Deputeti i PD Saimir Korreshi e nis interpelancën me ministren e Shëndetësisë Evis Sala duke e ironizuar për ushqimin që i shërbehet në spital pacientëve. Korreshi prej kohësh kishte kërkuar sqarime për gjendjen e spitalit të Lushnjës, që sipas tij është në degradim total.

Me tone herë ironike e herë të ashpra deri në akuza, Korreshi listoi problematikat kryesore që nga infrastruktura, e deri tek mungesa e medikamenteve. Problematika që sipas tij i ka evidentuar edhe vetë ministria e Shëndetësisë përmes një auditi.

“Po hyni në gjynah me shqiptarët…turp tju vijë. Nuk funksionojnë aapaaturat. Nuk ka alkool. Nuk ka medikamente. sipas verifikimit që është bërë në Spitalin e Lushnjës, rezulton se lavanderia, magazina qendrore dhe kuzhina ishin në kushte të këqija, me mure me myk dhe të pamirëmbajtura”, tha Korreshi.

Por edhe pse realiteti është një, këndvështrimet janë të ndryshme. Ministrja Evis Sala para deputetëve pasqyroi një panoramë krejtësisht të ndryshme, jo harrese, por investimesh.

“Punimet kanë filluar në mars, fondi është rreth 82 milionë lekë, ndërsa në 2027 edhe 236 milionë lekë të tjera. Ndërhyrjet po bëhen në godinën 3, ku funksionojnë urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe godinat mbështetëse”.

Nuk ka mungesë medikamentesh. Ne e mirëpresim kritikën, por s’mund të pranojmë retorikën që tenton të paraqesë spitalet publike si struktura të braktisura",  tha Sala.

Parashtrimin e gjatë të ministres, se qeveria nuk e ka braktisur atë zonë, Korreshi e ironizoi pa asnjë drojë.

 “Ju flet Tirana. Revista e Tefta Radit”, tha Korreshi.

Korreshi dhe ministrja Sala u përfshinë në replikë edhe për një nga shërbimet kryesore siç është dializa.

 “Janë 50 e ca pacientë nga Lusshnja nuk ka dializë…”, tha Korreshi.

 “I kemi shpërndarë në spitale të tjera, Lushnja nuk është spital rajonal”, tha Sala.

Korreshi solli në vëmendje edhe një rast familjar të tij, si për të demonstruar se shërbimi spitalor në Lushnje është në pikën e tij më të keqe.

 “Për 1 EKO vdiq. Po të ishte konstatuar, do ishte konstatuar zemra e zmadhuar dhe për 1 EKO do kishte shpëtuar 38-vjeçari”, tha Korreshi.

Ministrja Sala zhvilloi edhe një tjetër interpelancë me deputeten e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho për situatën në spitalin e Traumës i cili pjesërisht është në rikonstruksion. Sipas Xhixhos shumë shërbime bazë nuk ofrohen më për shkak të punimeve, por këto pretendime u mohuan nga ministrja.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:12
Interpelanca me Ministren e Shëndetësisë, Xhixho: Spitali i Traumës është mbyllur! Sala: Po rikonstruktohet, asnjë qytetar nuk është lënë pa shërbim

 

“Spitali i Traumës nuk është mbyllur dhe asnjë qytetar nuk është lënë pa shërbim.” Me këtë deklaratë, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala iu përgjigj në parlament pretendimeve të deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila akuzoi qeverinë për degradim të sistemit shëndetësor dhe mbyllje të sallave dhe shërbimeve në Spitalin Universitar të Traumës.

“Spitali Universitar i Traumës është simboli më i qartë i degradimit të sistemit shëndetësor që ju drejtoni. Vetëm gjatë vitit 2025, në këtë spital që ju drejtoni kanë marrë shërbim mbi 62,000 qytetarë. Që prej dhjetorit 2025, 10 salla operative janë mbyllur për shkak të një rikonstruksioni që zgjat pa fund, pa transparencë dhe pa një plan alternativ për pacientët. Mijëra qytetarë janë lënë në pritje dhe pacientët në urgjenca detyrohen të presin me javë të tjera me dhimbje” tha Xhixho

Por ministrja Sala kritikoi ‘sensacionin politik’ me të cilin po trajtohet një çështje që ka të bëjë me një strukturë që përballon emergjencat më të rënda në vend. Ajo theksoi rëndësinë e të folurit me fakte e për këtë arsye shpjegoi se se rikonstruksioni i spitalit është një proces i planifikuar dhe se shërbimet vijojnë normalisht, Sipas saj, punimet po kryhen me faza për të mos ndërprerë aktivitetin dhe urgjenca funksionon normalisht çdo ditë.

“Debati për këtë spital duhet mbështetur mbi fakte dhe në interes të qytetarëve e jo mbi perceptime të pavërteta. Spitali i Traumës nuk është mbyllur dhe asnjë qytetar nuk është lënë pa shërbim për shkak të rikonstruksionit të planifikuar. Spitali aktualisht ndodhet  në një proces të planifikuar rikonstruksioni dhe modernizimi, një investim i domosdoshëm për të garantuar standarde më të larta sigurie. Infrastrukturë dhe trajtim për pacientët përmes një fondi prej 759 milionë lekësh. Punimet kanë nisur në shtator të vitit 2025 dhe po realizohet me faza. Pikërisht për të garantuar vijimin e shërbimit gjatë gjithë procesit. Aktualisht po punohet në sistemimet e jashtme dhe bllokun operator qendror ndërsa ai i urgjencës funksionon normalisht dhe kryen çdo ditë shërbimin e traumës dhe ortopedisë” tha Sala.

 Ministrja deklaroi se gjatë 6-mujorit të parë të 2026 janë trajtuar mbi 19 mijë pacientë dhe janë kryer 932 operacione urgjente, më shumë se një vit më parë.

Ajo mohoi pretendimet për mungesë protezash, materialesh ortopedike dhe prani bakteresh në sallat kirurgjikale, duke thënë se sterilizimi kryhet rregullisht dhe nuk ka rrezik për pacientët. Sala shtoi gjithashtu se listat e pritjes janë ulur ndjeshëm dhe aktualisht janë rreth 570 pacientë, nga afro 1000 që kanë qenë më parë.

“Regjistrimet e pacientëve kryhen në mënyrë të dokumentuar në sistemin elektronik ku janë të verifikueshme të gjitha, kështu duke garantuar transarencë sipas rradhës së përcaktuar.  Sa i përket pretendimeve për mungesa materialesh ortopedike apo protezash, dua të jem e qartë. Nuk ka mungesa për ndërhyrjet që kryhen në Spitalin e Traumës. Financimi i shtuar ka bërë të mundur mbulimin e nevojave dhe vijimin e operacioneve të programuara.  Një tjetër pretendim i pabazuar është ai që lidhet me infeksionet. Sallat sterilizohen vazhdimisht. Nuk është konstatuar prani bakteresh që rrezikojnë pacientët.  Mjekët inferemieret, dhe stafi mbështets  po punojnë me dy turne duke përballuar emergjencat më të rënda në vend. Ata meritojnë respekt dhe mbështetje  Qytetarët shqiptarë meritojnë punë konkrete dhe fakte konkrete e jo panik dhe jo perceptime që cënojnë besimin në institucionet shëndetësore e te mjekët” tha Sala

 

K.B/A.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 22 Maj, 10:19

    Pas miratimit të raportit nga Këshilli, mendoni se do realizohet objektivi BE 2030?