Siguria ushqimore gjatë sezonit turistik ishte në fokus të një takimi të organizuar në Shëngjin me përfaqësues të biznesit, nga Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti.Gjatë fjalës së saj, Gjylameti theksoi se kontrollet po ushtrohen që në burim të zinxhirit ushqimor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa fokusi kryesor i AKU-se mbetet ndërgjegjësimi dhe parandalimi, duke synuar garantimin e sigurisë ushqimore për qytetarët dhe turistët, më shumë sesa masat ndëshkuese.

“Tani kemi nisur një tjetër hap për garantimin e sigurisë ushqimore sipas standarteve të BE-së, për të ofruar ushqime të sigurta. Paralelisht me auditet e BE-së edhe trupat e inspesktimit të AKU-së janë duke përmirësuar standardet e tyre - në pjesën e asaj që është kontrolli”, tha Blerina Gjylameti.

Duke e cilësuar zonën si një prej destinacioneve me potencial të lartë gastronomik, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe deputeti Admir Kadeli kërkuan që sigurisë ushqimore t’i kushtohet prioritet maksimal gjatë gjithë sezonit turistik.

“Ajo që kemi tentuar të bëjmë ne është të përmirësojmë problematikat e ndryshme. Lezha është vendi ku shihet si zona me kulinari të spikatur”, tha kryebashkiaku Pjerin Ndreu.

Sezoni turistik ka rritur ndjeshëm numrin e bizneseve në Shëngjin dhe Tale, ndaj edhe vëmendja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është përqendruar në këto zona, ku kontrollet dhe monitorimi do të jenë të vazhdueshme.