Bilanci i viktimave në vendin tonë me koronavirus ka vajtur në 12, ku dy viktimat e fundit janë shënuar brenda 24 orëve.
Gjatë mbrëmjes së të hënës ka humbur jetën një 82-vjeçare nga Tirana me iniciale L.M. duke shënuar viktimën e 12 me koronavirus në Shqipëri. E moshuara vuante edhe nga një sërë sëmundjesh të tjera shoqëruese si astma bronkiale, hipertension, podagra (sëmundje reumatismale).
Prej 5 ditësh ajo ndodhej në Spitalin Infektiv ku po trajtohej, por dy ditët e fundit gjendja e 82-vjeçares u rëndua së tepërmi dhe nuk arriti të mbijetonte.
"E moshuara po trajtohej prej 5 ditësh në spitalin infektiv, ndërsa në dy ditët e fundit gjendja e 82-vjeçares u rëndua së tepërmi. Ajo vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese: Astma Bronkiale, Hipertension, Podagra (sëmundje reumatismale) është viktima e 12 e COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë
Po mëngjesin e sotëm ka humbur jetën dhe një 79-vjeçar nga Tirana, me inicialet B.H., i cili ishte shtruar në spitalin Infektiv prej 18 ditësh. I moshuari ishte përmirësuar ditët e fundit por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak.
Sot në vend u shtuan 11 raste të reja, dy prej të cilëve në Vaun e Dejës dhe deri në këto momente në Shqipëri rezultojnë të prekur nga koronavirusi 223 persona, me të cilëve 74 pacientë ndodhen të shkruar në Spitalin Infektiv. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 7 prej pacientëve janë në terapi intensive, nga të cilët 4 janë të intubuar.
Tirana është qyteti më i prekur nga COVID-19, ku 124 raste rezultojnë të infektuar dhe ndiqet nga Fieri, Shkodra, Tropoja dhe Korça.