ROMË, 30 korrik /ATSH-ANSA/ - Kryeministri italian, Matteo Renzi deklaroi sot se ligji i diskutueshëm i tij për të rindërtuar Senatin, i cili po përparon ngadalë në leximin e parë në Dhomën e Lartë për shkak të bllokimit nga kundërshtarët, duhet të kalonte me çdo kusht. "Reformat nuk janë teka të një kryeministri autoritar", u shpreh Renzi. "Ato janë e vetmja mënyrë për ta nxjerrë Italinë jashtë konservatorizmit, jashtë moçalit ku ka rënë dhe stanjacionit. Unë nuk jam duke e lënë të ardhmen për ata që janë duke dhënë dorëheqje. Kjo është koha e duhur, pa marrë parasysh sesa kushton", shtoi ai. Projektligji i reformës nga Renzi ka si qëllim të rregullojë ndjeshëm makinerinë e kushtueshme politike italiane. Pjesa qëndrore është transformimi i Senatit në një kuvend të vogël në numër të përfaqësuesve lokalë, me kompetenca minimale të fuqisë ligjvënëse për të kursyer para dhe kalim më të lehtë të legjislacionit. Qeveria synon të ketë lexim të plotë të projektligjit të saj në Senat para pushimeve të verës të parlamentit, muajin e ardhshëm, por kundërshtarët e kanë ngadalësuar progresin duke paraqitur pothuajse 8 000 amendamente. Kjo ka çuar në tensione të mëdha në parlament dhe senatorët e Partisë Demokratike të qendrës së majtë të Renzit gati sa nuk u rrahën me ligjvënësit e Lëvizjes Pesë Yjet. "Në këtë moment, senatorët, të cilët po mbështesin reformat dhe të cilët mbështesin bllokimin nga një pakicë e vogël e kolegëve të tyre kanë treguar ndjenjën më të jashtëzakonshme të lidhjes me institucionet", u shpreh Renzi. "Ne do ta miratojmë leximin e parë të reformës, pavarësisht thirrjeve dhe fyerjeve të rënda orëve të fundit", përfundoi ai./ /l.q/ a.jor.












