Bode etj e kanë karizmën e duhur për të qënë alternativë dhe zëri ndryshe në PD pas largimit të Olldashit?
Këta duhej të kishin kontroll mbi një pjesë të partisë, mirëpo Saliu u tregua i zgjuar dhe në të gjithë zonat ku këta kanë influencë ka ngritur kundërshtarët dhe armiqtë personalë të secilit prej tyre. Mandej nuk flitet për karizëm midis hajnave e vjedhësve ordinerë. Zëri ndryshe në PD mund të vinte nga brezi i vjetër si Eduard Selami apo Aleksandër Meksi apo edhe nga brezi i ri që nuk është i përfaqësuar sa duhet por që mund të mobilizohet lehtësisht sepse nuk është i varur as nga e shkuara e as nga Berisha. Mirëpo zëri ndryshe duhet të jetë një ideologji e qartë, një vision bindës dhe i ndërtuar mbi dëshirën për të pasur një shtet-komb normal, me të drejta e detyra për të gjithë, me mbrojtje për të varfërit e për të pamundurit, me një kuptim të qartë të mundësive e të nevojave që kemi.
Zëri ndryshe nuk duhet të luftojë betejat e Berishës për të mbrojtur familjen, por të shqiptarëve, nuk duhet të luftojë me mullinjtë e erës, por të qartësojë se në këtë botë, ata që iu dalin për zot popujve të vet, janë politikanët që duhen. Rrethi u mbyll. Ata që ishin ata dolën sërish. Mirëpo në këtë rrugëtim që ishte tranzicioni ne humbëm shumëcka: gjysmën e shqiptarëve që treten në mërgim, mundësitë për tu bërë një shtet-komb normal, dhe e kemi vënë në ankand të ardhmen e kombit e të brezave. Kjo është kauza e zërit ndryshe në PD e në politikën shqiptare që nuk është e pranishme dhe që nuk mund të realizohet me këta që janë në krye të politikës e të PD-së.
Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)