Në rubrikën “Specialisti në studio” të emisionit Klinika 24, autorja dhe moderatorja Doreada Mio, mirëpriti këtë javë Dr. Genta Qirjakon, shefe e Departamentit të Shëndetit Publik në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, pedagoge dhe eksperte e njohur e shëndetit publik.
Biseda u përqendrua në një temë tepër aktuale: shëndetin mendor – një dimension i shëndetit që pas pandemisë është bërë sfidë globale, po aq i rëndësishëm sa ai fizik.

Nga stigma drejt ndërgjegjësimit

Tetori, i njohur zakonisht për fushatat e “Tetorit Rozë”, sjell edhe Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, një moment reflektimi për gjithë shoqërinë.
Sipas Dr. Qirjakos, pandemia tregoi qartë se krizat nuk lënë pas vetëm pasoja fizike, por edhe emocionale: “Stresi, ankthi dhe pasiguritë u shtuan ndjeshëm. E mira është se sot flitet më hapur – dhe kjo është një arritje më vete.”

Në të kaluarën, problemet mendore shpesh mbeteshin të fshehura për shkak të stigmës shoqërore. Sot, sidomos brezi i ri, tregon më shumë guxim për të kërkuar ndihmë, edhe pse, siç theksoi specialistja, askush nuk është imun ndaj vështirësive emocionale. Të rinjtë, gratë, por edhe burrat mund të përballen me periudha ankthi apo depresioni, dhe është thelbësore që mbështetja profesionale të jetë e aksesueshme.

Vendi i punës, një faktor rreziku

Në emision u fol edhe për ndikimin e mjedisit të punës në mirëqenien mendore. “Kalojmë orë të tëra në punë. Një ambient toksik mund të sjellë lodhje mendore, ankth e madje ‘burnout’ – raskapitje profesionale,” shpjegoi Dr. Qirjako, duke nënvizuar nevojën për psikologë jo vetëm në shkolla apo qendra shëndetësore, por edhe në vendet e punës.
Ritmi i shpejtë i jetës, multitaskingu dhe përgjegjësitë e shumta po kthehen në një burim kronik stresi, ndaj kujdesi për shëndetin mendor duhet të jetë pjesë e politikave të çdo institucioni.

Aleanca kundër Depresionit – një model bashkëpunimi

Një nga nismat më interesante që u prezantua në studio ishte “Aleanca kundër Depresionit”, një projekt evropian që po zbatohet edhe në Tiranë.
“Qëllimi,” shpjegon Dr. Qirjako, “është të ndërtohen ndërhyrje në katër nivele – që përfshijnë trajnimin e profesionistëve të shëndetit, gazetarëve, mësuesve, punonjësve socialë dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare – në mënyrë që të dinë si të njohin dhe të referojnë rastet e rrezikuara.”
Një qasje gjithëpërfshirëse që synon parandalimin e depresionit dhe vetëvrasjeve, duke e kthyer kujdesin për mendjen në një përgjegjësi kolektive.

“Kërkimi i ndihmës është shenjë force”

Mesazhi kryesor i bisedës ishte i qartë: të kërkosh ndihmë nuk është dobësi, por forcë.
Siç theksoi Dr. Qirjako, ndihma mund të nisë me një bisedë të sinqertë me një mik apo familjar, por është jetike që tema të tilla të mos tabuizohen.
“Media ka një rol të madh për të luajtur – për të normalizuar diskutimin për shëndetin mendor dhe për t’i dhënë zë atyre që heshtin,” shtoi ajo.

Në përmbyllje, Ada kujtoi një të vërtetë që prek të gjithë: “Askush nuk është ‘normal’ në mënyrë të përsosur. Secili ka betejat e veta. E rëndësishme është t’i pranojmë dhe të kërkojmë ndihmë në kohë.”


Lajmi kryesor:

Klinika 24/ Menopauza sa e njohim, nga shenjat tek trajtimi